Interesante: Nëntëmbëdhjetë të famshmit që nisën si dështakë

Suksesi dhe dështimi nuk janë matës absolut të jetës së dikujt, por dy polet e një spektri të lëvizshëm. Historitë e 19 personave janë provë se një dështim sot jo domosdoshmërisht do të konsiderohet një dështim nesër.

Kurrë mos e nënvlerëso fuqinë e kohës! Ky është parimi numër një, kur bie fjala për realizimin e ëndrrave. Koha jo vetëm të jep aftësi për të përdorur talentet e tua, të ndjekësh ëndrrat dhe të lesh gjurmë në këtë botë, por u jep edhe të tjerëve hapësirë për t’i përshtatur perceptimet e tyre ndaj arritjeve të tua.

Thomas Edison

Një shpikësi të njohur për dështimet e tij të shumta, para arritjes së sukseseve, një nga mësuesit e tij i pati thënë: “Je shumë budalla për të mësuar”. Mirëpo, sot kushdo e njeh emrin e personit që shpiku llambën, edhe pse kjo i mori 1001 përpjekje derisa ia arriti. Durim i tij me këtë shpikje është një trupëzim i thënies së tij: “Nuk kam dështuar 10 mijë herë, por kam provuar 10 mijë mënyra që nuk kanë funksionuar”.

Walt Disney

Edhe kreu i mbretërisë më të madhe të animacionit në botë bëri një rrugë të vështirë. Në 1919-n ai u pushua nga “Kansas City Star”, pasi sipas redaktorit “i mungonte imagjinata dhe nuk kishte ide të mira”.

The Beatles

Kur grupi The Beatles u paraqit në audicionet e “Deça Records” më 1962, Dick Rowe i tha menaxherit Brian Epstein: “Grupet e kitarës kanë dalë nga moda”!

Herman Melville

Në jetën e autorit, vepra “Moby Dick” nuk konsiderohej si kryevepër. Pasi e publikoi romanin, Melville vuajti financiarisht për pjesën e mbetur të jetës. Ai përdori pjesën më të madhe të kursimeve të tij për të publikuar romanin e dytë, “Pierre”, që gjithashtu nuk u prit mirë. Para se të vdiste, ishte një kontrollor doganash në një port në New York.

Soichiro Honda

Honda, inxhinieri nga i cili e ka marrë emrin kompania e njohur e makinave, fillimisht dështoi në gjetjen e një pune në firmën e Toyotas. Ndaj, ai vendosi të bënte skuterë në garazhin e tij. Pak dihet se periudha e papunësisë do të bënte që ai të krijonte një biznes miliarda dollarësh.

Van Gogh

Pikturat e tij mund të kushtojnë miliona sot, por askush nuk i mori seriozisht gjatë jetës së piktorit. Në fakt, ai krijoi thuajse 900 piktura gjatë 10 viteve, por gjatë jetës së tij u shit vetëm njëra (një shokut të tij me një çmim shumë të ulët).

Taylor Swift

Ajo mund të ketë qenë 11 vjeçe, por e reja u përpoq në fillim për të gjetur një studio regjistrimesh në Nashville, Tennesse, e cila do të pranonte të nënshkruante një kontratë me të. Gjatë pushimeve të shkollës mori një CD ku këndonte karioke të këngëtareve si Dolly Parton, Dixie Chicks dhe LeAnn Rimes dhe u dërgoi kopje studiove. Më në fund ajo e gjeti rrugën: ka mësuar t’u bjerë disa instrumenteve muzikore, ka pushtuar skenën e vendit dhe pop-rokut dhe ka në dorë një nga kompanitë më të fuqishme muzikore.

Stephen King

Ky autor i suksesshëm amerikan i librave horror dhe triller pati nevojë për ndihmën e gruas, Tabby, e cila e ndihmoi që ta bindte shtëpinë Doubleday të publikonte librin “Carrie”. Që atëherë, ai është autori i 19-të më i shitur i të gjitha kohërave.

Harland David Sanders

Koloneli i preferuar nga “Kentucky Fried Chicken” duhet të bënte një luftë të fortë për të gjetur një recetë sekrete në botën e restoranteve. Ai u refuzua 1009 herë para se të zbulonte shijen e pulës së skuqur.

Charles Schultz

Karikaturisti që i solli botës “kikirikët” (Peanuts) përjetoi refuzime në fillim të karrierës së tij. Asnjë nga karikaturat që bëri për kalendarin e shkollës së mesme nuk u zgjodh ndonjëherë për t’u publikuar. E, më vonë Disney e refuzoi kërkesën e tij për punë. Ai besonte se “nuk mund të bësh humor, pa qenë i lumtur”.

Elvis Presley

Para se Mbreti i rock’n’rollit të bëhej i madh, menaxheri i Grand Ole Opy në Nashville i tha se do të ishte më mirë t’i kthehej punës së tij si shofer kamioni e jo të ndiqte karrierën muzikore.

J.K. Rowling

Para se Joanne K. Rowling të korrte sukses me Harry Potter, ajo ishte në vështirësi financiare: një nënë e divorcuar që përpiqej t’ia dilte mbante. Brenda pesë vitesh, seria e librave bëri bujë, duke e bërë atë autoren e parë miliardere.

Akio Morita

Themeluesi i kompanisë Sony konsiderohej një dështak, një kuzhinier orizi që digjte më tepër sesa gatuante. Por, pavarësisht shitjeve të pakta në fillim, ai e gjeti mënyrën për ta kthyer firmën në një kompani multimiliardëshe, siç e njeh bota sot.

Steven Spielberg

Ai është sot një nga prodhuesit e filmave më të suksesshëm në botë, por Universiteti i Kalifornisë Jugore refuzoi t’i jepte atij një rol në Shkollën e Teatrit, Filmit dhe Televizionit – madje tre herë. Sigurisht që ai nuk pranonte refuzime, pasi e ndoqi regjinë dhe shkolla e nderoi atë më 1994 me një titull honorar.

Lady Gaga

Diva njujorkeze e elektro-popit donte të ishte në qendër të vëmendjes që në fillim të karrierës së saj. Pasi u largua nga Shkolla e Arteve në Universitetin e New Yorkut për të ndjekur karrierën muzikore e për t’iu bashkuar “Def Jam Recordings”, qëndroi tre muaj në pritje për të firmosur, derisa filloi përsëri.

F. Scott Fitzgerald

Kishte shpresa shumë të mëdha për “Getsbin e Madh”, romanin e vitit 1925. Fatkeqësisht, libri u ndesh me kritika të kundërta dhe shitjet nuk ishin të mira. Pas vdekjes së tij në vitin 1940, libri u bë një vepër klasike e letërsisë.

Albert Einstein

Nuk mund të fliste deri në moshën katërvjeçare dhe as të lexonte deri në moshën shtatëvjeçare. Mirëpo, këto sfida nuk e penguan atë nga çmimi Nobel në fizikë për zbulimin e efektit fotoelektrik dhe zhvillimin e teorisë së relativitetit.

Claude Monet

Një nga artistët më të njohur të lëvizjes impresioniste, nuk u vlerësua për punën e tij sa ishte gjallë. Sot Monet konsiderohet si “princi i impresionistëve”.

Emily Dickinson

Poetesha e dashur, Emily Dickinson dështoi në fillimet e saj. Edhe pse la 1800 vepra të përfunduara, shumë pak prej tyre u botuan sa ishte gjallë. /Huffington Post/SHO/

Lajme të ngjashme

Back to top button