Në Komunën e Strugës pjesa dërmuese e mësimdhënësve i janë përgjigjur grevës

Në Komunën e Strugës pjesa dërmuese e mësimdhënësve i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së SASHK-ut për grevë, pas mosplotësimit të kërkesave të kësaj sindikate nga Qeveria.

Syrija Rashiti, përgjegjës i Sektorit për Arsim në Komunën e Strugës ka pohuar për Drini.mk se mësimdhënësit në Komunën e Strugës janë në grevë.

“Nga informacionet që kemi marrë nga shkollat në Komunën e Strugës, mësimdhënësit janë në grevë. Ne po mbledhim të dhënat nga të gjitha shkollat në Komunë dhe informacionet që na kanë ardhur deri më tani flasin se mësimdhënësit po bëjnë grevë”, thekson Syrija Rashiti.

Se në Strugë dhe në Dibër mësimdhënësit në pjesën dërmuese të tyre i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për grevë, për Drini.mk, e ka pohuar edhe kryetari i Sindikatës Rajonale të Arsimit dhe Shkencës, Demirqani Rexhepi.

“Mësimdhënësit në dy shkollat e mesme të Strugës, Shkollës së mesme profesionale “Niko Nestor” dhe Gjimnazi “Dr. Ibrahim Temo”, shkollat  fiillore “Josip Broz Tito” dhe “Vëllezërit Milladinov”, të qytetit, pastaj në shkollat fillore në  Ladorisht, Veleshtë, Dollogozhdë, Llabunisht  dhe vendbanimeve tjera të Komunës së Strugës”, janë në grevë”, ka deklaruar për Drini.mk, Rexhepi.

Avdi Ziba, profesor  në Gjimnazin “Dr. Ibrahim Temo”  të Strugës thekson për Drini.mk se e përkrah grevën e mësimdhënësve edhe pse nuk është anëtar i sindikatës.

“Mendoj që gjendja në arsim është e mjerueshme dhe kjo më detyron mua dhe  të gjithë mësimdhënësit e tjerë që të solidariziohemi me kërkesat legjitime dhe të domosdoshme të SASHK-ut. Kërkoj, me ndjenjat më të thella që nëpërmjet të këtyre fjalëve  të  trokas në ndërgjegjen e  përgjegjësve të   arsimit dhe sidomos të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Mendoj se greva nuk paraqet një akt terrorist, por përkundrazi është një akt demokratik, dashamirës në dobi të arsimit dhe dinjitetit të mësimdhënësve në përgjithësi. Duhet ta kemi gjithmonë në mendjet tona dhe të njëjtën ta përcjellim tek brezat e ardhshëm, që arsimi është gjëja më e shenjtë dhe më e shtrenjtë për një popull. Ju lutem,  merrni parasysh këto kërkesa, që janë mjaft të arsyeshme dhe të realizueshme”, thekson Ziba.

Në Ohër, ndërkaq, bëhet e ditur  se mësimdhënësit në pjesën dërmuese nuk  i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për grevë. / Drini.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button