Në mbrojtje të trashëgimisë sonë shpirtërore

Pas rastit tragjik që ndodhi në redaksinë e Charlie Hebdo në Paris, e tërë bota u rreshtua në përkrahje të fjalës së lirë. Bota mbarë e dënoi këtë vepër të urryer prej Zotit të Plotëmëshirshëm. Çuditërisht, gati askush nuk e tha një fjalë për provokuesit e akteve të shëmtuara! Askush asnjë fjalë për ngacmusit e urretjes ndërfetare! Sidoqoftë, pas këtij rasti, në Europë do të fryjnë erëra të reja për një rend të ri europian, pa dyshim.

Edhe ne, si shqiptarë, përfshihemi në familjen e gjërë europiane dhe, deshem ne apo jo, duhet të rreshtohemi në anën e mbrojtësve të oborrit tonë dhe të mirëqenies sonë të përbashkët. Në këtë drejtim, ne, qoftë si persona fizik, qoftë si subjekt juridik (si BFI), që nga pavarësimi i Maqedonisë e këndej, kemi qenë më të zëshmit në rajon kundër të gjithë individëve dhe kundër çdo rryme që pretendon të ngrisë kokë në emër të fesë islame në këtë nënqiell.Tentativat kanë qenë të parreshtura, të vazhdushme dhe, çuditërisht, përkundër mospajtimit tonë, gjithnjë kanë gjetur përkrahje veprimi, madje dhe përkëdhelje institucionale shtetërore. Sot, në radhën e këtyre individëve apo këtyre rrymave po kërkohen “terroristët dhe ekstremistë islamik”! Po del puna se të tillët dikujt këtu iu paskan dashur si mëlmesa që me to një ditë ta njolloin islamin. Të kenë alibi për lloj-lloj fyerjesh e ofendimesh dejtuar fesë islame. Ne, teologët islamistë e dijmë fare mirë që Islamin e shpalli Allahu i Plotëfuqishëm dhe, si Shpallje e Tij, pa dyshim që është nën mbrojtjen e Tij! Prandaj tepër shumë të kota janë të gjitha përpjekjet e djallëzuara për të njollosur islamin. Islami mbetet fe e pastër deri në frymën e fundit të kësaj bote, kurse myslimanët mund të mbeten të pastër për aq sa ia arrijnë të jenë në ujdi me mësimet islame.

Megjithatë, neve duhet të na brengosin përpjekjet për të manipuluar në emër të islamit e në dëm të islamit. Shqiptarët myslimanë që prej ditës së parë kur e përqafuan fenë islame e deri në ditët e sotme, janë dëshmuar si shembull unikal në botë për kalitjen e tolerancës ndërfetare. Kurrë nuk kanë hequr dorë nga vëllazëria etnike prej shqiptarëve të krishterë, katolikë e ortodoksë. Gjithnjë, përgjatë historisë, i kanë mbajtur nën ombrellën e sigurisë dhe bashkërisht kanë luftuar kundër çdo të keqe që i është kanosur trungut tonë kombëtar. Ndaj, sot, me këtë vlerë tonën kombëtare mrekullohet e tërë bota e civilizuar. Çfarëdo pisllëku që do të bëhej nga ana jonë në emër të islamit, do t’i iritonte, veç të tjerash, edhe vëllezërit tanë që nuk i përkasin fesë islame dhe, me këtë, pa dyshim që në trungun kombëtar do të futej një pykë përçarëse. Njeriu normal, shqiptari i vërtetë, besimtari mysliman i devotshëm, kurrë nuk do të pranonte një situatë të tillë për trungun kombëtar. Ndaj, i vetmi popull në rajon që gjendet para sfidave të mëdha është populli shqiptar. Ta ruajmë vëllazërinë shqiptare duke e ruajtur diversitetin fetar dhe, tërë ky angazhim i devotshëm, do të ndikonte në një harmoni dhe mirëqenie për botën shqiptare dhe, më gjërë në rajon.

Pa dyshim që, pozicionimi i shqiptarëve për këtë mision të shenjtë nuk parapëlqehet fort prej të tjerëve, prej armiqve historik, të cilët, për t’i rrënuar shqiptarët janë të gatshëm që të luajnë lojëra të pandershme edhe në emër të islamit. Kjo e vërtetë tashmë është dëshmuar disa herë përgjatë historisë sonë.

