Mijëra vetë ishin mbledhur në Mekë për varrosjen e Mbretit Abdullah

Edhe pse jetoi për pjesën më të madhe të kohës si një prej njerëzve më të pasur të historisë së njerëzimit, Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite u varros përmes një ceremonie modeste, ku morën pjesë vetëm familjarët e afërt.

I mbështjellë me një rrobë të bardhë, në fund iu vendos vetëm një gur mbi varr, duke ruajtur traditën e shkollës vehabiste të islamit sunit, që dominon Mbretërinë.

Sipas vehabistëve, vajtimet e tepruara dhe mbajtja e zisë janë të ndaluara, pasi konsiderohen mëkat dhe idhujtari.

Para varrosjes, trupi i Mbretit të ndjerë u dërgua në një xhami me ambulancën e qytetit ku klerikët myslimanë dhe qindra princa sauditë e biznesmenë miliarderë u bashkuan për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Në vend kanë mbërritur liderë të shumtë nga e gjithë bota për të nderuar Mbretin e ndjerë dhe Mbretin e ri, vëllain 79-vjeçar Selman.

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ishte ndër të parët që shkeli në Riad, ndërsa amerikanët, aleatët e ngushtë të dinastisë saudite që prej krijimit të mbretërisë, do të mbërrijnë në ditët në vazhdim me një delegacion të kryesuar nga zëvendës.presidenti Xho Bajden.

Mbreti Abdullah dhe pasuesi i tij, i kanë caktuar vetes edhe titullin e Kujdestarit të dy Xhamive të Shenjta, asaj të Mekës dhe Medinës, duke legjitimuar në një farë mënyrë sundimin e familjes së saudëve mbi pjesën më të madhe të Gadishullit Arabik.

Që nga themelimi i Mbretërisë në vitin 1932 nga Mbreti Abdulaziz Ibn Saud, të gjithë mbretërit pasues kanë qenë bijtë e tij.

Edhe Mbreti Selman, 79-vjeçar, caktoi një tjetër vëlla si princ trashëgimtar, por pas tij emëroi një prej qindra nipave për të shmangur paqartësi dhe konflikte për të ardhmen e vendit.

Në daljen e parë publike pasi mori fronin, Mbreti Selman tha se do të vazhdonte politikat e vëllait, për të mbrojtur kauzën e arabëve dhe myslimanëve në botë.

Por sfidat që e presin Mbretin e ri janë të shumta.Arabia Saudite është tej mase e shqetësuar për rrënimin e qeverisë së Jemenit, pasi rebelët mbështeten nga Irani, rivali i madh për ideologji fetare dhe dominimin në rajon.

Edhe çmimi i naftës në rënie të lirë është një tjetër problem madhor për prodhuesin më të madh të OPEC-ut, por gjendja në Siri dhe rreziku nga radikalët islamikë do të jenë sërish në epiqendër të monarkisë së re.

Lajme të ngjashme

Back to top button