Ngjela thumbon Ramën dhe Metën për 21 Janarin

Spartak Ngjela ka përveshur mëngët dhe i është sulur kryeministrit Rama në lidhje me 21 Janarin. Sipas tij, Rama dje bëri viktimën, ndërsa nuk ka lënë pas edhe Ilir Metën. Duke i cilësuar si paradokse, Ngjela parashtron shumë pyetje në shkrimin e radhës që ka postuar në Facebook.

“Edhe një paradoks tjetër
Filozofia e pas 21 Janarit të vitit 2011 ka qënë kjo: To turn albanians VICTimization into VICTory… domethënë -të kthejme Viktimizimin e shqiptarëve në Fitore.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Dje i pashë viktimat e 21 Janarit sërish viktima; kurse inkuzitorin e tyre, Meta, e pashë të takohej me kryeministrin e Maqedonisë.

Mos u mërzitni: ky është një paradoks shqiptar; sepse këta injorantë që drejtojnë me ligësi në Shqipëri në 100 vjet, kanë ecur gjithmonë mes paradoksesh.

Kur do të shpëtojmë nga këto paradokse? Kur të shpëtojmë nga injorantët që me ligësi drejtojnë Shqipërinë në 100 vjet.

Kryeministri shqiptar dje, në përkujtimin e të vrarëve të 21 janarit, luante rolin e viktimës, kurse familjarët e të vrarëve nuk e kuptonin dot se çfarë i duhet kryeministrit shqiptar për t’i ikur ajo “mërzitje aq e madhe” për të rënët e 21 Janarit.

Mos ndoshta, për çudi, po kërkon edhe ky të bëhet mbret? Po pse, a nuk ishte i mërzitur, në rol, inkuzitori Berisha sa herë që përkujtonte viktimat e komunizmit, disa prej të cilëve i kishte denoncuar vetë? Nuk ishte edhe ky një paradoks si ky i sotmi?

Eh, sa ka të tillë!…Pse, a nuk qante Enver Hoxha për heronjtë e popullit që i kishte vrarë vetë, me urdhër, prapa koke nëpër prita? Asnjëherë nuk e pranoi familja e Qemal Stafës për vizitë Enver Hoxhën, por Hoxha vijonte të qante e të qante “për Qemalë”.

Por tani, në janarin e këtij viti, e rëndësishme është thirrja: Shpëtoni kryeministrin e sotëm shqiptar nga viktimizimi i tij për shkak të 21 janarit, se po e ndien shumë rëndë! E dini pse?

Sepse, vitin tjetër mund të shihni që për viktimat e 21 janarit, “të qajë” në rol dhe vetë inkuzitori Meta; pavarësisht se familjet e të vrarëve kurrë nuk do ta pranojnë për vizitë në shtëpitë e tyre, edhe pse këtë mund t’ua kërkojë vetë kryeministri Rama.

Mos u mërzitni shumë, sepse këto janë paradokset e qeverisjeve tona heroike në këta 100 vjet –gjithmonë injorancë dhe ligësi…”. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button