Kurc: Kontesti për emrin të zgjidhet, opozita të kthehet në Parlament

Maqedonia ka perspektivë evropiane, por për këtë nevojitet të zgjidhet kontesti për emrin i cili po zgjatë një kohë të gjatë. Opozita duhet të kthehet në Parlament sepse atje është vendi për dialog politik, ndërsa reformat e nevojshme duhet të vazhdojnë, porositi sot shefi i diplomacisë austriake Sebastijan Kurc në konferencën e përbashkët me nikoqirin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Poposki.

“Kontesti zgjatë një kohë më të gjatë dhe moszgjidhja e emrit e dëmton Evropën dhe të dy  endet. Për mua është shumë e paqartë pse në këtë periudhë të gjatë nuk ka kurrfarë lëvizje të punëve lidhur me kontestin. Dy shtetet kanë punë shumë më të rëndësishme për zgjidhje, para së gjithash çështje nga sfera ekonomike dhe reformat të cilat duhet të çojnë në mirëqenie. Austria është e gatshme të kryejë presion që të krijohet dinamikë në proces”, theksoi Kurc.

Ai shtoi se është optimist se pas zgjedhjeve në Greqi do të ketë dinamikë më të madhe, ndërsa Vjena do të ndihmojë duke kryer presion. Në ndërkohë, sipas tij, Maqedonia duhet t’i vazhdojë reformat, ndërsa opozita të kthehet në Kuvend. “Si partnerë, kemi pritje rreth asaj se si duhet të zhvillohen punët. Që të mund të garantohet biznes klima, janë të domosdoshme reforma si në planin ekonomik ashtu edhe në planin e drejtësisë. E lus edhe opozitën që të kthehet në Parlament, sepse ky është vendi për dialog politik dhe diskutime”, tha Kurc.

Në lidhje me lirinë e mediave, shefi i diplomacisë austriake theksoi se ajo është e rëndësishme për arritjen e demokracisë së gjallë që BE­ja e kërkon nga anëtare e saj dhe nga vendet aspirantë.

Nënvizoi se Austria është investitori i dytë më i madh në Maqedoni me 437 milionë euro investime në 50 ndërmarrje.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Poposki theksoi se Austria si deri më tani e kanë mbështetur procesin e zgjerimit dhe eurointegrimit të Maqedonisë, ndërsa pas këtij takimi është i sigurt se kështu do të mbetet edhe më tej edhe krahas asaj që Evropa është preokupuar me probleme nga natyra ekonomike dhe e sigurisë.

Pas Berlinit, në Vjenë më 27 gusht do të mbahet Konferencë për Ballkanin Perëndimor në agjendën e së cilës së bashku me Austrinë, tha Poposki, do të punojë Maqedonia. Theksoi se konferenca do të jetë motor për bashkëpunim rajonal dhe infrastrukturë.

Lajme të ngjashme

Back to top button