Historia e shqiptarit që u dashurua me vajzën e kapos së mafies italiane

Botohet libri për jetën e shqiptarit John Alite, që u rrit dhe u fuqizua në Familjen Gambino dhe në fund u pendua dhe dëshmoi kundër organizatës në sallën e gjyqit. John Alite është shqiptari që ndihmoi në rrëzimin e një prej familjeve më të famshme mafioze të New York-ut, për të cilën kishte punuar për vite.

Pas daljes nga burgu, ai ka bashkëpunuar me një gazetar për një libër që tregon historinë e jetës së tij dhe që është pritur me shumë interes, nga media në New York, për detajet e sekretet për Familjen Gambino, një realitet të cilin shumica e amerikanëve e njeh vetëm nga filma si “Godfather”.

Alite (ndoshta një amerikano-italianizim i mbiemrit Haliti) ishte djali i një taksisti, emigrant shqiptar në Queens, New York.

Kur ishte fare i ri në moshë, një xhaxha i tij e mori një ditë në një nga klubet private të bixhozit në Bronx, ku u njoh me mafiozë italo-amerikanë dhe u bë mik i ngushtë me John Angelo Gotti-n. Ky i fundit, ishte djali i një prej kryemafiozëve më famëkeqë në New York, John J Gotti, kryetari i Familjes Gambino.

Të dy të rinjtë i hynë bashkë rrugës së kriminalitetit dhe në vitet 1980 bënë se bashku një numër aksionesh që u sollën qindra mijëra dollarë. Alite u bë si djalë shtëpie në familjen Gotti dhe u bë një njeri me shumë rëndësi që në moshë të njomë në organizatën mafioze të Gambino. Mirëpo, duke qenë se ishte me origjinë shqiptare dhe jo italiane, ai nuk mund të bëhej zyrtarisht një prej kapove të mafies.

Kur në vitin 1992, John J Gotti u burgos, ai vendosi që djali i tij të merrte në duar pushtetin e Familjes Gambino. Kjo e fuqizoi shumë shqiptarin që ishte mik me Gottin Junior.

Junior kishte qenë dëshmitari në dasmën e Alites, po edhe ky i fundit e kishte zgjedhur ditën e dasmës në Ditën e Shën Valentinit sepse ishte ditëlindja e Juniorit.

Mirëpo, shqiptari nga Queens kishte një pikë të dobët. Motrën e shokut të tij, Victoria, vajzën e bosit të madh. Të dy kishin një lidhje të fshehtë dashurie por që nuk guxonin ta bënin të njohur sepse ajo ishte martuar me një tjetër mafioz, Carmine Agnello dhe nuk e dinin se si mund të reagonte Familja. Mes mafiozëve nderi i familjes ishte shumë i rëndësishëm.

Mirëpo dikur në mesin e viteve 1990, Alite sulmoi bashkëshortin e Victorias, duke e akuzuar se kishte rrahur të shoqen. U krijua një situatë e rëndë dhe paqja u arrit duke e “syrgjynosur” Aliten larg nga New York-u, në Florida.

Dashuria për vajzën e bosit të vjetër dhe motrën e bosit të ri i dha fund kështu karrierës së shqiptarit në mafien italo-amerikane.

Jeta e John Alites është si një film. Ai u arrestua më vonë në Florida, u arratis në Brazil, u ekstradua mbrapsht në SHBA, pranoi të bashkëpunonte kundër mikut të tij të rinisë, John Angello Gotti-t dhe sapo ka dalë nga burgu pas 10 vitesh.

Ai jeton tani në New Jersey dhe ka botuar biografinë ku lan hesapet me miqtë/armiqtë e kohës së rinisë.

Në qendër të talljes dhe kritikës është ish-shoku i tij i ngushtë, Gotti Junior. Alite flet me një lloj respekti për Gottin e vjetër si një mafioz të zotin që arriti gjithçka me forcat e veta. U bë milioner i fuqishëm ndonëse ishte lindur në një familje të varfër.

Ndryshe nga ai, i biri, nuk kishte as zgjuarsinë e as trimërinë e babait. Alite tregon sesi shoku i tij kishte zakonin e cmendur që shuante cigare në trupin e vet. Ishte njeri me probleme të tmerrshme vetëbesimi.

