Super sfida Barcelona – Atletico Madrid

Spanja sonte do të prezantojnë disa përballje interesante. E tillë është ajo mes Barcelonës dhe Atleticos së Madridit, e vlefshme për fazën çerekfinale të Kupës së Mbretit. 90 minutat e para që do të luhen në “Camp Nou” në orën 22:00 mund të japin një verdikt paraprak për skuadrën që mund të shkojë në gjysmëfinale por kjo ndeshje është vetëm antipasta e përplasjes së titanëve të futbollit spanjoll.

Vetëm pak ditë më parë Barcelona dominoi sfidën e zhvilluar në Katalonjë për llogari të kampionatit me rezultatin 3:1 por historia ndryshon sepse “Los Colchoneros” vijnë në këtë sfidë pas nokdaunit që i bënë Realit të Madridit në 180 minuta. Blaugranat vijnë pas 4 fitoreve rresht ku kanë gjetur moralin dhe mbuluan të paktën përkohësisht problemet në dhomat e zhveshjes. Messi, Neymar dhe Suarez të cilët ndëshkuan skuadrën e Simeones në kampionat, pritet të zbresin në fushë titullarë, ndërsa në krahun tjetër, Atletico prezantohet me të rilindurin Fernando Torres.

Mungesa e vetme për katalanasit në këtë ndeshje do të jetë mbrojtësi Douglas, i cili do të qëndrojë në bokse për rreth 4 javë.

Mbrëmjen spanjolle do ta startojë 120 minuta më herët përballja mes Villarreal dhe Getafes ku “Nëndetësja e Verdhë” mbetet e favorizuar, ndërsa në orën 22:00 Malaga pret në “La Rosaleda” Athletic Bilbaon në krizë rezultatesh.

Lajme të ngjashme

Back to top button