Thaçi fton romët që kishin ikur në Mal të Zi të kthehen në Kosovë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar përmes facebook-ut se gjatë qëndrimit të tij në Mal të Zi ka takuar qytetarë të komunitetit romë të cilët kanë prejardhje nga Kosova, që kanë ikur në vitin 1999.

Thaçi thotë se u ka kërkuar atyre që të kthehen në Kosovë, duke u garantuar lehtësi për të ndërtuar një jetë të lumtur.

Lexojeni të plotë njoftimin e Thaçit në Facebook

Sa isha në Podgoricë, poashtu u takova me familjarë romë me prejardhje nga Kosova e të ikur që më 1999 në Mal të Zi. Shumë prej tyre kanë shprehur dëshirën të kthehen, por uzurpimi i pronave, paragjykimi për siguri të mangët apo mungesa e dokumentëve ua pamundësojnë kthimin. Dy qeveritë tani kanë filluar procesin e pajisjes me dokumente ndërsa edhe programi i përkrahjes për ata që kthehen tanimë është aprovuar.
U kërkova përfaqësuesve të komunitetit romë, që ata që dëshirojnë, të kthehen patjetër në republikën e tyre, në shtëpitë dhe pronat e tyre duke u treguar qe qevera do të bëjë cmos për ta lehtësuar këtë kthim. I sigurova se tanimë kemi ndërtuar shtet ku cdo qytetar i saj mund të ndihet krenar me identitetin e vetë dhe të sigurtë për të ndërtuar jetë të lumtur. HTH

Lajme të ngjashme

Back to top button