Pa titull !!!

Nuk befasohemi më nga asgjë! Në të vërtetë mund të na befasoj vetëm nëse nga ndonjë eventualitet apo rastësi këta njerëz që na përfaqësojnë bëjnë diç të mirë. Atëherë duhet të pyesim se ku paskan gabuar, pasi ky lloj vetëm për nga gabimi mund të bëjë diçka që ngjason në të mirë. Por, në kushte normale nuk duhet të presim madje as të ëndërrojmë një gjë të tillë. Këta pazarin politik e kanë tejet të ulët, të mos themi se aspak nuk hynë në indeksin e matjes.. Kjo do të jetë ndonjë magji e zezë e panjohur deri tani në rruzullin tokësor ! Magji që të detyron ta mashtrosh popullin tënd  për hir të palës tjetër.

Për çdo ditë jemi dëshmitarë të sjelljes së çfarëdo ligjeve absurde, të përcjella me presione me të vetmin qëllim që të gjithëve t’ua vënë prangat e t’ua mbyllin gojën. Çdo ditë ministra e kryeministra padisin dikë për fjalë të vërteta. Çdo ditë dënime e frikësime. Çdo ditë njerëzit jetojnë  në hamulli e paqartësi për atë se çka mund tu ndodhë. Kurse ne presim duke mashtruar  veten se ndoshta ngihen me punë të këqija  e na lejnë të qetë. Sa herë që mendojmë se tashmë këta udhëheqësit tanë kanë prekur plafonin e marrëzirave apo dyshemenë e vetëposhtërimit, këta njerëz pafundësisht na befasojnë në të keqen dhe në sasinë e turpit që tani aq shumë rrezaton mbi ne. Fytyrat e tyre tani më kanë fituar shumë ngjyra, por assesi edhe atë të bardhën.

Ta votosh si ministër shqiptar luanin e Nikollës që me vite shkëlqente në dimensione marramendëse në sheshe përderisa me të vërtetë duhet t’i kesh ndonjë borxh të madh shefit kur nënshtrohesh dhe poshtërohesh deri në këtë  nivel!  Borxh që ndoshta është edhe më i madh se sa jeta dhe perspektiva popullit që i takon. Atij populli që të besoj dhe tani mallkon veten, pasi është sjellë në pozitë të mjerë. Populli është trishtuar nga ajo se si qenka e mundur të mashtrohet deri  në atë nivel sa të zgjedhë ministra resorësh të ndryshëm, zbatues  e integrues të asgjëje, që varrosin atë ! Që vite ma radhë janë duke shkruar një histori me germa të nëmura.

A thua vallë kjo është si pasojë e “Cherophobisë” së tyre, që nënkupton frikën e tyre nga humbja e pozitave nëpër kolltuqe? Me siguri se janë të vetëdijshëm se mund tu  kanoset  me përballja me drejtësinë, pasi për moral as që u bëhet vonë.

Koha është që t’i thejmë prangat. Ta mundim frikën, pasi e vërteta dhe drejtësia na troket në derë. S’ka më vend për indiferencë. Lufta për shpëtimin e vetvetes është duke fituar në intensitet. Askush nuk mund ta pengon diellin të lind. E nëse e bënë këtë vet do të perëndoj.

Duke u orvatur që ta emërtoj me një titull këtë shkrim, nuk munda që të gjejë diçka më adekuate, andaj pas bindjes se për dikë do të ishte paradoks, për dikë katrahure, për dikë non sens, andaj atë  që u tha : “ua lë që ta pagëzoni “ vet!

Lajme të ngjashme

Back to top button