Shlyhen 7 milionë euro borxh, pjesa më e madhe fatura për energji elektrike

Gjithsej 427 milionë denarë apo mbi shtatë milionë euro është shuma e borxheve të shlyera deri më tani. Janë realizuar 4.670 kërkesa prej të cilave mbi 90 për qind e personave pranues të asistencës sociale. Siç deklaroi sot në konferencë për shtyp zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave, Zoran Stavreski, pjesa më e madhe e borxheve janë fatura për energji elektrike, radiodifuzion, ngrohje dhe borxhe ndaj bankës.

“Realizimi i deritanishëm i projektit po zhvillohet mirë, është arritur progres i mirë, të gjitha kërkesat të cilat kanë mbërritur deri te Komisioni janë përpunuar me përjashtim të 2.700 kërkesave të cilat nuk ishin të kompletuara dhe për të cilat është kërkuar nga aplikuesit që t’i kompletojnë”, theksoi Stavreski.

Projekti, shtoi, është shumë i ndërlikuar, ka dokumentacion voluminoz që duhet kontrolluar, veçanërisht pasi disa lëndë të obligatorëve nuk përputhen me ato të kreditorëve dhe prandaj do të zgjasë për disa muaj.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov theksoi se Qeveria po bën angazhime maksimale që t’ju ndihmojë qytetarëve më të rrezikuar. Deri më tani për shlyerjen e borxheve janë shtruar gjithsej 41.765 kërkesa, ndërsa për zgjidhjen e tyre janë formuar tre komisione dhe shërbim i veçantë për teknikë.

Numri më i madh i vendimeve të marra, 895 si dhe shuma e borxhit të shlyer 155,7 milionë denarë janë nga Shkupi.

Lajme të ngjashme

Back to top button