Bira e minit

Ky popull ka ecur një rrugë të gjatë nëpër ferrin e të qenit minoritet deri në çastin kur erdhi shpresa e madhe me UÇK-në. Por, nuk zgjati shumë kjo shpresë. Edhe ajo përfundoi keq. Kot priti dhe kot derdhi shumë energji populli. Inkuadrimi i luftëtarëve në politikë nuk solli ndonjë hair të madh. Anija politike e shqiptarëve e drejtuar nga ish luftëtarët në kuadër të BDI-ja në vend se të ankorohej në limanin e shpëtimit, ajo u rehatua në limanin e dëshpërimit, prej nga perspektiva mori të tatëpjetën  dhe thuajse ka arritur pikërisht atë që s’e kemi dashur kurrë, hallin e zi.

Formacioni politik i quajtur BDI që në fillim, në vend se të ofrojë një program kombëtar,  i hapi dyert për qërimin e hesapeve me të gjithë ata që mendonin ndryshe. Që në start i përzuri të gjithë ata që kishin ndonjë farë përvoje vetëm pse nuk i konsideroi si ”të vetët”, e në vend të tyre mblodhi edhe njerëz nga disa struktura të dyshimta politike që vinin nga e kaluara. Kështu, në fakt, kjo parti e lëndoi këmbën e vet. Mbeti e handikepuar. Dhe, si pasojë populli, mbeti në erë, ta rrahë era e veriut dhe breshëri.

Me kohë BDI-ja, e bëri edhe hapin e dytë – pasi hoqi dorë nga çështja kombëtare shqiptare, për të cilën u bë lufta – nisi të shpenzojë kohë me përparësinë që i dha politikës së inkuadrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, duke mos e marrë parasysh faktin se ajo si parti politike nuk është ndonjë faktor që mund të vendosë për këtë punë, sepse askush nuk e pyet (aq sa e pyetën për zgjedhjen e presidentit). Sidoqoftë energjia u shpenzua dhe nga e gjithë kjo ne fituam dëmin duke mbetur të varfër, me arsim të dërmuar materialisht, pa subvencione në kulturë dhe në shkencë për hulumtime shqiptare, me një ushtri të papunësh, pa institucione të cilat do ta mbronin identitetin dhe krenarinë tonë kombëtare.

Gjatë viteve sa është në pushtet, kjo parti nuk mund të lavdërohet me suksese të veçanta, përveç se me përmendoren e Skënderbeut. Kjo është punë e mirë, por njëherësh kjo përmendore i dha idenë qeverisë për projektin 2014, me të cilin u shumëfishuan përmendoret të cilat gjithsesi janë përjashtuese për ne ose më shkurt na përjashtojnë ne shqiptarëve nga realiteti historik i këtij vendi. Gjykuar sipas këtyre përmendoreve të pafund del se këtu ne nuk kemi qenë ndonjëherë gjatë shekujve e gjatë shtrëngatave të shumta historike. Kështu tash edhe përmendorja e Skënderbeut është harruar më. Po, nejse. T’i kthehemi punës së partisë sonë. Çfarë ka bërë tjetër të hairit? Asgjë. Ka lejuar që të mbetemi të pambrojtur, të vetmuar, të mbështetur për muri, pa shpresë, me dinjitet të shkelur. Pra, na ka sjellë në një situatë thuajse pa shtegdalje, të kërkojmë shtigje nëpër pamundësi që ta sigurojmë koren e hidhur të bukës, ekzistencën lakuriqe.

Paradokset e kanë vërshuar realitetin tonë. Ato janë më të shumtë se në kohën e Jugosllavisë. Atëherë paradoksi më i madh ishte se shqiptarët ishin populli i tretë për nga numri, pas serbëve e kroatëve, ndërkohë që gjatë gjithë kohës sa jetoi Jugosllavia mbetën të trajtohen si minoritet dhe si i tillë ishte më i shkeluri. Menduam se BDI-ja do të na nxjerrë nga kjo baltë. Prandaj e votuam vazhdimisht. BDI-ja e mori votën nga ne, e mori edhe pushtetin, por ne mbetëm aty ku kemi qenë. Ndoshta edhe më keq. Minoritet i parëndësishëm. Jo vetëm kaq. Tash paradokset janë më të shumta se në kohën e ish Jugosllavisë.

