Ukrainë: Përshkallëzohet beteja për aeroportin në Donjeck

Përleshjet ndërmjet ushtrisë së Ukrainës dhe separatistëve prorusë për kontrollin e aeroportit në Donjeck, kanë shënuar përshkallëzim gjatë ditës së djeshme, me ç’rast ka pasur eksplodime dhe të shtëna nga armatimi i rëndë. Nga këto luftime kanë mbetur të vrarë së paku gjashtë vetë.

Qeveria e Ukrainës ka dërguar përforcime në linjat e frontit me dëborë, ku pjesëtarët e ushtrisë ukrainase i kishin mbrojtur pozicionet e tyre, përkundër pretendimeve të separatistëve se e kishin marrë kontrollin ndaj gjithë kompleksit të aeroportit.

Trupat e qeverisë në këtë hapësirë e kanë përshkruar hedhjen e predhave kundër pozicioneve të tyre si të shtënat më të ashpra artilerike gjatë nëntë muajve të luftës.

Yuri Biryukov, nga presidenca e Ukrainës, tha se forcat qeveritare ishin në gjendje t’i evakuojnë 23 ushtarë të plagosur dhe trupat e pajetë të tre ushtarëve të vrarë nga hapësira e aeroporit, gjatë ditës së djeshme.

Luftimet për aeroportin në Donjeck kanë shënuar përshkallëzim gjatë ditëve të fundit, përkundër armëpushimit të arritur në muajin shtator të vitit të kaluar.

Prej muajit prill, kur ka filluar konflikti në pjesën lindore të Ukrainës, janë vrarë së paku 4,700 vetë.

Lajme të ngjashme

Back to top button