RDK: Qeveria duhet të pranojë kërkesat e punonjësve arsimor

Rilindja Demokratike Kombëtare përkrah fuqishëm grevën e punonjësve arsimor në shkollat fillore dhe të mesme që organizohet nga ana e Sindikatës Arsimor për Shkencë dhe Kulturë (SASHK). Nëpërmes kësaj përkrahje publike RDK bënë publike qëndrimet e saja politike se greva është metoda e fundit që kishin në deponim arsimtarët për të manifestuar pakënaqësinë me politikat ndëshkuese dhe degraduese që Ministria e Arsimit dhe qeveria e vendit zbatojnë ndaj arsimit në vend.

Kërkesat e punëtorëve për rritje të pagave është në tërësi në harmoni me marrëveshjen kolektive, dokument ky i harmonizuar pas negociatave të gjata në mes të Sindikatës dhe Ministrisë së Arsimit dhe që janë obligative për tu zbatuar nga qeveria e vendit. Është kjo qeveri që mban përgjegjësinë për mos rritjen e pagave të arsimtarëve për 10% para dy vitesh, pasojë kjo që me të drejtë efektuoi në vitin 2015 kërkesën për rritjen e pagës për 25% si pasojë e rritjes së çmimeve dhe uljes drastike të fuqisë blerëse të pagës së punonjësve të arsimit në vazhdimësi.

Kërkesa e sindikatës të arsimit që lidhet me eliminimin e masave ndëshkimore si pasojë e zbatimit të testimit ekstern, testim ky sa konjuktural aq edhe joprofesional dhe që në esencë nënvlerëson punën njëvjeçare të arsimtarëve dhe të nxënësve është kërkesë për kthimin e dinjitetit dhe krenarisë së arsimtarëve. Se sa janë të paqëndrueshme kuazi reformat në arsimin fillor dhe të mesëm argumenton edhe fakti se përkundër faktit që mbahet ditari elektronik obligohen arsimtarët të mbajnë edhe ditarin e shkruar manuelisht, fakt ky që punëtorët e arsimit i ka shndërruar në administrator me orarë pune pa kufi duke i larguar nga misioni i shenjtë i mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Shprehja e pakënaqësisë dhe manifestimi i kërkesave nëpërmjet grevës është e drejtë e garantuar me konventat ndërkombëtare të së drejtës së lirisë së shprehjes dhe të drejtës së punës, dhe sot në Maqedoni kjo e drejtë kërcënohet në mënyrë të paturpshme nga pushteti BDI-VMRO dhe nga inspektorët e shumtë të kësaj qeverie.

Rilindja Demokratike Kombëtare rekomandon Sindikatën e arsimit dhe punonjësit e arsimit që të qëndrojnë stoikisht në kërkesat e tyre të drejta dhe se si model tu shërbejnë protestat e gazetarëve që së fundi efektuan lirimin e një gazetari që padrejtësisht u dënua me vendim politik nga gjykata politike e kësaj qeverie. Bazuar në argumentet e mësipërme, RDK është e bindur se rrugëdalja e vetme nga kjo situatë tepër e rëndë në të cilën ndodhet arsimi publik, arsimtarët dhe nxënësit është pranimi pa kusht i kërkesave të arsimtarëve si parakusht për ndërprerjen e grevës dhe rikthimin e procesit të arsimit në binarët normal.

Lajme të ngjashme

Back to top button