Kryetari i ri i Graçanicës ende deputet i Serbisë?

Vladeta Kostiq, ka fituar zgjedhjet për kryetar të Komunës së Graçanicës, si kandidat i Listës Serbe, zgjedhje këto që u mbajtën më 18 janar 2015. Por, në ueb faqen zyrtare të Parlamentit të Serbisë, ai ende figuron si deputet i Parisë Progresiste Serbe, të kryeministrit Aleksandar Vuçiq.

Drejtoresha e Zyrës për Regjistrimin e partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Miradije Mavriqi thotë për lajmi.net se Kostiq ka dorëzuar dorëheqjen e tij nga posti i deputetit të Parlamentit serb dhe më pas është certifikuar si kandidat për zgjedhje.

“Ai e ka dorëzuar dorëheqjen në KQZ dhe pastaj është certifikuar. Nuk e di pse ende figuron ai në ueb faqen e Parlamentit të Serbisë. Por tek ne ai ka dorëzuar dorëheqjen e tij, të vulosur. Të gjithë dokumentacionin që ne kemi kërkuar nga ai, ai i ka dorëzuar në KQZ”, thotë Mavriqi.

Ndërkaq, në ueb faqen e Parlamentit serb, emri i Ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, i cili para se të zgjidhej në këtë post, ka qenë deputet në Parlamentin e Serbisë, është hequr nga lista e deputetëve të Serbisë, pasi që edhe ai, si Kostiq, kanë hequr dorë nga ky post politik, që mbanin në Serbi.

Lajme të ngjashme

Back to top button