SHBA-Kubë, nisin bisedimet historike për rikthimin e marrëdhënieve diplomatike

Një delegacion i nivelit më të lartë amerikan në 35 vitet e fundit, ndodhet në Kubë ku këtë të premte ka nisur bisedimet për të rikthyer marrëdhëniet diplomatike dhe për të rihapur eventualisht marrëdhëniet e plota tregtare dhe ato të udhëtimit të lirë, mes dy vendeve kundërshtare që prej armiqësive të Luftës së Ftohtë.

Takimet dyditore janë të parat që kur Presidenti amerikan Barack Obama dhe homologu kubanez, Raul Castro, njoftuan më 17 dhjetor se kishin arritur një marrëveshje historike pas 18 muajsh negociatash sekrete.

Obama i ka vendosur Shtetet e Bashkuara drejt një kursi të ri, që do të synojë heqjen e sanksioneve ekonomike dhe embargon 53-vjeçare të tregtisë ndaj shtetit komunist ishullor.

“Po i japim fund një politike, data e skadencës e së cilës ka kohë që ka kaluar. Nëse ajo që ishim duke bërë për 50 vjet nuk funksionoi, atëherë ka ardhur koha për t’u përpjekur për një politikë të re”, tha ai përpara Kongresit në fjalimin e përvitshëm “State of the Union”, gjatë së martës.

Ai nxiti gjithashtu Kongresin të nisë punimet për t’i dhënë fund embargos, por zërat kritikë ndaj tij thonë se Obama duhet të sigurojë fillimisht lëshimet e qeverisë komuniste të Kubës për të burgosurit politikë dhe të drejtat demokratike; për pretendimet e shtetasve amerikanë, pronat e të cilëve u shtetëzuan pas revolucionit kubanez të vitit 1959; si dhe për të arratisurit nga Shtetet e Bashkuara, që kanë përfituar azil në Kubë.

“Pas 5 dekadave të një regjimi njëpartiak dhe autoritar, ne duhet të pranojmë se Castrot kurrë nuk do të pushojnë së ndaluri kontrollin e rreptë mbi Kubën, për sa kohë që nuk do të jenë të detyruar ta bëjnë këtë”, tha senatori demokrat i Nju Xhersit, Robert Menendez, një amerikano-kubanez, përmes një letre ndaj Sekretarit të Shtetit, John Kerry. “Ndërkohë që administrata po ndjek angazhime të mëtejshme me Kubën, kërkoj nga ju që të paralelizoni shpejtësinë e ndryshimeve në politikën amerikane me veprime reciproke nga regjimi i Castrove”.

Bisedimet do të fokusohen në çështje të emigracionit gjatë së mërkurës, ndërkohë që do të fokusohen te rikthimi i marrëdhënieve diplomatike gjatë së enjtes. Të dyja palët priten të përshkruajnë objektivat afatgjata.

Ndërkohë që Kuba do të synojë heqjen e embargos ekonomike dhe do të kërkojë heqjen e ishullit nga lista amerikane e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, qeveria amerikane do të ushtrojë presion ndaj shtetit njëpartiak për më shumë të drejta njerëzore.

E megjithatë, duke i bërë parapri asaj që do të ngrinte delegacioni amerikan mbi të drejtat e njeriut, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme kubaneze tha për reporterët të martën se Havana shpreh shqetësimet e saj mbi të drejtat e njeriut në SHBA, duke cituar vdekjet e personave me ngjyrë të paarmatosur nga policia në Nju Jork dhe Ferguson të Missourit.

Kuba ka deklaruar gjithashtu se do të protestojë ndaj ligjeve amerikane që mirëpresin kubanezët në SHBA, me të shkelur në tokën amerikane, një politikë përjashtuese që Kuba e konsideron si promovuese ndaj trafikimit të qenieve njerëzore dhe udhëtimeve të rrezikshme përreth ngushticës së Floridës me mjete lundrimi gjysmë të prishura.
Obama zotëron autoritetin ekzekutiv për të rikthyer marrëdhëniet diplomatike dhe për të hequr sanksionet, por ka nevojë për Kongresin e kontrolluar nga republikanët për të shfuqizuar embargon ekonomike.

Delegacioni amerikan udhëhiqet nga Roberta Jacobson, kryediplomatja amerikane për Amerikën Latine, si dhe ndihmësin e parë të Sekretarit të Shtetit, një delegacion që viziton Kubën pas 38 vitesh. Një zyrtar amerikan i të njëjtit nivel përfaqësimi vizitoi Kubën 35 vite më parë. Ndërkohë që ekipi kubanez udhëhiqet nga Josefina Vidal, shefja e diplomacisë për çështjet me SHBA-të. / TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button