Laboratori, “bujtina” e 2 ekspertëve kolumbianë, efektivi: Ranë në sy, harxhonin shumë energji

Laboratori i kokainës ndodhet rreth 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit dhe shumë pranë rrugës nacionale që lidh këtë qytet me Librazhdin. Vetëm 500 metra larg laboratorit ndodhet fshati i Xibrakës, nga i cili ka marrë edhe emrin operacioni policor i realizuar pak ditë më parë, ku u arrestuan 11 persona dhe u sekuestruan rreth 100 kilogramë kokainë. Nga jashtë laboratori nuk duket fare si i tillë, pasi është fshehur shumë mirë mes një magazine të madhe që merret me prerje të druve që ndodhet në krah të majtë të dy magazinave, të cilat deri pak ditë më parë janë përdorur për përpunimin e kokainës, ndërsa në të majtë ndodhet një pikë skrapi, në të cilën janë fiksuar dy kamera, të vetmet që ndodhen në ato objekte.

Laboratori është rrethuar nga mure të larta që pa frikë shkojnë deri në 2 metra dhe të rrethuara nga tela me gjemba, ndërkohë që dy efektivë policie qëndrojnë te porta kryesore, e cila hapet në orën 15:00. Pranë portës qëndron një qen gjuetie. E vetmja shenjë që tregon se je futur në një laborator kokaine është prezenca e madhe e policëve të FNSH-së, të cilët kanë mbushur oborrin e jashtëm të magazinave dhe me turne ruajnë objektin. Njëri prej efektivëve na shoqëron në ambientet e brendshme të laboratorit, ku që në fillim ndihet era e rëndë që vjen nga magazinat, në të cilat mendohet se prej kohësh dy kolumbianët e arrestuar kanë punuar për përpunimin e kokainës.

LABORATORI
“Punishtja” e kokainës është ndërtuar brenda mjediseve të dy magazinave të mëdha, të cilat lidhen me njëra-tjetrën përmes një muri të përbashkët, në të cilin është hapur një vrimë e madhe, përmes së cilës, anëtarët e grupit kalonin nga një mjedis në tjetrin, pa u detyruar që të dilnin jashtë magazinave. Në sallën e parë vihet re prania e madhe e fuçive të mëdha, në të cilat, ekspertët që na shoqërojnë na shpjegojnë se është bërë përzierja e acideve dhe lëndës organike. Kjo e fundit është e futur në disa qese të mëdha, mbi të cilat duket mbishkrimi “Policia e Shtetit”, dhe fare pranë tyre ndodhen bidonë të mëdhenj të bardhë, në të cilët shkruhet “acid sulfurik” dhe “acid klorhidrik”.

Në sallën e madhe të magazinës bien në sy tri sita të mëdha, të cilat janë përdorur nga grupi kriminal për kullimin e përzierjes së lëndës organike me acidet e ndryshme. Në njërën nga kovat vihen re shenjat se aty është nxjerrë kokainë dhe ekspertët na shpjegojnë se ky proces njihet ndryshe si “bagnomaria” dhe falë saj bëhet i mundur avullimi i acidit dhe përftimi i kokainës.

“E shikoni këtë pluhurin e bardhë anash buzëve të kovës? Është kokaina që po përftohej nga procesi i avullimit në momentin që ne bëmë arrestimet. Procesi ka mbetur i papërfunduar dhe kokaina ka mbetur në kovë, sepse ne ndërhymë në këtë moment dhe arrestuam këtu në magazinë dy kolumbianët, Ilir Hysenin, Gentian Gjonajn dhe dy vëllezërit Dalipi”, pohon njëri nga efektivët e policisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button