Koplik, mësuesja rreh nxënësin e fillores, nisin hetimet (VIDEO)

Skenat e filmit “Lulëkuqe përmbi mure” tashmë kanë nisur që të luhen edhe në jetën e përditshme. Një video e publikuar në Facebook nga faqja “Jeta osh qef” ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve pasi shfaqet një rast i mirëfilltë dhune në ambientet e shkollës.

Një nxënës i fillores dhunohet nga mësuesja e tij në klasë disa herë radhazi dhe kjo duket qartë teksa mësuesja e godet atë vazhdimisht në kokë dhe në fytyrë.

Sipas përshkrimit që kjo faqe i bën videos së publikuar, tregon se ngjarja ka ndodhur në një shkollë 9-vjeçare në Koplik të Shkodrës.Ende nuk dihen motivet e kësaj dhune apo arsye pse mësuesja qëllon nxënësin teksa një veprim të tillë e ka të ndaluar. Në video nuk përcaktohet koha se kur është xhiruar kjo shfaqje e dhunës nga mësuesja ndaj nxënësit, por kuptohet qartë që i përket një periudhe të dimrit pasi në pamje si mësuesja dhe nxënësit janë të veshur me xhupa.

Policia e Shtetit nis hetimin
Të kontaktuar nga A1Report Policia e Shtetit thotë se ka nisur hetimet për ngjarjen paçka se nuk ka pasur një denoncim nga nxënësi apo prindërit, por hetimi kryesisht i ngjarjes do të zbardhë dhe përgjegjësit e ushtrimit të dhunës ndaj një të mituri.

Po ashtu bëri me dije zyra e shtypit pranë Policisë, pas zbardhjes së hetimeve, rasti në fjalë do t’i referohet Ministrisë së Arsimit për masat administrative.

Ndërkohë që komentues të shumtë kanë reaguar në lidhje me këtë video duke dënuar veprimin e mësueses dhe duke kërkuar që ky rast të denoncohet dhe për të të merren masa./Shqiptarja

Lajme të ngjashme

Back to top button