SHUMËÇKA PËR ASGJË

Nuk jam kronist ngjarjesh ditore, që janë si retë kalimtare, pa asnjë domethënie. Më ndodh, gjithnjë më shpesh, të mos lexoj lajme, sepse nuk dua të keqinformohem. Megjithatë nuk arrij ta hesht gjatë kohë gazetarin në mua. Çuditërisht, harxhova kohë duke lexuar lajme për një vend të vogël ku duket se ndodh shumëçka e nuk ndodh asgjë e ku askush nuk mund të thotë se këtu, si thotë Migjeni, jeton një popull që ndërton diçka të re.

Në shumësinë e lajmeve përzgjodha disa prej tyre. Mësova se kryeministri i Maqedonisë, si Vasko de Gama i ri, po zbulon një udhë të re drejt Indisë, që shpie deri te investimet! Ka atje biznesmenë të tipit Subhata Roj, që numërojnë miliarda, teksa bashkëkombësit e tyre vdesin urie rrugicave të pista. Te besosh tek “investitorët” e këtij formati, do të thotë t’i përkulesh e t’i lutesh “viçit të artë”.

Kryeministri nuk e harroi Kalkutën, ku veproi Nëna Terezë. Dëshiron t’i mashtrojë shtetasit e Indisë, sikurse i mashtron bashkëkombësit e nobelistes shqiptare…

Një lajm me diplomatë. Ata shprehin shqetësim për raportet ndëretnike; për mënyrën si u soll ligji për arsim; për mungesën e transparencës në rastin “Monstra”, për lirinë e medieve; për mënyrën si synohet të bëhen ndryshime kushtetuese, pa praninë e opozitës në Parlament.

Lajmet e këtilla heshtën nga disa media të kontrolluara që informojnë për parajsa artificiale dhe befasira ekonomike. E realiteti është kryeneç dhe nuk zhbëhet edhe kur s’e sheh qartësisht…

Pastaj mediat shumëfishojnë lajmin se disa deputetë të BDI-së refuzojnë t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, sepse nuk janë përfshirë kërkesat për gjuhën shqipe, zgjedhjen e presidentit të shtetit dhe ndarjen e buxhetit. Një zyrtar partiak paska thënë se ndryshimet e paralajmëruara nga Gruevski bëhen “me qëllim të harmonizimit të legjislaturës së Maqedonisë me atë të BE-së”. Një tjetër paska shtuar se ndryshimet që ndërlidhen me shqiptarët “nuk janë hapur ngase marrin kohë dhe nuk do të miratoheshin deri në shpalljen e raportit të progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë”!

T’i gënjejmë, pra, europianët me ndryshime kozmetike e me maska!

Nëse rebelimi i deputetëve të BDI-së nuk është mashtrim i radhës, atëherë duhet përkrahur. Deputetët e rebeluar mbase e kanë kuptuar se partia e tyre është bërë peng i disave…

Lajmi i radhës: mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme filluan grevën e paralajmëruar, pak ditë pasi u soll ligji i “reformave” arsimore. Mësimdhënësit pa vendime pune i frikësohen grevës, gjegjësisht hakmarrjes partiake. Mësimdhënësit e partisë i frikësohen grevës, sepse i ka punësuar partia. Kjo është shoqëria që e kemi ndërtuar dhe duam, si të tillë, t’ia lëmë trashëgim fëmijëve tanë.

Të gjithë jemi fajtorë, sepse i lejuam politikanët të vendosin për gjithçka. U falëm lirinë dhe dinjitetin tonë dhe sa nuk u thamë: – Urdhëroni, bëni çfarë të doni, kurse ne do t’u përkulemi si robër, mjafton që dini të na sundoni!…

Pason lajmi: veteranët e UÇK-së, nga Kumanova e harruar, protestojnë para selisë së BDI-së.

E kanë kuptuar ata se fituesit e vërtetë nuk janë ata që e fitojnë luftën, por vjedhësit e fitores. Nuk kërkojnë privilegje, por punë e përgjegjësi. Ne që për çdo muaj “i biem bankomatit” dhe u çojmë çokollata fëmijëve, mund të themi se ata paskan luftuar për një vend pune. Le të provojmë t’u hyjmë nën lëkurë dhe do ta ndjejmë zhgënjimin e atyre që shpresuan e flijuan për të ardhmen e të gjithëve, teksa tani nuk janë në gjendje t’u sigurojnë kafshatën e gojës as fëmijëve të tyre…

Sërish lajm me protestë. Kësaj radhe gazetarët raportojnë për protestën e gazetarëve. Kërkohet liri për gazetarin e dënuar me burg. Kërkohet liri mendimi e shprehjeje. Aty ku burgosën gazetarët (dhe heshtin kolegët apo edhe më keq- sulmohen prej kolegëve), herët a vonë, secili mund të jetë i burgosuri i radhës. Nëse nuk robërohet diku në qeli, robërohet nga frika. Nëse doni të dini se si është një shoqëri, një shtet, interesohuni për mediat. Nëse janë të frikësuara, atëherë aty jetojnë njerëz të frikësuar. Nëse mediat janë të korruptuara, shteti është i korruptuar. Nëse mediat janë hipokrite, aty jetohet nëpërmjet hipokrizisë. Nuk ka shtet të lirë pa media të lira…

Ka dhe lajme që na flasin për një botë të ndarë e të egërsuar, por mjaftojnë kaq për t’i komentuar, sikurse i kemi komentuar ndër vite ngjarjet e ngjashme dhe druaj se do t’i komentojmë edhe në të ardhmen, duke riformuluar mendimet për gjërat e njëjta e duke u bërë viktima të përsëritjes.

Teksa përsëriten ngjarjet ne vazhdojmë të thithim helme në vend të ajrit. Megjithatë, dikur ishim më mirë: besonim se ajrin e kishim të pastër dhe nuk kishte kush të na e merrte.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button