Kujtimet e gazetarit italian për Shqipërinë

Gjatë gjysmës së parë të shekullit që shkoi, Ugo Ojetti (lindur në Romë në vitin 1871 dhe vdekur në Firencë në vitin 1946), qe një personalitet mjaft i njohur i kulturës italiane. Shkrimtar, gazetar, botues i një sërë revistash, kritik arti i njohur, qe edhe autor i mjaft veprave.

Nga viti 1898 deri sa vdiq, Ojetti punoi për gazetën më të madhe italiane “Corriere della sera”, ku qe përgjegjës për faqet e saj kulturore, ndërsa në vitet 1926-27 u bë edhe drejtor i saj.

Në vitin 1930 Ugo Ojetti bëhet gjithashtu anëtar i Akademisë Italiane.

I botuar në vitin 1902, libri i tij me përshtypje nga udhëtimi në Shqipëri (ende pjesë e Perandorisë Osmane), jep një tablo të gjallë e mjaft interesante të Shqipërisë së kohës, çka e bën atë një ndër veprat më të rëndësishme të literaturës italiane kushtuar Shqipërisë.

Përkthyer nga Virgjil Muçi, për botimet “IDK”, libri mban titullin “Shqipëria – Udhëtim në Shqipërinë e vitit 1902”, dhe përmban udhëtimet nga Brindizi në Prevezë, nga Augusti tek Ali Pasha, në Orakullin e Dodonës dhe burimet e Akerontit, në Durrës, Shkodër etj. Libri ndahet në nëntë kapituj.

Më poshtë botojmë një fragment nga libri, të shoqëruar edhe me arsyet e autorit, si lindi libri mbi udhëtimet e tij në këtë pjesë të Evropës:

***

Këto letra të shkruara për Corriere della Sera-n kërkojnë të shpihen drejt një konkluzioni logjik e praktik, tendenca dhe simpati që, përfundimisht, ngjajnë se janë bërë diçka e përgjithshme në Itali. Kurrë më parë si sot nuk është shtruar për diskutim me qartësi e çiltërsi çështja e Adriatikut; dhe ky diskutim nuk ka zënë vend vetëm mes partive të brendshme dhe fletushkave politike italiane, por mes të gjitha vendeve të interesuara për ta zgjidhur në mënyrë të volitshme, herët ose vonë. Duke qenë se dikujt i është dukur se këto letra nuk kanë bashkëvepruar më kot për të përftuar atë qartësi e çiltërsi, atëherë po i mbledh, me ndonjë shtojcë, në një libër.

Qyshkur Italia ekziston, politika e jashtme italiane ka pasur vetëm një tipar të qëndrueshëm: paqëndrueshmërinë. Prej disa pak vitesh e vetmja gjë që bën përjashtim nga kjo lëvizshmëri kaleidoskopike ngjan të jetë besimi ynë në shpresat e miqve tanë të Shqipërisë. Por edhe sikur ky besim të venitet e të harrohet, libri im i sinqertë ka për të mbetur kujtim i atij çasti kur flakëroi më i gjallë se kurrë. Dhe kjo nuk është pakogjë në një epokë e në një vend skeptikësh.

Të gjitha këto faqe janë shkruar mes atyre njerëzve dhe vendeve që përshkruajnë. Në mos dëshmi e së vërtetës – meqenëse në politikë faktet ndryshojnë dukje sipas interesave të atyre që i peshojnë – kjo gjë është dëshmi e sinqeritetit. Virgjili thotë për Epirin: Këtu lajmi i pabesueshëm për diçka merr dhenë!

Ç’është e vërteta, në një sërë vendesh – në Azio dhe në Dodonë, në Nikopojë dhe në Shkodër, në Vlorë dhe Durrës – kujtimet më të lavdishme e më të bujshme translate romake e veneciane vijnë e të mësyjnë nga trualli e rrënojat me ngutin e njerëzve të gjallë. Dhe historia deh më fort se realiteti ngase vjen prej larg dhe i lë të lirë ciklet e veta e i hap udhë flatrimit të ëndrrës. Nëse ngandonjëherë si italian dhe roman, unë kam ëndërruar ca si tepër, në faqen e mëpasme jam përpjekur të rifitoj qetësinë për të arsyetuar dhe renditur shifra e fakte. Ndaj dhe mos më gjykoni nga ndonjë kontradiktë e dukshme pa e lexuar gjithë librin nga kreu në fund.

