I kotë modeli kur mungon vullneti politik!

Analistët vendor janë pesimist për dialogun Maqedoni-Greqi dhe mendojnë se në periudhën e ardhshme nuk do të ndodhë asgjë në këtë plan. Ata madje shprehen se mungon vullneti për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Gjatë vizitës së tij në Maqedoni, zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi këshilloi kolegët e tij se si model për arritjen e një zgjidhje mund të shërbejnë përpjekjet që bëjnë Beogradi dhe Prishtina për arritjen e marrëveshjes.

Për këtë këshillë analisti Mersel Bilalli thotë se nuk ka rëndësi modeli nëse mungon vullneti politik për zgjidhjen e një problemi, ai madje krahasoi disa situata të ngjashme në vendet e rajonit.

“Në fakt për model më së paku është problem. Së pari duhet të kemi vullnet politik që ta zgjidhni një problem pastaj vjen modeli. Sllovenia e Kroacia kishin vullnet që ta zgjidhin problemin shumë të vështirë me detin territorial dhe Gjirin e Piranit, kështu që vendosen që ajo të zgjidhët përmes arbitrazhit ndërkombëtarë, ku arbitër-gjykatës janë ekspert të shquar të së drejtës detare. Edhe te problemi Kosove-Serbi, të dy palët kanë vullnet politik që t’i zgjidhin problemet dhe ja bisedat me ndërmjetësim të përfaqësuesit të politikës së jashtme të UE”, tha për Portalb, Bilalli.

Ai shtoi se Gruevski bashkë me do persona të BDI-së qëllimisht provokuan Grekët që ata të bllokojnë dhe këta të gjuajnë në mjegull.

“Problemi këtu është se pushteti qëllimisht e pat dramatizuar çështjen e emrit që të obstruhoj proceset integruese. Para Gruevksit emri aspak nuk ishte problem. Maqedonia kalonte fazat me emrin e përkohshëm pasi ajo rrjedhte nga Marrëveshja e përkohshme në mes Greqisë dhe Maqedonisë nga viti 1995, ku Greqia obligohej të mos pengon Maqedoninë në integrimin e saj. Por Gruevski bashkë me do persona të BDI-së qëllimisht provokuan Grekët që ata të bllokojnë dhe këta të gjuajnë në mjegull. Prej këtu, sugjerimet se problemi të zgjidhet në këtë apo atë formë s’mbajnë peshë, derisa ne këtu në Maqedoni përkrahim pa kusht Gruevskin. Madje edhe sot kur ndryshohet Kushtetuta që të siguroj larjen e parave në zonat ndërkombëtare financiare”, shtoi Bilalli.

Po ashtu edhe Mirjana Malevska njohëse e çështje ndërentike dhe ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, pohoi se modeli është  shumë pak i rëndësishëm kur nuk ka vullnet politik dhe thotë se sa i përket kësaj çështjeje, nuk beson se do të gjendet një zgjidhje e shpejtë.

“Është lehtë të jepen këshilla dhe ato janë të mirëseardhura kur janë për të mirën e vendit tonë, por modeli i bisedimeve për zgjidhjen e çështjes e emrit është shumë pak i rëndësishëm, sepse te ne nuk ka vullnet politik. Vitet po kalojnë dhe asgjë nuk po ndryshon. Edhe pas intervenimeve dhe ndërmjetësimeve të shumta unë nuk shoh ndonjë zgjidhje në të ardhmen e afërt, siç e ceka edhe më herët qeveria e Maqedonisë nuk dëshiron të zgjidh këtë ­çështje sepse po të ishte e kundërta do të kishte vullnet politik”, tha për Portalb, Malevska. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button