Fatmir Besimi në Britaninë e Madhe

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, i angazhuar për çështje evropiane, Fatmir Besimi, qëndron për vizitë pune në Britaninë e Madhe. Besimi, siç qëndron në kumtesën e Sekretariatit për çështje evropiane, në Londër ka realizuar takim me ministrin për Çështje Evropiane të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Dejvid Lidington, me përfaqësues të Grupit për Bashkëpunim me Maqedoninë në Dhomën e Poshtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar të kryesuar nga kryetarja e grupit Karen Lumli, si dhe me Jan Kerns, drejtor dhe bashkëthemelues i rrjetit të Liderëve Evropian.

Në takimin me ministrin Lidington, u diskutua për procesin e integrimit të Maqedonisë, si dhe për arritjet e fundit të vendit në aspektin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ku Besimi theksoi se integrimi euroatlantik mbetet prioritet kyç strategjik për vendin tonë dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë.

“Është me rëndësi që Republika e Maqedonisë ka rekomandim për fillimin e bisedimeve dhe në të njëjtën kohë duhet të punohet në rekomandimet nga Raporti i Komisionit Evropian lidhur me reformat në gjyqësor, lirinë e të shprehurit dhe mediat, dialogun politik, dhe marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfqinjësore. Kjo do të kontribuojë në krijimin e një baze të mirë për fillimin e bisedimeve zyrtare me BE-në”, ka thënë Besimi.

Në takim, thuhet më tej në komunikatë, u bisedua edhe për zhvillimet e fundit ekonomike dhe të sigurisë në rajon, si dhe rëndësinë e përshpejtimit të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor. Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se bashkëpunimi mes Republikës së Maqedonisë dhe Britanisë së Madhe karakterizohet me dialog të hapur dhe konstruktiv dhe me thellim të vazhdueshëm të bashkëpunimit në më shume sfera me interes të përbashkët. Gjithashtu, theksoi Besimi, vlerësojmë mbështetjen në aspekt të përpjekjeve për integrimin e vendit në BE, si dhe partneritetin strategjik me Britaninë e Madhe, dhe shpresojmë në bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen. Besimi ka mbajtur edhe një ligjëratë në shkollën Ekonomike të Londrës, me temë “Vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian: misioni të kryhet”.

Lajme të ngjashme

Back to top button