fbpx

Singapor, Bushati takim me krerët ‘Njihni Kosovën, ka rritur stabilitetin’

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Dimtir Bushati i kërkon Singaporit të njohë shtetin e Kosovës. Këtë kërkesë Bushati e bëri gjatë takimit me homologun Kasiviswanathan Shanmugam, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Singapor, në fokus të të cilës është zhvillimi i dialogut politik dhe intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Ministri Bushati kërkoi nga homologu i tij njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Singapori, duke vlerësuar se Kosova është një realitet që njihet nga një numër i konsiderueshëm vendesh dhe pavarësia e saj ka rritur stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Gjatë takimit me homologun e tij Shanmugam palët diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh dhe forcimin e tij, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare, si dhe u diskutua mbi zhvillimet në rajon. Ministri Bushati vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe theksoi rëndësinë që ato të zhvillohen më tej në të ardhmen. Ai vlerësoi asistencën dhe ndihmën e vazhdueshme që Singapori i ka dhënë Shqipërisë, në kuadër të kualifikimeve të administratës shqiptare.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi ekonomik përbën një potencial që mund të shfrytëzohet më mirë, në interes të të dy vendeve, ndaj duhet punuar nga të më shumë për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë për investime. Në këtë kuadër, palët evidentuan se duhet të konsiderohet mbajtja e forumeve të biznesit, të cilat jo vetëm do të krijojnë njohjen e mundësive që ofrojnë dy vendet, por do të sjellin më afër edhe komunitetet e biznesit.

Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, pas takimit dy Ministrat e Punëve të Jashtme nënshkruan “Marrëveshjen për Shërbimin Ajror”.

Gjatë kësaj vizite Ministri Bushati u prit në takim edhe nga Kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loong, si dhe zhvilloi takime me Drejtorin Ekzekutiv të Bordit të Turizmit, John Conceicao, Presidentin e Korporatës së Investimeve Qeveritare të Singaporit (GIC), Lim Siong Guan, dhe me Kryetarin e Federatës së Biznesit të Singaporit, Ho Meng Kit.

Në takimin me Kryeministrin Lee Hsien Loong u vlerësuan marrëdhëniet e mira ekzistuese dhe u theksua nevoja e intensifikimit të tyre. Ministri Bushati theksoi se Shqipëria ka një pozitë strategjike në Ballkan dhe është një portë hyrëse për investimet e huaja.

Gjatë ditës së dytë të vizitës në Singapor Ministri Bushati do të takohet dhe me Kryetaren e Parlamentit të Singaporit Halimah Yacob.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close