Pas sulmeve, Franca do të rrisë me 400 milionë euro shpenzimet për sigurinë kombëtare

Pas sulmeve të fundit në Paris, që shkaktuan vdekjen e 17 personave, e përditshmja franceze “Les Echos”(Jehona), raporton se qeveria franceze pritet të shpallë planet e reja të sigurisë kombëtare, që do të kushtojnë afro 400 milionë euro. Kryeministri francez Manuel Vals, u tha gazetarëve javën e kaluar, se qeveria e tij ishte duke diskutuar një “përgjigje të jashtëzakonshme” pas serisë së sulmeve islamike në Francë, duke nxitur spekullimet se nëse ndahen më shumë fonde për sigurinë kombëtare, ai mund të heqë dorë nga plani ekonomik 3-vjeçar, për reduktimin e defiçitit buxhetor.

Që prej sulmit ndaj zyrave të revistës satirike “Charlie Hebdo” dhe supermarketit hebre 2 javë më parë, Franca është në gatishmëri të lartë kundër sulmeve të tjera terroriste, dhe policia e xhandarmëria kanë shtuar praninë e tyre në rrugët e qyteteve franceze.

Sipas gazetës “Les Echos”, Ministria e Brendshme, e Drejtësisë dhe ajo e Mbrojtjes, janë në mesin e organeve qeveritare që kanë kërkuar fonde shtesë, në një shumë të përgjithshme prej 400 milionë eurosh, që do të merret nga buxheti kombëtar e do të shpërndahet ndërmjet tyre, për të ndihmuar në përballimin e kostove për masat e shtuara të sigurisë.

Nga ky fond, do të përfitojnë të autoritetet kryesore të sigurisë, policia dhe dhe xhandarmëria. Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Policëve Francezë (UNSA), Filip Kapon, shpreh besimin se tashmë qeveria do të bjerë dakord të japë më shumë fonde në drejtim të zbatimit të forcimit të shtetit ligjor në vend, duke plotesuar kërkesat e policisë për më shumë pajisje dhe më shumë staf, çka kërkon edhe një mbështetje financiare në rritje. “Ministri i Punëve të Brendshme ka rënë dakord me direktivat e dhëna nga kryeministri dhe presidenti”-tha Kapon, kur u pyet për shpalljen e afërt të planeve të reja të sigurisë. “Ata duhet të na lejojnë që të kemi ato lloj armësh, me të cilat mund të neutralizojmë terroristët”- theksoi më tej Kapon, duke argumentuar se Sigu-ja, pistoleta gjysmë-automatike që policia përdor aktualisht, nuk i shërben më këtij qëllimi.

Sipas “Les Echos”, policia po kërkon ndërkaq shtim fondesh, për të rritur furnizimin me jelekë antiplumb për zyrtarët në detyrë e gjithashtu edhe armë zjarri më të fuqishme. Pasi zyrtarët e vetëm që kanë mbajtur pushkë, gjatë patrullimeve në rrugët e qyteteve franceze që prej Krishtlindjeve, janë të gjithë anëtarë të xhandarmërisë dhe jo policisë.

Xhandarmëria është nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe zakonisht thirret nga policia e qyteteve në rrethana të veçanta, sikurse janë trazirat apo për ngjarje të tjera të rënda që forcat e policisë nuk i përballojnë dot, edhe për shkak se kjo e fundit që vepron nën “ombrellën” e Ministrisë së Punëve të Brendshme është e armatosur lehtë.
Ndërkohë edhe xhandarmëria po kërkon gjithashtu ndihmë shtesë financiare, për të rritur numrin e rekrutimeve, në një përpjekje për të ndryshuar tendecën e viteve të fundit, kur kjo forcë është reduktuar me rreth 12 mijë oficerë nga vitet 2007-2012.

Pas raportimeve të “Les Echos”, e përditshmja tjetër franceze “Le Figaro”, duke cituar një burim të brendshëm pranë qeverinë, vlerësoi se shuma e shtuar e shpenzimeve për masat e reja të sigurisë, do të mund të shkojë deri në 500 milionë euro.

Duke iu referuar zërave, se qeveria franceze me të vërtetë do të investojë këto qindra milionë euro për forcimin e sigurisë kombëtare, Stefan Lë Fol, një zëdhënës i qeverisë, deklaroi për gazetën franceze “La Tribune” se çfarëdolloj shume që do të investohet për rritjen e sigurisë kombëtare “do të jetë brenda planit ekonomik 3-vjeçar”./Newsweek/

Lajme të ngjashme

Back to top button