DHE DURIMI KA KUFI!

Qytetarët e Vendit Tonë në shumë situata kanë dëshmuar se janë njerëz të durueshëm ndaj proceseve të cilat, jo rrallëherë, kanë qenë të dëmshme edhe për ta. Vetinë e durimit nuk e kemi të rastësishme, por sikur të instaluar në mendje dhe në qenien tonë nga koha e sistemit të kaluar dhe nga kërkesa e udhëheqësve tanë të dikurshëm për durim,durim, durim…dhe vetëm durim.

Nëse në atë periudhë kemi pasur sadopak arsye të durojmë, sot nuk e shoh asnjë arsye të tillë; nëse atëherë kemi shpresuar se një ditë do të bëhet më mirë, sot kjo shpresë nuk ekziston;nëse atëherë kemi qenë edhe të papërgatitur të përballemi me atë regjim, sot i kemi të gjitha mekanizmat demokratik për t’i penguar proceset që po e dëmtojnë Vendin Tonë. Sot, nëse heshtim, ne mund të bartim pak përgjegjësi,sikur prindërit tanë që e bartin një gjë të tillë për situatën në të cilën gjendemi.

Nuk dua ta besoj, ndonëse e mendoj shpesh, se durimi na ka mbetur nga e kaluara dhe sot jemi duke duruar në heshtje të gjitha proceset negative që i ndodhën Vendit Tonë.

Pushteti mund t’i ketë blerë disa mediume, disa pseudo-analistë, disa pseudo-opinionistë që e shesin propagandën e pushtetit, mirëpo ne jemi më shumë nga ata që nuk i nënshtrohemi pushtetit, që duhet të flasim, të reagojmë dhe të veprojmë, sepse ata janë një grusht njerëzish që manipulojnë me ne dhe me durimin tonë të tepruar.

Që nga paslufta po durojmë politikanë të papërgjegjshëm, mashtrues dhe të korruptueshëm; po e durojmë pasurimin e politikanëve në kurrizin tonë; po e durojmë krimin e organizuar të instaluar si sistem; po e durojmë varfërinë që ka arritur përmasa shqetësuese; po e durojmë papunësinë; po e durojmë një sistem arsimi jo cilësor;po e durojmë edhe ndotjen te ajrit tonë; po e durojmë një shëndetësi ku pacienti shihet si vlere monetare; po e durojmë jetën e vështirë që jemi duke e bërë çdo ditë…

Prandaj, nga instalimi i vetisë se durimit në qenien tonë po i bartim pasojat sot, sepse sikur jemi mësuar të durojmë dhe të heshtim për gjithçka, duke besuar se dikush mund të na dojë më shumë se sa që ne mund ta duam veten tonë.

Nuk dua ta besoj, ndonëse e mendoj, se tashmë jemi adaptuar me gjëra të këqija që ndodhin në këtë vend. Sikur jemi mësuar të dëgjojmë çdo ditë për burgosje, për korrupsion, për keqpërdorim të detyrave zyrtare dhe krejt natyrshëm sillemi ndaj të gjitha këtyre proceseve, thuajse ato tashmë janë normale. E ne, si shoqëri, po pajtohemi lehtësisht me to.

Nëse është e vërtetë edhe për Ju kjo që po e mendoj, duhet të jemi të shqetësuar si shoqëri, e jo të sillemi sikur asgjë nuk po ndodh ose sikur gjithçka që po ndodh nuk po ndodh në Vendin Tonë!(Apo mos vallë ndotja (ruse) është shaktare për këtë?)

Lajme të ngjashme

Back to top button