Në atë Jugosllavi të keqe, për dallim nga e sotmja jonë, shqiptarët ia dolën ta ngrenë  Kosovën  nga një obllast i parëndësishëm në njësi federative, pastaj edhe gjuhën shqipe e ngritën në një shkallë më të lartë të përdorimit zyrtar se ç’është sot këtu në Maqedoni. Sot as në nivel komunal s’e kemi atë që e garantonte Kushtetuta e vitit 1974 për shqiptarët. E as që kemi shpresë se do të bëhet diçka më shumë. Më tutje, me gjithë qëndrimin përbuzës që strukturat shoviniste të disa republikave të atëhershme, përfshirë këtu edhe Maqedoninë, e ushtronin ndaj shqiptarëve, siguria e qytetarëve shqiptarë ishte më e madhe si në aspektin social, ashtu edhe në atë arsimor, madje edhe gjyqësia ishte më në nivel se kjo që kemi sot. Sot, sot ne nuk mund të krenohemi me ndonjë siguri e me gjyqësinë jo se jo. Sa për ilustrim, le të pyesim për shembull, sa vetë janë zbuluar nga dorasit që kanë vrarë shqiptarë në këto vitet e pasluftës? Çfarë ka bërë gjyqësia e vendit me tragjikomeditë e saj, përveç se i ka marrë në qafë njerëzit? Tjetra, atyre kohëve të ish Jugosllavisë që u thoshim të rënda ne fshatrat e qytetet i kemi pasur plot rini, shkollat plot e përplot me nxënës. Madje në klasa shpeshherë mblidheshin nga dyzet e sa nxënës. Sot? Sot rinia është e rrallë, kurse numri i nxënësve nëpër klasa është dhjetë-pesëmbëdhjetë veta. Ne atëherë kemi qenë të lidhur me dheun e stërgjyshërve dhe kemi ditur ta ngremë zërin e protestës ndaj padrejtësive që na bëheshin. Dhe, nuk është kjo kurrfarë nostalgjie, por theksohet vetëm sa për krahasim me të sotmen, kur më s’ka kurrfarë manifestimi ligjor të pakënaqësisë dhe në vend të kërkimit të zgjidhjeve demokratike të problemeve, të rinjtë tonë preferojnë braktisjen e fshatrave e qyteteve, preferojnë ikjen.

Sot politikanët tonë nuk dallojnë nga ata të atëhershmit sa i përket indiferencës ndaj të drejtave të shqiptarëve, ani se janë në numër më shumë se funksionarët e atëhershëm. Të tillë i kemi funksionarët, por nuk e kemi rininë si ajo e asaj kohe. Rinia e sotme nuk është e dhënë pas arsimit të shëndetshëm, si dikur, kur nga të gjitha fshatrat e qytetet tona kishte studentë në Universitetin e Prishtinës dhe atje  ishin lexues të rregullt të bibliotekave. Rinia jonë sot rrallë i viziton bibliotekat, por klubet partiake, ku zakonisht ushtrohet servilizmi duke shpresuar se kështu do të gjendet një vend pune. Natyrisht nuk mund të fajësohet partia për këtë fenomen, por partia në pushtet e ka përgjegjësinë e saj për mosmbështetjen e institucioneve arsimore, shkencore e kulturore. Le ta kemi parasysh Institutin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve i cili vetëm vegjeton, Universitetin e Tetovës që bën luftë Sizifi për të mbijetuar etj. Çfarë kanë bërë politikanët shqiptarë për këto institucione? Për institutin janë kujdesur vetëm ta shndërrojnë në një kënd partiak ku do të bëhen promovime librash, ndërsa projektet mbeten vetëm si ëndërr nga se askush nuk lodhet që të hedhë ndonjë para atje për t’i realizuar projektet e shumta që lidhen me gjuhën dhe me historinë tonë, kurse për Universitetin tash po mundohen t’ia mbyllin dyert me këto zgjidhje ligjore që i sollën ashtu si i sollën.

Këto edhe shumë probleme të tjera, të cilat pushtetarët tanë nuk i kanë zgjidhur e kanë bërë shenjë njohëse frikën ndër ne. Frikë nga varfëria, frikë nga pozita e qytetarit të rendit të dytë që s’mund ta thotë asnjë fjalë shqipe nëpër sportele e nëpër shitore, frikë nga ligjet që sillen e që po e rrezikojnë arsimin tonë superior, frikë nga ministri, frikë nga e ardhmja e cila duhet të modelohet nga ligjet e miratuara pa ndonjë diskutim publik, frikë nga mediat që janë nën kontroll, frikë nga fjala e lirë, frikë nga prania e tepruar e funksionarëve nëpër media dhe hapësira kohore prej disa minutash që u jepet në lajme, frikë nga përjashtimi i jetës shqiptare nga informacionet dhe nga buxheti. Dhe, prej dite në ditë kjo frikë rritet deri në shkallën e birës së miut. Ose më mirë: bira e minit!

Dhe, bira e miut është shenjë e fundit ku njerëzit heqin dorë edhe nga empatia e nga solidariteti që kemi pasur dikur dhe i dorëzohen defetizmit, sepse shtegu i vetëm i tyre është pikërisht bira e miut. Përhimtësia. Terri.

Duken para syve tonë vetëm skenat e absurdit ku pozita dhe opozita shqiptare grinden mes vetes thuajse grindja e tyre duhet të jetë ideali ynë. E meqë ndjehemi edhe më keq kur i shohim kur grinden dhe akuzojnë njëri-tjetrin neve na shtohet edhe turpi. Frika, turpi dhe bira e miut. Dhe, seç  e lexova  diku se Orueli e ka gabuar kohën kur ka jetuar.

Dhe, me të vërtetë është dashur të jetonte në realitetin tonë e do ta kishte parë sa është sahati.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button