Osmani: Një ditë do të përmbysen përmendoret e Aleksandrit dhe Filipit në Shkup

Çdo emër që nuk përfshin fjalën ‘sllav’ do të ishte i pranueshëm për shqiptarët. Në instancë të fundit, emri aktual është shumë më pak i pranueshëm për ne, se sa alternativat që i përmendni. Këtë e thotë ish lideri i RDK-së, Rufi Osmani në një intervistë për dialogplus.ch.

“Nga 2006 deri më sot filloi procesi i antikuizimit të çdo gjëje, duke përfshirë aeroportet, autostradat, shtatoren e Lekës së Madh dhe të Filipit dhe veprime të tjera kulturore me prapavijë politike që u kuptuan nga Greqia si provokime të hapura dhe vjedhje të historisë antike. Është një projekt artificial politik me tendencë që ta ndryshojë identitetin sllav të maqedonasve aktualë që për pasojë e ka bllokimin e procesit të integrimit të vendit në NATO dhe në UE, e pasojat dhe çmimi i adresohen popullit të këtij vendi, popull ky që vazhdon të votojë kundër së ardhmes së tij, sa paradoksale, aq edhe tragjikomike. Nuk humbi dhe nuk humb Greqia asgjë, NATO-ja dhe UE-ja nuk e ndryshojnë mekanizmin e votimit me konsensus”, ka thënë Osmani.

Një ditë do të përmbysen përmendoret e Aleksandrit dhe Filipit

“Duhet të ndryshojë politikëbërja maqedonase në vend nëse e ka seriozisht integrimin në NATO dhe në UE, aq e thjeshtë dhe e komplikuar nga politikanë të vegjël që e kanë shpallur veten ‘Aleksandër të Maqedonisë së kohës moderne’ dhe tjetri shqiptar këtu e gjen ‘Lekën e Madh të hipur në kalin e Aleksandrit’. Një marrëzi politike që nuk i shihet fundi, për fat të keq. Jam i bindur se një ditë do të përmbysen përmendoret e Aleksandrit dhe Filipit si dikur shtatoret e Stalinit dhe Enverit, sepse ka përfunduar koha e kiçit në politikë dhe histori, mirëpo do të ngelin pasojat ekonomike, sociale dhe të perspektivës së qytetarëve të këtij vendi”, ka thënë Osmani.

Lajme të ngjashme

Back to top button