Brenda 6 muajve qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë do të lëvizin me letër njoftimi

Ministri i brendshëm i Kosovës Skender Hyseni në takimin e sotëm me kolegen e tij Gordana Jankullovska u shprehën optimist se brenda gjashtë muajve qytetarët e dyja vendeve mund të udhëtojnë vetëm me letër njoftimi.

“Unë shpresoj që dita kur qytetarët e të dyja vendeve do të udhëtojnë jo vetëm pa pasaporta por edhe pa letërnjoftime në të dyja drejtimet nuk është larg. Ajo ditë është kur të dyja vendet tona do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Natyrisht edhe para se të futemi në BE ne duhet të shënojmë në shkallë rajoni në Ballkanin Perëndimor një zonë unikale doganore”, tha Skender Hyseni, Ministër i brendshëm i Kosovës.

Ndërkaq përpara anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Maqedonia dhe Kosova duhet të arrijnë marrëveshje për lëvizjen e qytetarëve mes dy vendeve me letërnjoftime. Ashtu sikurse ministrat e jashtëm, sot edhe ministrat e brendshëm theksuan se kjo marrëveshje pritet të miratohet në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

“Unë shpresoj se këtë marrëveshje mund ta kemi gati më e largëta deri te takimi mes dy qeverive që parashihet të ndodh në pjesën e parë të këtij viti”, u shpreh Skender Hyseni, Ministër i brendshëm i Kosovës.

“Ekipet teknike tashmë po diskutojnë para-kushtet teknike që duhet t’i përmbushin të dyja palët, pas përfundimit të këtyre bisedave në një rast të përshtatshëm edhe ne presim që të firmoset marrëveshja”, u shpreh Gordana Jankullovska, Ministre e brendshme e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button