Strugë, heqja e objekteve të përkohshme përkrahet nga Gjykata kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, në seancën e datës 17 Djetor 2014, me vendimin me numër 109/2014, iu dha fund shantazheve dhe bllokimit që iu bë Komunës së Strugës në lidhje me heqjen e objekteve të përkohshme dhe pajisjeve urbane, e gjithë kjo si pasojë e obstruksioneve nga ana e institucioneve të pushtetit qendror.

Në Komunën e Strugës, sot ka ardhur vendimi zyrtar nga Gjykata Kushtetuese sipas të cilit Vendimi i këshillit të Komunës së Strugës, për mënjanimin e objekteve të përkohshme dhe pajisjeve urbane në territorin e komunës, shpallet i vlefshëm dhe se nuk mund të vihet në dyshim kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e tij.

E gjithë ngatërresa në lidhje me vendimin në fjalë filloi kur Inspektorati për Vetëqeverisje Lokale, institucion i koalicionit qeveritar BDI-VMRO, e kontestoi vendimin e këshillit të komunës së Strugës për heqjen e pajisjeve urbane dhe objekteve të përkohshme, me çka u luajt një ping-pong i paprecedentë institucional, ku vendime të palogjikshme sollën Gjykata Themelore e Strugës, ajo e Apelit në Manastir dhe jashtë çdo norme ligjore Gjykata Administrative pranonte ankesa edhe pas skadimit të afatit ligjor prej 30 ditëve. ( ankesat janë pranuar pas 13 ditëve)

Gjithë kësaj amullie i kontribuoi edhe Avokati i Popullit në Strugë, i cili po ashtu luante lojën e njëjtë si institucionet e mësipërme.

Komuna e Strugës përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin e drejta vihet në vend, si dhe njofton opinionin e gjere se aksioni në fjalë do të vazhdojë me këmbëngulësi, ashtu si në ditën e parë.
Njëkohësisht u bëjmë apel të gjithë pronarëve të këtyre pajisjeve urbane dhe objekteve të përkohshme, që në mënyrë vullnetare t’i mënjanojnë ato, me qëllim që ti shmangen pagesave ndaj kontraktorit.

Lajme të ngjashme

Back to top button