Zgjedhja e vështirë e një nëne, veten ose foshnjen

“Nuk do të vras foshnjen time vetëm se jam sëmurë vetë”. Me këtë fjali një nënë 24-vjeçare amerikane refuzoi kimioterapinë për të luftuar një formë kanceri agresiv që i kishte prekur kockën dhe solli në jetë një vajzë të shëndetshme, ndërsa vetë i kanë mbetur edhe pak muaj jetë.

Ashley Caughey-t iu desh të bëntë zgjedhjen e vështirë kur ishte në javën e dhjetë të shtatzënisë me vajzën Paisley. Ajo u diagnostikua me kancer në kockë në këmbën e majtë të saj. Mjekët i thanë se për të parandaluar përhapjen e sëmundjes duhej t’i nënshtrohej kimioterapisë dhe në fazën që ishte mundësitë që të mbijetonte ishin mbi 90 përqind.

Por shërimi vinte me një kosto të madhe, atë të marrjes së jetës së vogëlushes Paisley. Mjekët i thanë se me siguri foshnja 10-javëshe nuk do t’i mbijetonte kimioterapisë, ndaj Ashley-t i duhej të zgjidhte.

“Ma bënë të qartë se çfarë do t’i ndodhte Paisley-t. Për mua nuk kishte zgjidhje tjetër ndaj u thashë që nuk do të vras një foshnje të shëndetshme për t’u shëruar vetë”, deklaroi 24-vjeçarja për CNN.

Pas lindjes së vajzës në qershor ajo iu nënshtrua kimioterapisë, por ishte shumë vonë. Kanceri ishte përhapur në të gjithë trupin dhe i ka prekur edhe trurin. Mjekët i kanë dhënë disa muaj jetë.

“Kam frikë se nuk do të jem në ditëlindjen e parë të vajzës time dhe kjo më mërzit, por s’kam çfarë t’i bëj tani”, thotë Ashley.

Pas diagnostikimit 24-vjeçarja afroi datën e martesës me të dashurin e saj, Jonathan. Ata u martuan në nëntor dhe të pranishëm ishin edhe djali i tyre 6-vjeçar, Braiden dhe Paisley.

Lajme të ngjashme

Back to top button