Fati i ndryshimeve kushtetuese në duart e deputetëve opozitarë

Pas dështimit të djeshëm të miratimit të ndryshimeve kushtetuese ende nuk dihet vazhdimi i kësaj seance e cila duhet të siguroj  82 vota. Për arritjen e votave të nevojshme, në lojë janë tre opsione. Bindja e tre deputetëve të BDI-së, Hazbi Lika, Zulfi Adili dhe Xhevat Ademi që të mbështesin këto ndryshime kushtetuese, apo sigurimi i votave nga mbështetja e tre deputeteve të pavarura, të cilat morën mandatin si kandidatë në listat e LSDM-së, Solza Gërceva, Ljubica Buralieva dhe Roza Topuzova Karevska. Nuk përjashtohet edhe mundësia e tretë që 2/3 e votave të sigurohen nga mbështetja e deputetëve të PDSH-së. Por këta të fundit kanë kundërshtuar ashpër këto ndryshime kushtetuese.

“Paraqesin në vete edhe një tendencë majorizimi dhe anashkalimi të problemeve reale me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Maqedoni. Të ndryshosh pjesët që kanë të bëjnë me martesat e homoseksualëve, bankën,  zonat ndërkombëtare financiare dhe të mos preken pjesët që kanë të bëjnë me avancimin kualitativ të drejtave të shqiptarëve është një hipokrizi e llojit të vet”, deklaroi Gazmend Aliu, deputet i PDSH-së.

“Edhe këtë herë prioritetet shqiptare që kanë të bëjnë me përdorimin zyrtar të gjuhës, flamurit, ndarja e drejt dhe proporcionale e buxhetit nuk bëjnë pjesë në ndryshimet të cilat propozohen nga ana e propozuesit të autorizuar, qeveris ku bën pjesë edhe BDI-ja, pra ku është interesi shqiptar në këto ndryshime kushtetuese”, tha Imer Aliu, deputet i PDSH-së.

Eksperti juridik Osman Kadriu ka vlerësuar abstenimin e tre deputetëve të BDI-së për ndryshimet kushtetuese. Ai vlerëson hapin e tillë duhet ta ndjekin edhe deputetët tjerë të BDI-së dhe ata të opozitës.

“Ky abstenim është më se i nevojshëm dhe i arsyeshëm bile bile të tregoj nga të gjithë intelektualët shqiptarë në procedurën e deritashme edhe në diskutimin publik ne kemi shpalosur mendimin, opinionin  shkencëtar, profesional që këto ndryshime assesi nuk duhet të miratohen meqenëse janë ndryshime dhe plotësime kushtetuese në kundërshtimin me interesat dhe nevojat shqiptare…në opinion ka një rezervë të theksuar se këto ndryshime kushtetuese janë antishqiptare dhe nuk duhet të miratohen edhe tash ia tre deputetët e BDI janë prononcuar se nuk do të votojnë. Për mua është një gjest pozitiv, duhet të respektohet, duhet të vlerësohet dhe kështu duhet mendoj duhet të veprojnë edhe deputetë tjerë të partisë shqiptare në pozitë dhe asaj në opozitë”, u shpreh Osman Kadriu, ekspert.

Kadriu vlerëson se në propozim ndryshimet kushtetuese, diskriminues është amendamenti mbi këshillin gjyqësor me të cilin nuk sigurohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në këtë organ të lartë gjyqësor./alsat-m

Lajme të ngjashme

Back to top button