Uollers hedh dyshimet: Monstra proces jo transparent për publikun

Në një intervistë për televizionin Sitel, ambasadori amerikan në largim Poll Uollers ka shprehur dyshimet rreth procesit gjyqësor ‘Monstra’.

Ai  thekson se dyshimet e tij, por edhe opinionit burojnë nga fshehja e dëshmive si dhe për shkak të mbajtjes së procesit gjyqësor, larg syve të opinionit. Sipas Uollersit, vetëm me publikimin e dëshmive rreth gjykimit në rastin “Monstra” mund të shmangen dyshimet e shumta në opinion.

“Procesi i gjykimit dhe hetimit nuk ishin shumë transparente. Prandaj ishte e vështirë për disa njerëz të ndiqnin rrjedhën apo zhvillimin e procesit, pasi nuk ishte publik. Unë, për shembull por edhe çdo kush tjetër nuk i dimë se cilat janë faktet dhe dëshmitë në këtë rast. Ne dëgjuam disa dëshmi, por shumica u prezantuan në sesione të mbyllura gjyqësore, prandaj ne nuk i dimë. E kuptoj se ka dëshmitarë të mbrojtur, se është një rast i komplikuar, por kur keni një proces në të cilin është i përfshirë një grup i shoqërisë i cili për shkak të arsyeve historike dyshon apo nuk është i sigurt për procesin, atëherë të keni proces të mbyllur dhe mungesë  transparence, ua vështirëson atyre të pranojnë apo kuptojnë rezultatin e gjykimit. Ndërkaq, nëse i tregoni dëshmitë jam i sigurt se njerëzit do t’i pranojnë ato. Por kur i fshini, atëherë tek njerëzit krijohen dyshime”, deklaroi Poll Uollers, ambasadori në largim i SHBA-së.

Duke folur për mungesën e dialogut politik, dhe në kushte kur nuk eksitojnë mekanizma të tjerë për daljen nga ngërçi politik, Uollers nuk e shikon si ekstreme as kërkesën e opozitës për qeveri teknike.

“Për sa i përket qeverisë teknike nuk është aq e pazakontë. Edhe shtete të tjera kanë qeveri teknike apo qeveri pjesërisht teknike. Madje unë kam i kam pare disa të tilla, kur persona në pozicione të caktuara kanë lëvizur vetëm gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe pastaj janë kthyer sërish, varësisht rezultateve të zgjedhjeve. Pra qeveria teknike nuk është ekstreme. Këtu, problemi është se si të gjendet një marrëveshje në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe jo vetëm të një partie politike”, tha Poll Uollers, ambasadori në largim i SHBA-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button