A u falsifikua Projektligji për “Trepçën”?

Kuvendi i Kosovës pritet t’ia përplasë Qeverisë Projektligjin që i bën palë komunat në procesin e shndërrimit të “Trepçës” në ndërmarrje publike. Shkak është dyshimi i bazuar për falsifikim të tij.

Është raportuar të premten se si është ndërhyrë në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, para se ai të dërgohej në Kuvend.

Fjalët “mund të” i ishin hequr paragrafit që thoshte se “regjistrimi si ndërmarrje publike mund të bëhet në marrëveshje me komunat në territorin e të cilave gjenden ato”.

Kësisoj, formulimi i ri i ka dhënë karakter obligues përfshirjes së komunave të veriut në vendimmarrjen për “Trepçën”, ndryshe nga versioni që e kishte miratuar Kabineti qeveritar, e që këtë çështje e linte në diskrecion të Qeverisë. Qeveria nuk ka treguar se si ka ndodhur kjo.

E, juristët Dren Doli e Driton Selmanaj kanë thënë se ndërhyrja thellësisht përmbajtjesore përbën vepër penale.

Albulena Haxhiu, deputete e LVV-së dhe kryetare e Komisionit parlamentar për legjislacion, ka thënë se, nëse ky falsifikim faktohet, atëherë Projektligji i sjellë në Kuvend duhet kthyer mbrapsht. /Koha Ditore/

Lajme të ngjashme

Back to top button