Thaçi – Meta: Mbështesim faktorin shqiptar për të forcuar stabilitetin në Maqedoni

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta takoi edhe kreun e PDSH-së Menduh Thaçi të cilët diskutuan për gjendjen politike në vend.

Meta përsëriti mesazhin e vizitës së tij në Shkup, ndarjen proporcionale të buxhetit dhe përshpejtimin e realizimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Ne mbështesim të gjitha përpjekjet e faktorit shqiptarë për të forcuar stabilitetin në Maqedoni, në mënyrë të veçantë integrimin e tyre në të gjitha institucionet, për realizimin e plotë dhe të përshpejtuar të Marrëveshjes së Ohrit. Njëkohësisht për të shtuar mbështetjen për Maqedoninë Perëndimore, si në drejtim të buxhetit, si në drejtim të investimeve të huaja, pasi dihet që problemet sociale, veçanërisht ai i papunësisë është një problem mjaft i mprehtë, sidomos për të rinjtë”,  deklaroi Meta.

Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi theksoi se vendi aktualisht qëndron keq në dy sferat kyçe për mbijetesën e shtetit, integrimin në strukturat euro-atlantike dhe avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve. Ai e siguroi përfaqësuesin e shtetit shqiptar se PDSH-ja nuk do të jetë pengesë për realizimin e këtyre dy çështjeve.

“Unë e sigurova që PDSH-ja asnjëherë nuk do të jetë problemi, por do të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit. Nuk kam ndonjë shpresë se situata do të mund të përmirësohet shpejtë, unë vetëm e sigurova kryetarin e parlamentit se PDSH-ja asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e aventurave të pakujdesshme, qofshin politike, qofshin të tjera, për shkak se jemi shumë të vetëdijshëm për barrën dhe peshën që kemi si parti opozitare për të garantuar qetësi dhe stabilitet”, tha Thaçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button