Ndoshta dhe vlera e tij e vetme qëndron pikërisht në këtë kontrast spontan mes dëshirës dhe realitetit, mes së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes së mundshme.

San Giacomo e Spoleto-s, 14 shtator 1901.

I.

Nga Brindizi në Prevezë

Gurët e Sarandës dhe trëndafilat e Korfuzit. – Hyrja në gjirin e Ambrakisë. – Safoja dhe Kleopatra. – Virgjili dhe Bajroni. – Rrugët e Prevezës. – Pusi i xhamisë. – Vizitë te Mytesarifi. – At Filemoni dhe mirësia e Austrisë. – Fortesa venedikase. – Brisulla. – Dhia dhe roja. – Druri i ullirit.

Prevezë, 10 korrik.

Dje në mëngjes lundruam dymbëdhjetë orë me pamjen e maleve të Epirit, të lartë e të thepisur mbi det, çerdhe të vërteta të shqiponjave, majat e shkreta Akrokeraunike prej nga, për helenët, Zeusi zbrazte rrufetë e veta.

Më pas, atë pasdite, për dy orë kaluam nga bregu i bokërrimtë turk i Sarandës në kopshtijet hijeshumë e të erandshme të Korfuzit. Andej veç një sokak plot plehurina, dy magazina plot e përplot me sheqer, kafe e pambuk, tri shtëpi të shkallmuara nga bombardimet greke para katër vitesh, përpjetë në një shteg si të prerë me thikë në malin e verdhë një varg mushkash të ngarkuara të drejtuara për në Delvinë e në Janinë, tatëpjetë harqet e kullat e një fortese venedikase të rrënuar, me fytyrë nga flladi ajërshumë i detit – teksa këndej në ujdhesën e bukur greke ku Uliksi u takua me Nausikën, kopshtije si Mon repos-i mbretëror me trëndafila të lulëzuar, landra, rruka e manjola, vreshta e pjergulla, shëtitore buzë detit, kafene e luleshitëse, oficerë grekë rioshë më kot të kapardisur alla inglezçe, ashtu si akullore më kot të quajtura “alla napolitane”.

Por vetëm sot në të gdhirë hymë këtu në Prevezë, portin më të madh të Epirit të poshtëm, i cili, mund të jetë, në hyrje të gjirit të Ambrakisë, një prej ankorimeve më të sigurta të detit Jon. Jemi mu në mes të kujtimeve filohelenike.

Lajmëtare e agut frymon

Një puhizë të lehtë, të lehtë

Që portokalleve të Korkyrës së gjerë

Aromat më të dëlirta rroku…

Madje edhe në dritën e trëndafiltë të agimit, kujtime të tjera, veç atyre të Refugjatët e Pargës dhe dhjetërrokëshat e Berchet-it, shfaqen e pasqyrohen në ujërat e sedefta. Në të djathtë, rrethuar nga një vello resh të bardha, mali i Leukës ngjyrë qielli e trëndafili të kujton Safon, pasionin e dëshpëruar dhe hedhjen e mynxyrshme në det. Dhe dielli i lind në fytyrë. Në të majtë, ndërkohë që Bari i vogël i “Puglia”-s çan mespërmes guximshëm dy bovave të bardha, nëpërmjet një fundi mjaft të ulët dhe shkëmbinjsh, ranishteje e algash, një gjuhëzë stereje e sheshtë përvijon bregun shqiptar. Dalëngadalë prej mjegullës së opaltë vijnë e shfaqen nga ai rrip një ullishtë me pemë shtatshkurtra dhe e dendur, ndërsa mbi det një fortifikatë turke që me kryelartësi mban emrin Pantokrator. Më andej, një bregun grek përmbi një rrafshultë të shkurtër e të shkretë ngrihen fill njëri pas tjetrit malet e Akarnanisë dhe, përkundruall nesh, ata të Etolisë, më të zbehtë në largësi.

