Irelevanca e partive shqiptare

Pas një pauze të gjatë javën e kaluar përsëri patëm mundësinë që të shohim se cili është opinioni publik për gjendjen e vendit dhe rejtingun e partive politike, edhe atë në një anketë të javores Fokus të bërë në bashkëpunim me agjensionin Rejting. Në pamje të parë anketa nuk tregon ndonjë gjë të re; qytetarët edhe më tej shprehen të pakënaqur për gjendjen në vend, por vazhdojnë të përkrahin partitë në pushtet të të dy etnive. Pjesa më e madhe e qytetarëve mendojnë se shtatë vitet e kaluara gjendja e përgjithshme është përkeqësuar, se nuk janë të kënaqur nga mënyra se si Gruevski udhëheq me shtetin, nuk besojnë se kjo qeveri mund të organizojë zgjedhje fer dhe demokratike, por në pyetjen se për cilën parti do të kishin votuar nëse nesër mbahen zgjedhje VMRO akoma udhëheq ndaj LSDM-së në raport 1,3:1, ndërsa BDI ndaj PDSH-së me 1,6:1.
Megjithatë ky paradoks bëhet më i qartë kur anketa të lexohet sipas përkatësisë etnike. Në përgjithësi te qytetarët maqedonas përgjigjet pozitive kanë një përparësi të butë ndaj atyre negative në përmasa rreth 55%-45%, fakt ky që pasqyrohet në mënyrë të drejtë te rejtingu i partive maqedonase. Nga ana tjetër mbi 70% të qytetarëve shqiptarë nuk janë të kënaqur me punën e qeverisë dhe gjendjen në vend, por BDI-ja qeveritare vazhdon të kryesojë bindshëm ndaj PDSH-së opozitare.


Shkaku kryesor për këto qëndrime paradoksale të shqiptarëve është fakti që partitë shqiptare në esencë janë bërë krejtësisht irelevante. Në një varg ngjarjesh të rëndësishme në shtet, duke filluar nga ngjarjet e vitit të kaluar në parlament, heqja e Maqedonisë nga agjenda e EU-së, stopimi i qartë i integrimeve, betejat në komisionin hetimor për ngjarjet e 24-shit, ose mbyllja e kufirit me Kosovën, partitë shqiptare kanë heshtur plotësisht dhe nuk kanë patur asnjëfarë qëndrimi të qartë vetanak. Prandaj gjithnjë e më tepër po krijohet përshtypja se ato thjeshtë flejnë në punë dhe se roli i tyre i vetëm është t’u japin mbështetje të pakushtëzuar partnerëve të koalicionit kur janë në pushtet, ose të ankohen në mënyrë abstrakte pa ofruar asnjë program ose alternativë kur janë në opozitë. Ata nuk kanë as ideologji, as strategji, as ndonjëfarë vizioni, por thjeshtë funksionojnë si duar të shtrira të partisë maqedonase në pushtet, si operativë e tyre për të mbledhur votat te popullata shqiptare. Siç u shpreh ironikisht në një rast një miku im njohës i rrethanave, shqiptarët votojnë për parti shqiptare, që pastaj i marrin ato vota në një thes dhe i dërgojnë në Ilindenska p.n., pa marrë parasysh se kush banon aty në atë moment.

Qytetarët shqiptarë po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për këtë situatë. Ata e kanë të qartë se partitë e tyre janë skajshmërisht irelevante, se nuk kanë qëndrime për problemet kyçe të qytetarëve, se askush nuk i pyet për asgjë në këtë shtet, e as se meritojnë të pyeten. Rrjedhimisht, edhepse nuk janë të kënaqur me gjendjen në vend, shqiptarët për këtë nuk i fajësojnë partitë e tyre, sepse as që presin diçka prej tyre. Në rrethana të këtilla, kur fajtorët janë identifikuar tjetërkund, mirëqenia e përgjithshme nuk është më faktor gjatë zgjedhjeve dhe këtu fillojnë të funksionojnë fenomenet tjera me të cilat fitohen zgjedhjet në këtë shtet, siç janë opozita e dobët, kontrolli i mediumeve, punësimet partiake, frikësimet dhe kërcënimet, blerja e votave e të tjera. Kështu, i vetëdijshëm se vota e tij nuk do të ketë ndonjë efekt krucial, pa marrë parasysh nëse i jepet BDI-së ose PDSH-së, qytetari shqiptar në fund të fundit voton në mënyrë oportune ose nuk voton fare. Këtë të fundit e vërteton edhe pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, e cila me siguri do të vazhdojë të bjerë, rrënie që në zgjedhjet e lokale u stopua vetëm përkohësisht për shkaqe tjera lokale.

