Gjuha shqipe në Kuvend, informohet edhe Baronesha D’Souza

Spikerja e Dhomës së Lartë në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Baronesha Frances D’Souza po qëndron në vizitë zyrtare në Maqedoni. Vizitën e saj Baronesha e filloi në Kuvend, ku mbajti fjalim para deputetëve dhe korit diplomatik. Theksi kryesor në fjalimin e saj ishte në ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar. Baonesha D’Souza tha se ngjarje të tilla të pahijshme ndikojnë në punën e mëvonshme të Parlamenteve.

“E di se në Maqedoni përballeni me shumë çështje rreth asaj se si duhet të funskionojë Parlamenti, çfarë procedura duhet të ekzistojnë dhe si duhet të ketë pushtet të balancuar me pushtetin ekzekutiv. Nuk ka dyshim se ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 2012 të cilat hapën këto çështje do të vazhdojnë të ndikojnë në punën e Parlamentit tuaj viteve të ardhshme. Në Dhomën e Lordëve jemi mësuar se ngjarje të tilla që kanë ndodhur në të kaluarën ndikojnë drejtëpërdrejtë në punën tonë sot”, tha Baronesha D’Souza.

Ajo takoi edhe kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Trajko Veljanovski, me të cilin kanë diskutuar për thellim të bashkëpunimit mes dy parlamenteve, por edhe për proceset eurointegruese të Maqedonisë.

“Është me rëndësi të potencohet se nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në dhjetor të vitit 1993, Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi e përkrah procesin integrues të Maqedonisë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në komunikimin bilateral përdorim emrin kushtetues të Maqedonisë”, tha Baronesha.

Baronesha ka realizuar takim edhe me deputeten e BDI-së Ermira Mehmetin, me të cilën mes tjerash kanë diskutuar edhe për (mos)përdorimin e gjuhës shqipe në udhëheqjen e seancave të Kuvendit, gjë për të cilën ditë më parë alarmoi edhe vetë nënkryetarja e Kuvendit nga rradhët e BDI-së Suzana Saliu.  D’Souza do të takohet edhe me zv/kryeministrat Fatmir Besimi e Vlladimir Peshevski dhe me Ministren e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska.

Lajme të ngjashme

Back to top button