Paskëtaj në atë rrafshultë të shkurtër, që ia thonë emrin Maja, ngrihet prej barit një mur i lartë gati një metër. Është gjithçka mbetet prej Aktios qyshkur Oktavian Augusti e rrafshoi me tokën dhe e kriposi për të ndërtuar në plazhin përkarshi, sot e kësaj dite të Prevezës, Nikopojën madhështore, Qytetin e fitores, në kujtim të mposhtjes së Mark Antonit. Prej këtyre ujërave ia mbathi e u bë erë Kleopatra me triremën e bardhë me vela të purpurta, me t’i kthyer shpinën fati; këtë betejë pa Virgjili në shqytin që Venera i dhuroi Eneas. “Shih gjirin e Ambrakisë ku, njëherë e një kohë, një botë u bjerr për dashurinë e një gruaje, gjë e ëmbël, e njomësht!” thërret djaloshi Harold përmes gojës së Bajronit.

***

Sepse – thënë me modesti – unë dhe këta katër a pesë sekserë grekë me petka të lerosura që mbrëmë morën anijen në Korfuz, po bëjmë saktësisht atë udhëtim që kreu Enea dhe, mijëra vjet më pas, edhe lordi Bajron. Ndaj dhe kënga e dytë e Çajlld Haroldit është udhërrëfyesi i përkryer prej këtu e deri në Janinë, në Dodonë e në Zisa. Natyrisht kohët kanë ndryshuar dhe, për fat të keq, tok me kohët ndryshojnë edhe udhëtarët e banorët e qytetit…

Këndojnë në atë këngë të zjarrtë palikarët, trimat e Ali pashait: Kujtojeni momentin kur ra Preveza!

“Kujto çastin kur Preveza ra, ofshamat e të mundurve, britmat e fitimtarëve, çatitë që u vumë flakën dhe plaçkën që ndamë, të kamurit që shkuam në thikë dhe bukuroshet që u kursyem jetën”. Preveza që tash, me të kaluar cepin e Pantokratorit, na shfaqet me rrezet e para të diellit fund e krye e shndritshme dhe e qeshur – shtëpiza të trëndafilta, të verdha, të blerta, minare të bardha, plepa më të lartë edhe se vetë minaret dhe rreth e qark deri në vijën e horizontit, ullinj të argjendtë që fërgëllojnë nga puhiza e mëngjesit – kishte qenë e venedikasve deri me nënshkrimin e traktatit të Campoformio-s, paskëtaj tok me ishujt joniane dhe qytetin e gjirit qe pushtuar nga francezët; por me t’u pushtuar Egjipti nga Napoleoni, Ali Pasha i shtiu në dorë këto qytete, me përjashtim të Pargës, në emër të Sulltanit. Dy milje larg qytetit francezët u thyen dhe u masakruan nga pesë mijë shqiptarë, të cilët e vijuan në qytet kasaphanën dhe plaçkitjen deri në breg të detit.

Në këtë orë flenë edhe doganierët turq, ndaj me t’i treguar pasaportën një gjendarmi zhelan e këmbëzbathur që shkon e vesh shpejt e shpejt setrën, duke harruar të hedhë në trup më parë këmishën, marr në zotërim, paqësisht, qytetin me kodakun tim, pi kafen e parë në një kafene që kutërbon era peshk të ndenjur dhe nderohem nga prania e insekteve të para shqiptare që më rrethojnë nga të katër anët – shpirtra po aq luftarakë sa edhe të lartpërmendurit palikarë të Ali Pashës.

***

Vajmedet, brenda në qytet nën diellin zhuritës është mjaft ndryshe prej rrethinave nën agimin e freskët! Rrugët, për mirëmbajtjen e të cilave çdo epirot nga pesëmbëdhjetë deri në gjashtëdhjetë e pesë vjeç paguan dymbëdhjetë piastra në vit taksë, janë shtretër rrëkesh kundër shkrepave të të cilëve shqiptarët mbrohen me sarùc-ët e tyre të fortë, këpucë me gozhdë me majën e kthyer, të përshtatshme si për qafëmalet e Sulit e të Pindit, ashtu edhe për të shëtitur në rrugën më elegante të Prevezës ose të Pargës, të Gjirokastrës ose të Janinës.