“Ai është si Kim Jong-un, një fëmijë i përkëdhelur që përfitonte në kurriz të shokëve të tij nga që ishte djali i një babai të fuqishëm”, shkruan Alite në librin e tij.

Ai tregon një rast kur pas një sherri në një klub në Queens, Junior Gotti nxori armën dhe qëlloi duke plagosur një nga djemtë me të cilët po ziheshin. Alite thotë se ishte komplet e panevojshme dhe se puna nuk kishte shkuar te armët.

Mirëpo doli që djali që u plagos ishte nipi i kapos së Familjes Xhenoveze, një prej katër familjeve të tjera mafioze në New York. Kapoja i tyre, Ciro Perrone kërkoi nga Gotti Senior emrin e atij që kishte shtënë që të mos hapej konflikt mes dy familjeve.

Juniori nuk kishte zemër t’i tregonte babait se kishte qenë ai vetë që kishte qëlluar me armë pa qenë nevoja. Shqiptari Alite duke mos dashur të fillonte lufta dhe për hir të shoqërisë, e mori përsëri sikur e kishte bërë ai. Për këtë u shpërblye me një të rrahur epike, por paqja u vendos.

“Babai ishte një tiran, kurse i biri një “dhjaks”, e përmbledh ai përshkrimin e familjes Gotti, në libër.

Gotti Junior ishte një hajvan që mori në qafë të gjitha familjet mafioze, kur FBI i gjeti në vitin 1997, një liste me të gjithë emrat e atyre që kishin shkuar në dasmë nga të Pesë Familjet bashkë me postet në organizatat respektive dhe shifrën e parave të sjella dhuratë. Rregulli në familje e donte që asnjëherë të mos shkruheshin këto gjëra në letër.

Alite i ka dhënë fund në libër edhe një prej legjendave të kohës.

Sipas tij, Gotti Senior, që njihej si “Dapper Don” për veshjet e tij shumë të shtrenjta dhe me shumë shije, në fakt, nuk e kishte fare stil dhe klas. Ai kishte para për të blerë një kostum 2,000 dollarë, po jo aftësinë dhe syrin për të gjetur se cili i shkonte e si duhej kombinuar. Ajo që nuk dihej ishte një ndihmës me emrin “Fat Bob” (Bobi i Shëndoshë) që ishte mjeshtër i veshjeve dhe që zgjidhte komplet gardërobën e supermafiozit.

Libri “Gotti’s Rules: The Story of John Alite, Junior Gotti, and the Demise of the American Mafia” (Rregullat e Gottit: Historia e John Alites, Junior Gottit dhe rënia e Mafies Amerikane”) mund të blihet në treg duke filluar nga 27 janari.

(Bazuar në shkrimet, nga media lokale, për librin në botim.)/Gazeta Illyria/

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Perse ky Njeri Eshte dashuruar ne nje Mafijoze. Italiane Por Eshte nje njeri i cili burgoset ne nje vjet per dashuri. Ashtu edhe mundet portalb Ta fizikoj mafijozja Italiane Sepse i burgosuri Perse te burgoset per nje dashuri” Mafijoze Italiane John Alite ndoshta e ka dashuruar ate femer mafijoze Italiane
    Historia ime e shqiptarit Që u dashurua ne nje
    Femer Mafijoze Italiane Perse ta burgosin Atehere Eshte gabim qe Eshte arrestuar ne nje
    Kazerme politik e.Por ajo vet’ka qene Mafijoze Italiane ate duheshte ta protestonin
    arrestonin Sepse ajo grua Mafijoze. Italiane e ka detyruar John Alite qe te dashurua
    dashurohet pjesesisht.Ky Eshte vertetimi im
    Per nje dashuri njeri s’mundet te arrestonin
    arrestohet Qe ka dashur gruan femer Mafijoze
    John Alite Pernjiher te dale prej burgu sepse jam.Avokat Ky ishte” komenti im.

  2. un e parashof gjerat rjedhin ne jet pa planifikuar Dhe njerzt perjetojn gjera te renda zduet gjyku Pse duet zbardhu Ky rast e verteta del heret Apo Von Ju Flm

Back to top button