Shqiptari i mbijetuar i ‘Norman Atlantic’: Ju tregoj tmerret që mendja nuk mund t’i imagjinojë

“Pashë njerëz që fluturonin nga anija dhe kufomat e tyre dilnin nga deti vetëm pas dy ditësh. Shihja fëmijë që u thoshin nënave të tyre që të vdisnin së bashku. Vuajta nga etja, i ftohti dhe asfiksia. Disa vdiqën gjatë operacionit të shpëtimit”,- janë tmerret që 54-vjeçari,  Xhorxhi Parangoni ka treguar për gazetën ‘Shqip’, gjatë udhëtimit të tij në anijen “Norman Atlantic’, e cila u përfshi nga zjarri 28 dhjetorin e 2014. Gjumi për të mbijetuarin është kthyer në një ankth. Sapo mbyll sytë, përpara i dalin skenat e frikshme. Mendja është shumë e çoroditur. Kërkon që në një fragment sekondash, t’ia rikujtojë edhe një herë tmerret e përjetuara. Pamjet horror shoqërohen nga zëra që kërkojnë ndihmë për mbijetesë dhe zëra që shuhen së bashku me jetën. Disa ia dalin, e disa të tjerë përfundojnë kufoma në det. “Do të kisha preferuar më mirë që të kisha humbur jetën, njësoj si të tjerët. Ato që kam përjetuar në anije, mendja e njeriut nuk mund t’i parashikonte kurrë”,-tregon Parangoni. Gjatë intervistës së dhënë, ai tregon me detaje gjithçka ka ndodhur. Zjarri masiv, i ftohti, asfiksia, etja dhe presioni i ujit nga grupet e shpëtimit  të cilët tentonin lokalizimin e flokëve, ishin sfidat që pasagjerët e anijes duhet të përballonin. 54-vjeçari thotë se ishte nisur nga Patra drejt Italisë për të fejuar djalin. Anija ‘Norman Atlantic’, u përfshi nga flakët më 28 dhjetor  2014  dhe në bordin e saj ishin rreth 470 persona. Deri më tani thuhet se numri i të vdekurve ka shkuar në 11, ndërsa disa prej tyre vijojnë të jenë të zhdukur.

Ju jeni një nga pasagjerët e anijes ‘Norman Atlantic’. Ku do të shkonit atë ditë?

Unë kam djalin në Itali dhe ai do të fejohej. Do nisesha për një gëzim të bukur familjar, por nuk ndodhi kështu. Nga ato që kam parë, nuk arrij që të fle gjumë. Dëgjoj zërat e fëmijëve që thërrasin për shpëtim apo që u thoshin nënave të tyre që të vdisnin së bashku. Atë ditë u nisa nga Patra e Greqisë për në Itali. Fillimisht çdo gjë u duk normale. Udhëtimi ishte pa probleme. Pas një ore udhëtim dëgjova ca zëra që thoshin se po binte zjarr. Në këto  momente të gjithë dolëm jashtë për të parë se çfarë kishte ngjarë, por nuk e morëm seriozisht alarmin. Menduam se bëhej fjalë për një shaka, por për 10 minuta flakët në anije shkuan deri në 50 metra. pas kësaj, u përhap paniku. Nuk  dinim se çfarë të bënim, nga t’ia mbanim. Nga ana tjetër në det kishte stuhi të fuqishme. Njërit nisën të hidheshin në varkat e shpëtimit, por prej erës së fuqishme ato lëviznin dhe i hidhnin njerëzit sa endje –këndej.

Çfarë pe në atë anije?