Në dy ose tre prej rrugëve kryesore, larg shfaqjes së bukur që ofrojnë pemëshitësit – pjeshkë, fiq, mollë, vishnja kokërrmëdha e gjithë lëng të ekspozuara për bukuri si ndaj mizave ashtu edhe pluhurit – shkojnë e hapen rëndom dyqanet e mjerueshme të turqve, si të çikërrimave ashtu edhe të ëmbëltoreve me togje kutiçkash shumëngjyrëshe që përmbajnë hem kopsa ose grepa, hem sheqerka të sheqerosura ose katrorka të së zakonshmes marmelatë prej niseshteje që i thonë lucùm. Lecka të fëlliqura të nderura mes dy shkopinjve i mbrojnë dyqanet prej diellit. Furrtarë e kasapër janë ulur e rrinë mbi banakët e zhyer,me çyrekët e bukës dhe thelat e mishit të therur nëpër këmbë. Ndonjë kambist i ngjallur ose saraf hebre, me lëkurën e shndritshme dhe duart e thata hedh e pret në duar ato pak para për të tërhequr vëmendjen e myshterinjve. Mes turqve e grekëve me fes, të veshur evropiançe ose siç thuhet në të gjithë Levantin, alla frënga, kalojnë fshatarët dhe kafsharët shqiptarë të nxirë nga dielli, të heshtur, shtatlartë e truplidhur përkundrejt pushtuesve helenë dhe sunduesve osmanë, besnikë ndaj veshjes së lashtë, me kësulën e bardhë pa xhufkë, përmbi këmishën me mëngë të gjatat pischli prej leshi të bardhë ose të kuq, të prera pas trupit, fustanellën me njëmijë rrudha, kallçinat prej fanellate ose zbathur të lidhura nën gju me thekë të errëta të zbatharakut dhe në rripin e mesit scigliachi i madh prej lëkure për kamën ose për pistoletën. Ndonjë grua turke me ombrellë të zezë, me fytyrën mbuluar nga ferige-ja e zezë e vrimëzuar për të parë udhën ku shkon, mbi supe e krye ciarciaf-in e bollshëm në të cilin të zë syri mëndafshrat e kuq, të blertë e të verdhë të petkave të gufmuara, çapitet me hapa të vegjël, duke u përpjekur t’i shmanget baltës, pluhurit e guriçkave të kalldrëmit për të shpëtuar papuçet e qëndisura me fije ari. Një numër i madh priftërinjsh grekë me kamillafin e zi në trajtë koni të përmbysur, të quajtur callimachi, si dhe veladonin e gjerë të zi, ca pak hoxhallarë turq – sceic me çallmën në ngjyrë jeshile e të bardhë, baba me tirkun e çelur, – ndonjë kafaz konsullate me armë, filigramë e zinxhirtha të shndritshëm, me stemën e vendit në fes, shumë ushtarë të leckosur, gjithë arna e këmbëzbathur, të paarmatosur, me një pamje të pasigurtë mes lypsarit dhe “mbikëqyrësit të posaçëm” – janë ata që përbëjnë atë turmë të pakët që popullon të paktat rrugë kryesore.

Jashtë tyre të krijohet ndjesia sikur ndodhesh në një fshat të shkretë, duke qenë se regjimi turk dhe uria ia kanë kyçur gojën dhe e kanë bërë t’i hyjë lepuri në bark këtij populli të fortë, të përkorë dhe që kënaqet me pako gjë (tre të katërtat e misrit vijnë këtyre anëve nga Rumania, Rusia dhe Hungaria).

Përmes rruginave të rrëpirta marr të ngjitem te Xhamia e gjorë me portat e shkalafitura, hajatin e pluhurosur pas parmakëve jeshilë të brejtur nga krimbi. Përkundruall një rrapi të madh dhe nën të, një pus. Një plakë këmbëzbathur është duke nxjerrë ujë me një shtambë pa lëfyt. Dy a tre kalamaj kalojnë aty pari rrugës për në shkollë. Njëri syresh nxjerr nga xhepi një kore buke të tharë dhe i kërkon plakës t’ia njomë në shtambën e vet. Një shitës mollësh largohet duke thirrur: Milacalà! Shtalkat e shtëpizave turke shkërmoqen e bien copë-copë, suvatë janë si lëkura e lebrozëve dhe shkallinat si gojë padhëmbë. Një maçok i ngordhur kutërbon e qelb dynjanë në një pellgaçe pranë një oborri. Në kopshtijet e mbyllura aty-këtu të zë syri ndonjë rrukë, shegë e mëllagë të lulëzuar në ngjyrë të kuqe e trëndafili. Harabelat e rrapit cicërojnë me të madhe.

