Basha: Nuk ka bojkot, opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hequr çdo dyshim për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet lokale.

Basha ishte në Bruksel në takimin e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Evropiane, ku dënoi ndarjen territoriale, si një hartë elektorale në shërbim të Qeverisë dhe kundër interesave të qytetarëve.

Duke kërkuar monitorim sa më të gjerë nga partnerët evropianë për zgjedhjet e qershorit, kreu i opozitës i konsideroi zgjedhjet edhe si një referendum popullor.

“Kërkova monitorim të plotë të këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh që Qeveria Rama-Meta e ka dhënë provën e saj të përgjithshme të shitblerjes së votës në 23 qershor dhe e ka përsëritur para kamerave në zgjedhjet e Korçës. Mora garanci se jo vetëm PPE por të gjitha institucionet e BE do të jenë tërësisht të angazhuara për këtë kauzë madhore që është kauza e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri”, ka thënë Basha.

Paralelisht me çështjen e zgjedhjeve, Partia Demokratike do të trajtojë edhe atë të dekriminalizimit të Parlamentit. Një nevojë urgjente kjo sipas Bashës, i cili thotë se prova e fundit për dështimin e Qeverisë në luftën kundër krimit është laboratori i drogës në Elbasan. /TopChannel/

Lajme të ngjashme

Back to top button