Kur lindi Ermali Hoxha, diktatori tha: Nipi do të bëhet dragua

Një nga arrestimet më të bujshme të ditëve të fundit është ai i nipit të diktatorit komunist Enver Hoxha, Ermalit. Lexuesit në internet ka dhënë komente të ndryshme për këtë ngjarje. Por, janë interesuar dhe për personalitetin e Ermal Hoxhës, që e morën në mbrojtje të dy prindërit e tij, Ilir dhe Teutë Hoxha.
Dyrrah riboton një fragment nga libri i rrallë publicistik i babait të Ermalit, Ilirit, me titull: “Babai im, Enver Hoxha”, ku flitet për lindjen e të arrestuarit dhe interesimin e udhëheqësit komunist për të. Fragmenti i shkëputur nga libri, mban titullin: “Një dhuratë e veçantë për ditëlindje”.

Teksti: “Së bashku me Teutën menduam që për ditëlindjen e tij [të Enver Hoxhës], në vend të dhuratës, t’i jepnim një lajm shumë të gëzuar dhe po kaq të veçantë, që do t’i binte në dorë nëntë muaj më pas…

‘I dashur baba.

Unë dhe Teuta të urojmë ditëlindjen. U bëfsh dhe 100 vjeç.

Kur ishim të vegjël, në ditëlindjen tënde bënim ndonjë vizatim ose merrnim angazhime që të dilnim mirë me mësime. Tani këtyre gjërave u ka ikur koha dhe ne të kemi bërë një dhuratë që besoj se do të të pëlqejë. Vetëm se na vjen keq që do ta marrësh pas nëntë muajsh.

Rroftë gjyshi se na jep lodra (ishin fjalët e vendosura në gojën e një bebeje që kisha vizatuar).

Të puth, Lilo.

16 tetor 1974’…

U gëzua shumë. Kur u takuam na përqafoi gjithë qejf për sihariqin që i dhamë. Por, siç e thashë, peshqeshi do të vinte pas disa muajsh dhe koha herë dukej sikur ecte shpejt e herë avash.

Kur dita e mezipritur po afrohej, unë e pyesja babanë:

‘Çfarë do të bëjë Teuta’?

Ai më përgjigjej:

‘Nuk mund ta përcaktoj unë se ç’është, djalë a vajzë. Ti mund të thuash se ç’dua unë. Unë dua qoftë djalë’, dhe pasi u mendua pak shtoi, ‘qoftë çupë’ dhe qeshi. ‘Që të dy i mirëpres me padurim. Po preferoj më mirë djalë, meqenëse të kam ty djalë më të madh, tjetri më bëri një çupë të mirë e të bukur dhe unë kërkoj që ti, domethënë Teuta’ dhe qesh, ‘se ti s’bën gjë, të bëjë një djalë që të bëhet trim, të bëhet dhe i vendosur për atdheun, të jetë i zgjuar e të mësojë mirë’.

Ditën e ‘peshqeshit’ gëzimi ishte i madh për gjithë familjen. Edhe kësaj radhe e para e mori vesh mamaja, megjithëse çdo gjë ishte organizuar që kësaj herë lajmin ta merrte vesh i pari babai. Por, s’qe e thënë. E kishim organizuar që lajmi të vinte me zarf dhe ashtu u bë, por në atë moment ai i kishte duart e zëna se po pinte kafenë dhe i tha mamasë që t’ia hapte ajo zarfin. Ajo e hapi dhe kur nxori letrën me lajmin e lindjes së djalit, lëshoi një klithmë gëzimi. Kështu dhe këtë herë ajo e kishte marrë e para vesh lajmin…

Të nesërmen babai i çoi këtë letër Teutës në maternitet:

‘Shumë e dashura Teuta.

E merr me mend sa i papërshkruar ishte gëzimi im dhe i gjithë familjes, tani kur morëm lajmin gazmor që ti u çlirove dhe linde çunin e dashur që kishim paravendosur dhe na e linde të shëndetshëm e të bukur. Ma gëzove zemrën pa masë, vajza ime e dashur. Të na rrojë Ermali: siç ia kishim zgjedhur dhe vendosur emrin së toku, sa malet, të rrosh ti, Iliri, dhe ta rrisni të lumtur dhe të gëzuar, se dhe ai do na e bëjë dhe ne pleqve, gjyshes dhe gjyshit, jetën të lumtur edhe të gëzuar. Pres me padurim e me mall që ti dhe Ermali të më ktheheni sa më parë në shtëpi, do t’i shtyj me zor këto dite, por mendjen e kam tek ju, të dashurit e mi, që ju puth e ju puth me mall.

Zërin e Ermalit e dëgjova të incizuar në magnetofon. Me të vërtetë ishte zë i fortë, si i partizanëve në male, si era që fryn e vrullshme nga malet dhe i hodhi në det armiqtë e atdheut. I tillë, dragua, duket se do të na bëhet vëllaçkua i Valbonës: Lumi dhe Mali. Kur të rriten ca, do ta bëjnë të gëzuar, do të buçasë nga zërat dhe lodrat e tyre dhe unë do të bëhem i ri, do të gëzoj tok me ta.