Dhe unë nisem e shkoj për t’i bërë një vizitë Mytesarifit shpirtndrydhur nga ai buzagaz i qiellit dhe luleve që bie ndesh me mjerimin njerëzor.

***

Vilajeti i Janinës që përfshin Epirin për të qenë të saktë – në veri lumi Seman, në jug gjiri i Ambrakisë, në lindje vargmalet e Pindit dhe, sipas konferencës së Berlinit, lumin Araktus e në perëndim Adriatikun tonë – ka njëzet e dy mijë kilometra katrorë dhe gjysmë milioni banorë (afro njëzet e dy për kilometër), të cilët i nënshtrohen autoritetit të një valiu në Janinë dhe tre mytesarifëve ose nënprefektëve në Prevezë, Berat dhe Gjirokastër – që i ha meraku kryekëput si e si të administrojnë me shkathtësi e pa humbur kohë pasurinë e tyre private me një metodë pagabueshmërinë e së cilës kam për ta shpjeguar në një tjetër kapitull për atë që heqin e vuajnë nënprefektët e Italisë.

Në pallatin e qeverisë hyhet duke kaluar mes dy kopshteve të lulëzuara pas kangjellave të ulëta në ngjyrë të kaltër. Në rruginë e në oborr, ku dy roje marrin qëndrim “Për nder armë” për agjentin tonë konsullor, ombrellën time të bardhë e për mua, hasim në një det fesësh e një papastërti të atillë sa krahasuar me atë të këtushmen ministritë italiane mund të merren për home të damave angleze. Qelitë e burgut që gjenden në katin e nëndheshëm u përcjellin bekimin funksionarëve të dashur në katin e parë përmes kësaj arome temjani.

Pertef beu, kreu i Mytesarifllëkut të Prevezës, më pret në një sallon plot ajër e dritë, katër dritaret e të cilit shohin nga deti, më ofron një cigare e urdhëron për kafetë. Bashkëbisedimi i njerëzishëm zhvillohet përmes një përk­thyesi, çka, natyrshëm, bën që biseda të rrjedhë me nga dalë. Duke mos mundur t’i them kurrfarë gjëje të rëndësishme dhe, aq më pak, se vij për të përshkruar Shqipërinë, flasim për motin e mirë, për ajrin e detit, për bukuritë e Italisë që ai nuk i ka parë kurrë me sy, për vështirësitë e të udhëtuarit nëpër Shqipëri ku unë nuk kam udhëtuar kurrë më parë. Pauzat janë të gjata, kafeja mediokre. Mes shumë përuljesh dhe temenasë së trefishtë që bëhet me dorë, hyjnë e dalin funksionarë, oficerë dhe gjendarmë. Mytesarifi vuan shumë prej vapës, vjen i trashë, leshverdhë, i shogët e i veshur me pëlhurë. I ulur këmbëkryq në divanin e gjerë, ai shfryn shpesh, por ka buzëqeshjen e ëmbël të njeriut që ia ka më fort ënda e gëzon të drejtat e shumta kundrejt atyre pak detyrave. Kur marr leje për t’u larguar, më premton dy karabinierë në kuaj, ose suvari, për të më shoqëruar përgjatë njëqind e njëzet kilometrave deri në Janinë.

