Stambolli në panik pas një shpërthimi, gjenden dhe dy bomba

Shpërthimi i një bombe në Stamboll ka shkaktuar panik në vend. Shpërthimi raportohet të ketë ndodhur në lagjen “Fatih” të Stambollit në një nënstacion elektrik, por nuk ka të dhëna për persona të lënduar.

Ditën e diel në Stamboll kjo nuk ishte e vetmja ngjarje e regjistruar, pasi janë gjetur dhe dy bomba të tjera në zona të ndryshme të qytetit.

Fillimisht kanë qenë banorë të zonës ata që kanë njoftuar policinë për një pako të dyshimtë të vendosur pranë bustit të Kemal Ataturk-ut, në zonën e Maltepe. Menjëherë forcat xheniere shkuan në vendngjarje dhe bënë shpërthimin e kontrolluar të lëndës plasëse. Raportohet se mbi kuti ishte lënë një shënim, ku thuhej se do të mbani përgjegjësi për ngjarjen e ndodhur ne Cizre, ku një 12 vjeçar mbeti i vrarë gjatë protestave në këtë zonë.

Pas kësaj në Sultangazi, një tjetër bombë u gjet në një paketë të lënë nga dy persona të maskuar në një stacion autobusi.

Sipas raportimeve te mediave turke, mbi pako ishte e shkruar “YDG-H”, e cila sipas tyre, është Lëvizja Atdhetare Revolucionare e Rinise, pjesë e Partisë së Kurdistanit, (PKK), parti e shpallur e jashtëligjshme. Ndërkohë efektivë të shumtë policie janë duke vijuar hetimet për zbardhjen e këtyre ngjarjeve. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button