Në mesin e komunitetit mysliman shqiptar  të tjerët krijojnë lloj-lloj misionarësh të cilët kërkojnë mercenarë për t’i luftuar, fillimisht, vlerat e diversitetit tonë si dhe të harmonisë ndërfetare dhe, pastaj, për t’u kyçur në luftërat që nuk i sjellin as më të voglin dobi as shqiptarëve por askujt tjetër në botë, me përjashtim të bandave që për interesa meskine i shpallin luftë edhe vetë Zotit. Zoti ua theftë qafën!

Si të shpëtojmë ne? Sidomos ne, shqiptarët e Maqdonisë, të cilët, gjithnjë do të përceptohemi kavie për eksperimente nëpër laboratoriumet politike serbo-maqedonase. Në një rrezik të këtillë gjenden edhe shqiptarët e Kosovës. Të vetmit shqiptarët e Shqipërisë admnistrtive janë në një pozitë më të favorshme në luftën kundër dukurive të shëmtuara që ngrisin kokë në emër të feve apo të sekteve fetare.

 

Duke e parë këtë rrezik, ne si BFI, tashmë kemi hartuar programin tonë të bazuar në tri-katër komponente për sa i përket luftimit të këtyre dukurive dhe stopimit të manipulimeve në emër të fesë islame. Shqiptarët, me islamin e tyre autokton dhe tradicional, me shekuj janë konsideruar si qytetarë të urtë e të devotshëm dhe, është mirë që këtë epitet ta ruajmë si një nga vlerat më të çmuara të trashëgimisë shpirtërore. Për realizimin e këtij programi kërkojmë ndihmë dhe përkahje të gjithëanshme prej strukturave më të larta shtetërore e deri te kori diplomatik, ojq-të dhe personat që kanë mundësira të ndryshme për ta dhënë kontributin e vet.

Ndërkaq, në planin gjithëkmombëtar na duhet një strategji edhe më gjithëpërfshirëse. Nuk guxojmë të rrimë edhe më tej nën këtë letargji dhe të jemi vëzhgues pasiv të tërë asaj që po ndodhë para syve të botës.Shqipëria është tashmë shtet anëtar i NATO-s dhe, kërkuese permanente dhe me ngulm për t’u inkuadruar në familjen e gjërë të BE-së. Do të ishte fatkeqësi fatale kombëtare çdo përpjekje për ta njollosur etninë tonë me ngjarje në emër të islamit. Nuk guxojmë të mendojmë se si popull jemi imunë apo shumë të mbrojtur nga tentativa të tilla. Do të ishim më të sigurt vetëm nëse ndërmarrim aksion urgjen për ta themeluar një këshill gjithëkmombëtar qoftë nën patronatin e kryeministrit shqiptar qoftë nën patronatin e Presidentit të Shqipërisë. Këshilli do të përfshinte përfaqësues nga të gjithë komunitetet tona fetare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe nga Lugina e Preshevës, por, pse jo, edhe nga ato komunitete tona që veprojnë nëpër shtetet e BE-së dhe anekënd botës. Në këshill do të duhej të përfshiheshin edhe përfaqësus nga organet e rendit dhe të sigurisë, të zbulimit e të kundërzbulimit, nga akademitë si dhe nga bota e mdiave . Ky këshill do të duhej të kishte programin e vet nacional si dhe planin zhvëllimor më së paku pesëvjeçar. Të mblidhte infromata dhe gjithnjë të ishte një hap para lëvizjeve të “urithëve”.

Shqiptarët, si komb, janë shumë të lumtur me islamin që e kanë dhe që e kultivojnë, por edhe me nivelin e lartë të besimit të fesë krishtere që e kultivojnë dhe praktikojnë. Këto vlera të trashëgimisë shpirtërore duhet t’i ruajë kombi ynë dhe për këtë duhet të jenë përgjegjës vetë organet e shtetit shqiptar. Ashtu siç nuk lejohet që të vidhet apo të dëmtohet qoftë edhe një gurë i një kalaje, një tra i një shtëpie muze, që janë vlera të trashëgimisë kulturore shqiptare, ashtu duhet të ruhen edhe vlerat tona fetare që i përkasin trashëgimisë sonë shpirtërore. Bota veçmë ka filluar të flasë me të madhe për vlerën unikale të shqiptarëve – harmoninë ndërfetare. Le ta bëjmë këtë botë që të ndjehet krenare me ne shqiptarët të angazhuar në drejtim të ruajtjes me fanatizëm të kësaj vlere shumë të shtrenjtë kombëtare.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button