***

Marr udhën e shkoj te at Filemoni, kreu i… dy françeskanëve të Prevezës. At Filemoni, që jeton në skamje në një vend tmerrësisht të varfër, ka blerë për dhjetëmijë e gjashtëqind franga një shtëpi me kopsht në gjysmë të rrugës për në breg për të ndërtuar një kishë katolike. Rreth e qark oborrthit të tij janë mbledhur pirgje me tulla, tjegulla, gëlqere e gurë. Konjaku i franceskanit është më i mirë se kafja e beut. Austria që, siç dihet, thotë se ka trashëguar nga Venediku mbrojtjen e katolikëve në Shqipëri – nga ajo çka më kallëzon at Filemoni – i kalon vetëm njëzet e pesë napoleona në vit famullisë së Prevezës dhe, deri më tani, ka dhënë dyqind e pesëdhjetë për ngritjen e kishës. E keqja e Austrisë – dhe ky është mendimi im – është se njëzet a tridhjetë katolikët e Prevezës, duke qenë se në Epir shqiptarët janë ortodoksë ose muslimanë, janë që të gjithë nënshtetas italianë, kështu që napoleonat, të paktën në dukje, politikisht nuk është se janë shpenzuar shumë mirë. Por ja që Italia e ka këtë fat që ia ka dërguar provania e qiellit, në mungesë të ndonjë bilanci nga ana e Ministrisë së Jashtme.

Në muret e sallonit, midis portretit të Papa Leonit dhe Shën Nikollës së Barit, është varur oleografia e perandorit të Austrisë.

“Si një italian i mirë që jeni duhet të keni edhe portretin e mbretit tuaj”, vërej duke e vënë buzën në gaz me një fije naiviteti. Por buzagazi i at Filemonit ia del të jetë edhe më naiv se i imi:

“Ç’t’i bësh, zotëri i dashur! E kisha kur mbaja shkollën me subvencionime. Ma tërhoqën manu militari këtu e dy vjet të shkuara, kur Rudini mbasi kishte mbyllur shkollat koloniale, shkoi e mbylli edhe shkollat tona që mbaheshin me subvencione. Qysh atëherë… nuk kam pasur para për të blerë një tjetër. Veç kësaj, këtyre anëve, më beso, rrallëherë të zënë sytë portrete të mbretit të Italisë…

***

Pasdite marr rrugën buzë detit që të shpije në Brisulla për te ullinjtë. Udha kalon poshtë kështjellës venedikase; pranë portës ende të shënjuar me dy luanë është një roje turke me një këpucë të vetme në këmbë; aty brenda, mes bedenave të një kullëze, feksin veglat prej tunxhi të një orkestre të sfilitur që spërdredh rropullitë ashtu si degët e ullinjve aty pranë. Kaloj portën në krye të njërës prej tri urave mbi hendek, e cila, tok me detin, mbyll mes dy ujërave qytetin e fortifikuar. Roja ka lënë pushkën në një cep dhe ndan vëllazërisht me një dhi të bardhë e qimekuqe kastravecin e sillës së vet.

Çezma me ujë të shkëlqyer – Brisulla në greqisht do të thotë burim i vogël – buron prej shkëmbit që gjendet në plazh, pranë detit, dhe pikërisht aty vijnë për të mbushur ujë gratë me amfora dhe gomerët e ngarkuar me fuçi. Më pas është një qimiter turk me një minare të vogël. Me të rënë dielli, në ujërat e detit të ngjyera në trëndafili, përmbi Prevezë ngrihet një hënë e madhe e verdhë që shtron mbi sipërfaqen e ujit një rrugë të praruar. Druri i ullirit është i stërmadh dhe në distancën midis barit dhe degëve të pemës depërton një dritë akuariumi që ndriçon trungjet e ashpër e gungaç. Të gjithë këta drunj shekullorë janë mbjellë dikur nga venedikasit. Në lirishtat e largëta togje grash turke të çliruara nga vellot janë ulur në rreth dhe kuvendojnë. Korbat tufa-tufa krrokasin në qiellin që sa vjen e zbehet.

I ulur mes dy rrënjëve, me fytyrën nga deti, duke e vonuar sa më shumë të jetë e mundur parehatinë e një shtrati turk, rri e tymos dhe këqyr pasqyrën e rrumbullakët të gjirit. Mes dy trungjeve arrij të shoh ende andej vijën e plazhit grek ku, njëherë e një kohë, ngrihej Azio. Pas treten malet e Leukës. Safoja dhe Kleopatra.

“Shih gjirin e Ambrakisë ku, njëherë e një kohë një botë u bjerr për dashurinë e një gruaje, gjë e ëmbël, e njomësht… “. Por zonjëzat turke, në lirishtën aty pranë, kanë lëshuar vellot me ngut të madh. /Standard/

Lajme të ngjashme

Back to top button