Kryetari i RDK-së Vesel Memedi takoi ambasadoren gjermane Althauser

Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare Vesel Memedi takoi ambasadoren gjermane Dr. Christine Althauser, si dhe zëvendës ambasadorin Hans-Helge Sander në ambasadën gjermane në Shkup.

Në këtë takim mjaft miqësor, Kryetari Memedi informoi ambasadoren gjermane rreth ndryshimeve të fundit në RDK, platformën si dhe shumë çështje mjaft të rëndësishme për zhvillimin dhe ecurinë e vendit drejt rrugëtimit euroatlantik.

Kryetari Memedi njoftoi ambasadoren Althauser rreth idesë së RDK-së për mobilizimin e intelektualëve shqiptarë të diasporës rreth hartimit të një strategjie të fuqishme afatgjate për zhvillimin e kombit dhe ecurinë e mëtutjeshme, që me automatizëm do të thotë edhe zhvillim i patjetërsueshëm edhe i vendit në tërsi.

Kryetari Memedi njoftoi ambasadoren edhe për idenë shumë serioze që mirëpritet me shumë dëshirë nga ana e popullatës në përgjithësi, bashkëpunimin e RDK-së me iniciativat e reja që paraqiten në skenën politike, si një parakusht i domosdoshëm për një fillim të mbarë të të bërit politik shumë më ndryshe nga ajo që është servuar deri më tani.

Gjatë bisedës mjaft të gjatë dhe shumë miqësore, u diskutua rreth mungesës së madhe të demokracisë në vend, mungesës të mediave të lira, sundimit të ligjit, reformave arsimore problematike, çështjes së emrit të vendit me Greqinë dhe shumë pengesa tjerra që me të madhe pengojnë zhvillimin e vendit drejt familjes së madhe të Bashkimit Europjan. Kryetari Memedi theksoi se nëse nuk ndërmerren masa të shpejta për tejkalimin e shumë problemeve që janë akumuluar gjatë stagnimit të vendit në përgjithësi, kjo mund të sjellë në pasoja të pariparueshme në të ardhmen.

Ambasadorja gjermaneAlthauser përgëzoi edhe njëherë Kryetarin Memedi për postin e ri në RDK, si dhe mbështeti fuqishëm idenë e RDK-së për mobilizimin e intelektualëve shqiptarë të diasporës si një institucion mjaft i fuqishëm për të dhënë një kontribut në zhvillimin e vendit në përgjithësi. Ambasadorja kërkoi që të gjithë bashkërisht duhet punuar për tejkalimin e shumë problemeve që ndodhin në vend dhe se vetëm në këtë mënyrë dyert e Bashkimit Evropian mund të jenë të hapur.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button