USHT nënshkruan marrëveshje me kompaninë Ecolog

Universiteti Shtetëror i Tetovës, në vazhdën e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe me sektorin afarist privat, gjatë ditës së sotme nënshkroi Marrëveshje për bashkëpunim me Kompaninë me renome botërore “Ecolog internacional”. 

Në praninë e bashkëpunëtorëve të tyre më të afërt, Marrëveshjen për bashkëpunim e nënshkruan Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Presidenti i Kompanisë “Ecolog internacional”, z. Lazim Destani.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, theksoi se marrëveshja parashikon një ”koordinim të plotë të institucioneve tona drejt zhvillimit dhe ofrimit të shërbimeve specifike arsimore për tregun lokal, për programet e arsimit të lartë, që do t’u përgjigjen nevojave të punëdhënësve vendorë dhe ndërkombëtarë dhe do të jenë në përputhje me trendet bashkëkohore të tregut të punës”.

Me Marrëveshjen për bashkëpunim në mes USHT-së dhe Kompanisë “Ecolog International”, në mes tjerash theksohen qëllimet e përbashkëta të të dyja palëve dhe vizionin e avancimit të shkollimit të lartë dhe zhvillimit të forcës punëtore në vend.  

Marrëveshja për bashkëpunim në mes USHT-së dhe Kompanisë “Ecolog International”,  thekson në veçanti partneritetin e USHT dhe Kompanisë “Ecolog Internacional” dhe realizimin e programeve që u përgjigjen nevojave të biznesit, e që kanë të bëjnë njëkohësisht me zhvillimin e disiplinave që deri më tash janë zhvilluar pak, si ajo e sportit, po ashtu edhe ajo e fushës së inxhinierisë, të cilat do të korrespondojnë me trendet e industrisë, tregut të punës dhe do t’i përgjigjen jo vetëm nevojave të Ecologut, por edhe të punëdhënësve tjerë lokal dhe ndërkombëtarë. 

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunim në mes USHT-së dhe Kompanisë “Ecolog International”, drejtuesit e këtyre institucioneve, Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Presidenti i Kompanisë “Ecolog International”, z. Lazim Destani, të shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tyre, vizituan varrin e themeluesit dhe Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, ku bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule.

Deklarata e plotë e Rektorit të USHT-së

“Sot, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Kompania me renome ndërkombëtare Ekolog , nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi të ndërsjellë, e cila marrëveshje parashikon një koordinim të plotë të institucioneve tona drejt zhvillimit dhe ofrimit të shërbimeve specifike arsimore për tregun lokal për programet e arsimit të lartë, që do t’u përgjigjen nevojave të punëdhënësve vendorë dhe ndërkombëtarë dhe do të jenë në përputhje me trendet bashkëkohore të tregut të punës.

Marrëveshja e sotme, në të ardhmen, do të mundësojë, që palët nënshkruese do të bashkëpunojnë në fushën e biznesit, arsimit, kulturës, sportit dhe fushave të tjera me interes.

 

Bashkëpunimi në fushën e kuadrove profesionale, me një theks të veçantë në fushën e programeve teknike dhe inxhinierike, konsiston në atë që USHT-ja dhe Ecolog-u do të hartojnë programe specifike për arsimin profesional, në përputhje me nevojat dhe standardet e kompanisë dhe tregut ku ajo vepron.

-Bashkëpunimi ndër-institucional konsiston në rritjen e kapaciteteve për Akademinë e Sportit – arsimit dhe trajnimit sportiv të gjeneratave të reja, me një theks të veçantë në disiplinën e futbollit. Universiteti Shtetëror i Tetovës, drejtpërdrejt ose nëpërmjet Fakultetit të Kulturës Fizike do t’i ofrojë burimet e veta të duhura, programet dhe kurrikulat, infrastrukturën, kuadrin profesional dhe laboratorët kërkimorë-shkencorë.

-Gjithashtu, Klubi futbollistik ‘Shkëndija’ do të merr pjesë në rritjen e burimeve aktuale dhe, në veçanti, do të krijojë mundësi për të projektuar “studim të rastit” për punën praktike të studentëve.