Gjithçka të tmerrshme që mund të shohë apo përjetojë një njeri. Dëgjoja njerëz që i thonin njëri-tjetrit që të qëndronin bashkë për të vdekur po bashkë. Pashë trupa që fluturonin nga anija dhe një pjesë e tyre nuk shpëtuan dot, një pjesë po. Pashë një  grua e cila po tentonte të shpëtonte veten duke u hedhur në varkat e shpëtimit dhe prej dallgëve të fuqishme ato lëviznin. Gruaja ra në det dhe gjeti vdekjen. E nxorën grupet e shpëtimit pas ditësh qëndrimi në det. Pashë edhe një tjetër që më shumë ngjante si i vdekur se sa i gjallë. Nuk di të them nëse shpëtoi apo jo. Nuk është se ne kuptonim shumë se çfarë po ndodhte përqark. Qëllimi ynë ishte që të shpëtonim veten. Një tjetër faktor që na i shtonte edhe më shumë vuajtjet ishin flakët e zjarrit në anije.

Përse?

Atë ditë frynë shumë erë. Tymi kthehej pas dhe na shkaktonte probleme në rrugët e frymëmarrjes.

Pati të asfiksuar?

Po, pati në shumë raste. Tymi na bllokonte rrugët e frymëmarrjes. Kemi përjetuar tmerre që as në ëndërr nuk i kemi parë. Asfiksoheshim, e merrnim veten sërish dhe sërish asfiksoheshim.

Kur shikonit njerëz që humbnin jetën, çfarë përjetonit?

E vetmja gjë që na vinte në mendje  ishte që edhe në të njëjtin fat do të kishim, por përveç tymit të shkaktuar nga flakët gjigande të zjarrit, grupi që punonte për shuarjen e tij, hidhte nga lartësia ujë me presion të fuqishëm. Kur ata lëshonin zjarrin, nuk pyesnin se jeta jonë mund të viheshe në rrezik. Presioni i tij na rrezikonte jetën. Shumë prej pasagjerëve përfunduan drejtë e në det.

Si vepruat në ato momente?

Kur shihnim se si njerëzit fluturonin në det,  e vetmja gjë që mund të bënim, ishte që të mbaheshim pas njëri-tjetrit. Njërit u formuan në grupe të mëdha, për t’i shpëtuar presionit të ujit. Ai që binte në det, nuk kishte më shpëtim. Kjo ishte e sigurt se dallgët e detit kapnin një lartësi prej 10-12 metra. Ndërkaq nga ana tjetër binin flokë dëbore dhe ishte shumë ftohtë. Në atë udhëtim u mblodhën të gjitha të këqijat së bashku.

Sa kohë qëndruat në anije?

Dënimi më i madh i të gjithë kësaj tragjedie ishte se na lanë në anije tre ditë. Prej stuhisë në det, grupet e shpëtimit nuk mund të afroheshin dot për të na shpëtuar. Gjatë gjithë këtyre ditëve kemi përjetuar tmerre që nuk harrohen kurrë. Për mua do ishte e mira që të isha hedhur e të shpëtoja. Tentova që të hidhesha nga anija por nuk më lanë. Nuk merrja dot frymë. Përveç tmerreve që po na shikonin sytë, nuk kishim mundësi që të pinim ujë.  Për tre ditë nuk vumë në buzë as një pik uji,u dogjëm nga etja.

Po për të ngrënë kishte?

Kush po pyeste për të ngrënë. Një pikë uji donim, sa për të larguar etjen, asgjë tjetër.

Si shpëtuat?

Pas tre ditësh na shpëtuan forcat italiane. Fillimisht na dërguan në një anije luftarake, ku na mbajtën 24 orë. Na dhanë ndihmën e nevojshme. Unë isha nga të fundit që ika. Fillimisht u larguan fëmijët, pastaj gratë shtatzëna, e pleqtë. Por kishte nga ato raste ku shumë prej burrave nuk lejonin që në anijet e shpëtimit të hipnin të vegjlit. Ajo ishte një gjë e tmerrshme. E vetmja gjë e rëndësishme për ata ishte që të shpëtonin veten. Nuk pyesnin për atë që kishin përreth.(Gazeta-Shqip.com)

Lajme të ngjashme

Back to top button