Teuta e dashur, si kur lindi Valbona, ashtu dhe kur lindi Ermali, isha i fundit që e mësova lajmin. Doja për Ermalin t’ia merrja unë asaj, Nexhmijes, sihariqin, dhe ky rast më erdhi, por më shpëtoi nga dora. Kur të vish në shtëpi do të ta them me hollësi si më ndodhi.

Kur e morëm vesh, ishim në sallën e bukës, dhe jo në krevat, si natën që lindi Valbona. Të ishe nga ndonjë anë e të na shihje: ishim çuar të gjithë në këmbë dhe të gëzuar në kulm bërtisnim: të na rrojë Teuta, Iliri. ErmaIi, e putheshim e përqafoheshim! Suloja [Gradeci] na merrte ne në film, doktor Isufi [Kalo] kishte hapur magnetofonin dhe Ermali gërthiste.

Morëm Reshatin dhe Belin në telefon, i uruam, dëgjuan dhe zërin e çunit, ishin në kulm të gëzuar.

Ilirin ç’e mbante nga gëzimi, që u çlirove ti dhe që i linde djalë. Ai na mburrej edhe sikur na thoshte: ‘Di unë ç’bëj, çdo gjë e kam me plan’.

E dashura Teutë, të puth e të përqafoj me mall. Mos u mërzit, se pak ditë do të rrish në maternitet. Të presim ne padurim në gjirin e familjes tënde që të do shumë, të presim me padurim: gjyshi dhe gjyshja që ju duan shumë ty dhe Ermalin.

Babai tënd, Enver

9 qershor 1975’…

Ndërsa mamasë i drejtohej me një si vjershë të improvizuar nga gëzimi i momentit dhe me kujtimet e tij të largëta. Ja ç’i shkruante: ‘Nexhmijes, ta lexojë duke pirë çajin kur të çohet. Dërgon Enveri, gjyshi i Valbonës dhe i Ermalit: Letrën tënde unë e mora, / Me një etje e këndova, / Çka më shkruaje e mësova. / Me sy hapët ëndërroja! / Te Teuta edhe te djali. / Se aq shumë më mori malli! / Desh Ermali që të vinte, / Të vinte të më pushtonte, / Sa shumë do më gëzonte! / Lum si ne, Nexhmija ime, / Jeta mbushet me gëzime! / Këndon Valbona kristali, / Mrekulli ia kthen Ermali. / “Gjyshe, gjysh, shumë ju duam, / Pse në lumenj e në male, / Ku atje juve luftuat, / U njohtë dhe u dashuruat. / Ne atje kemi burimë, / Mëmëdhe kemi Shqipërinë”.

Enver.

Shkruar më datën 9 qershor 1975’…

Dita e mirëpritur erdhi. Unë vajta në mëngjes dhe e pyeta babain ç’ndiente dhe ai m’u përgjigj: ‘Sot është 14 qershor. Natyra qesh, shiko se ç’blerim është, mirëpo qesh dhe zemra c gjyshit se më hyn në shtëpi për herë të parë i vogli im i dashur, Ermali, djali i Ilirit dhe i Teutës. E pres me padurim, o Lilo. U çova në mëngjes, i hodha një vështrim fotografisë të tij që kam te koka e krevatit dhe i thashë: Buçko, sot do të më vish dhe do të të marr në duar dhe do të të çoj në krevatin tënd, që ka qenë krevati ku ka fjetur dhe babai tënd kur ka qene i vogël si ti. Dëshira ime është të arrij të rroj, të shoh në po të njëjtin krevat, dhe djalin tënd, o Ermal. Kjo nuk është e pamundur, se gjyshi është kockë e fortë. Po shko, shiko se ç’bën gjyshja’…

Pasi bëmë fotografi, regjistruam filma, incizuam në magnetofon, me djalin në duar, shkuam te dhoma, ku do ta vinim në krevat.

‘Dale-dale, se do ta vejë gjyshi në krevatin e tij. Hë, të na rritesh. Ky është i bukur, mo! Ju ndaloj ta puthni, veçse Teutës i lejohet. Shiko, unë them se i ngjan Teutës nga fytyra, ndërsa kokën e ka të bukur si të Lilos. Qesh pak, o trimi i gjyshit ti! Prit t’i flas njëherë dibrançe (‘Jo, jo, thotë mamaja, qe është nga Dibra). E po mirë do t’ i flas gjirokastritçe: Si i ke sitë, jeshile apo si thëngjill. Ja, shiko si i merr erë gjyshi në faqe prandaj ia vuri Ermal. Të mori gjyshi në fotografi, film, kur të rritesh do t’i shohësh’.

Nga muhabetet djali fillon të zgjohet dhe ai i thotë: ‘Qaj një çikë të të dëgjojë gjyshi, shih si i dridhet buza’…”.

Lajme të ngjashme

Back to top button