Në një situatë të këtillë votuesit shqiptarë gjenden në një kurth të madh politik pa rrugëdalje, pasi votojnë për parti të parëndësishme, e nuk mund të votojnë për shembull sipas asaj se kënd duan t’a shohin si kryeministër të vendit. Logjikisht parashtrohet pyetja nëse nuk do të ishte më mirë që edhe ata të votojnë direkt partitë maqedonase, gjegjësisht nëse duan në qeveri t’a shohin Gruevskin ose Zaevin. Përgjigja është një JO e madhe. Shqiptarët asnjëherë nuk do të votojnë parti nacionaliste si VMRO-ja që shpesh dhe me mjeshtëri fiton vota edhe me një platformë antishqiptare, as për një parti si LSDM që ndoshta vërtetë ka dëshirë të ketë shqiptarë në rradhët e saj, por vetëm shqiptarë të asimiluar sipas modelit të saj, pra shqiptarë në kuptimin biologjik dhe jo kulturor të fjalës. Thënë shkurtë e shqip, pa marrë parasysh se sa të dobëta dhe irelevante i kanë partitë e tyre, shqiptarët megjithatë nuk do të votojnë për parti maqedonase, e as partive maqedonase nuk ju interesojnë e as që i meritojnë votat e shqiptarëve. Për po të njëjtat shkaqe nuk mund të funksionojnë as partitë eventuale multietnike apo të paktën koalicione multietnike parazgjedhore. Zgjidhjet e këtilla kërkojnë politikanë dhe parti tjera, të bazuara në ideologji dhe principe, që do të hynin në kësi koalicionesh pikërisht për shkaqe ideologjike dhe principiele, e jo vetëm për ndarje të mëtutjeshme të pushtetit.

Në instancën e fundit problem kardinal përbën fakti që situata e këtillë me votuesit shqiptarë ju konvenon të gjithë aktorëve politikë në vend. Partive shqiptare ju konvenon që mos të merren me punët e rënda siç është udhëheqja me shtetin, pasi fundja askush as nuk ua kërkon këtë gjë. Ato poashtu e kanë më të lehtë të jenë në konkurencë vetëm me njëra tjetrën, ashtu siç është tash, se me partitë dukshëm më të organizuara dhe më të përgatitura maqedonase. Fakti që nuk janë relevante për to nuk përbën ndonjë pengesë kur merren parasysh të mirat që sjell pushteti, e që si kundërshpërblim kërkon vetëm ngritje gishtash dhe amin për vendimet që merr partneri i koalicionit. Në esencë partitë shqiptare janë shndërruar në trupëzim të asaj që iu ofrojnë një pjese të militantëve të tyre: rrogë pa punë.

Nga ana tjetër situata ju konvenon edhe partive maqedonase. Ato nuk kanë asnjëfarë nevoje t’i shkaktojnë vetes kokëdhimbje të reja duke u marrë direkt me problemet e mbi 500.000 qytetarëve shqiptarë, kur mund shumë më lehtë të merren vesh me një grusht politikanësh shqiptarë. Për disa privilegje dhe një numri të vogël kërkesash të imta politike këta politikanë do të punojnë në terren për të menaxhuar pritjet që ka popullata shqiptare prej pushtetit.
Sado që kjo situatë të jetë jofer dhe problematike, para së gjithash për qytetarët shqiptarë vota e të cilëve në një matricë të këtillë politike është bërë thuajse e pavlefshme, hë për hë nuk ka shenja se kjo do të tejkalohet së shpejti. Skema e këtillë funksionon tepër mirë për të gjitha partitë politike, shqiptare e maqedonase, që ata të bëjnë ndonjëfarë ndryshimi dhe të gjitha së bashku do të luftojnë me çdo kusht kundër çdo tentimi që këtë t’ua ndryshojë ndonjë palë e tretë. Kjo skemë e funksionimit do të rrëzohet vetëm së bashku me skemat tjera që definojnë mënyrën se si funksionon ky shtet, e para së gjithash kur ne të vetëdijësohemi si shoqëri dhe kur nuk do të pranojmë më kësi relacionesh votues-parti dhe qytetar-pushtet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button