-Sa i përket partneritetit të qëndrueshëm publiko-privat, të dyja palët do të zbatojnë zgjidhje optimale për zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës, me fokus në disiplinën e futbollit. Projektimi, inxhinierimi dhe implementimi i fushave të trajnimit, edukimit dhe, madje edhe vendosja në kampus, do të jetë prioritet i palëve. Në një fazë të mëvonshme, pjesë e kësaj marrëveshjeje mund të jenë edhe institucionet dhe subjektet e tjera me interes publik dhe privat.

Objektivi i qëndrueshëm afatgjatë strategjik është që të shfrytëzohen të gjitha strukturat, me synimin për ta bërë atë një qendër sportive rajonale dhe me karakter kombëtar, ku do të ofrohen shërbime të veçanta për tregun rajonal (Kosovë, Shqipëri dhe vende të tjera, si p.sh. laboratorë matës, certifikata për programe të caktuara, etj.).

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, për Universitetin Shtetëror të Tetovës ka vlerë të veçantë, sepse presidenti i Kompanisë Ekolog, z. Lazim Destani, ka dhënë kontribut të çmuar për ngritjen e këtij institucioni dhe arsimit shqip në përgjithësi.

Prandaj, unë gjej rastin, që në emër të Universitetit  Shtetëror të Tetovës t’i shpreh, z. Lazim Destanit, mirënjohjen tonë dhe falënderimet më të sinqerta për ndihmën e rëndësishme, në momentet e vështira për Universitetin e Tetovës”, ka thënë në fjalën e tij Rektori Vullnet Ameti.

Deklarata e plotë e Presidentit të Ecolog-ut, z. Lazim Destani

“Kam kënaqësinë e veçantë që sot jam këtu në këto ambiente të bukura universitare për të nënshkruar Marrëveshjen e bashkëpunimit mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Grupacionit ,,Ecolog”. 

Fillimisht do të doja që të gjithë studentëve, pedagogëve dhe drejtuesve të këtij universiteti t’ua uroj vitin e ri akademik 2013/2014, ndërsa juve, z. Vullnet Ameti, jua uroj zgjedhjen në postin e rektorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Ju uroj t’i prini ashtu si që e keni filluar, me shumë seriozitet dhe pozitivitet!

USHT, si një qendër edukimi e lindur dhe e rritur në rrethana shumë të vështira për të gjithë, ka arritur të konkurrojë me universitetet tjera të rajonit e më gjerë. Unë gëzohem sepse që nga hapat e parë të këtij tempulli diturie, kam arritur sadopak të jap kontribut për këtë zhvillim. Grupacioni ‘Ecolog’ dhe USHT kanë hapësira të gjëra bashkëpunimi në fushën e biznesit, arsimit, kulturës, sportit si dhe në sfera të tjera të interesit reciprok.

Që nga koha kur u themelua ‘Ecologu’, inxhinieria ka qenë një komponentë thelbësore për zhvillim dhe sukses të biznesit të kompanisë. Në lidhje me angazhimin tonë për të ndërtuar urë midis sistemit edukativ dhe biznesit, ne menduam se do të ishte një mundësi e shkëlqyer të ndërtojmë një partneritet në fushën e inxhinierisë me universitetin tuaj të mirënjohur, për çka kohëve në vijim do të dizajnohen programe specifike për edukim profesional sipas nevojave specifike dhe standardeve të kompanisë dhe tregut ku ajo operon.

Një hap konkret i bashkëpunimit tonë ndër-institucional është ngritja e kapaciteteve për programin e Akademisë së sporteve, e dobishme për arsimin dhe trajnimin sportiv të gjeneratave të reja, me theks të veçantë në disiplinën e futbollit. Në këtë drejtim, të dy entitetet tona, do të vënë në dispozicion të këtij qëllimi të gjitha kapacitetet e mundshme. 

Vullneti i rinisë dhe studentëve tanë, dëshira e tyre për edukim dhe përparim na bën ne më të fortë dhe të qëndrueshëm në realizimin e projekteve tona në rajon. Unë shpresoj dhe besoj se marrëveshja e sotme do të arrijë të jetë shumë pozitive dhe interesante për studentët, subjektet tona dhe rajonin në përgjithësi”, ka deklaruar z. Destani.

Lajme të ngjashme

Back to top button