Deri kur unë e ti në gjumë?

Ç’të flas për vendin tim, të them të bukurën apo të shëmtuarën kur e kuptoj se çdo e bukur u shëmtua dhe çdo e shëmtuar u zbukurua.

Është vështirë ta shoh këtë situatë të mjerueshme në vendin tim. Kushtet e vështira të jetës po ndryshojnë çdo kod moral te populli ynë, për të cilin dikur fjalët miradije nuk kishin kuptim për mrekullitë e moralit, nderit e besës që posedonim.

Pas lufte lirinë e prita me pëllumba në duar, jam shkopitur nëpër rruge e male për të arritur të ngritur lart gjakun e sa e sa brezave të cilët për këtë vend u shuan.

Shpresova se ditët më të mira do të më vijnë, nuk besova se do të përulem mbi vatër për një copë buke, nuk besova se do të vizitoja çdo kontejner mbeturinash për të gjetur kafshatën,
nuk besova se i diplomuar do të qëndroj me paketa cigaresh nëpër rrugë, nuk besova se edhe bindjen time fetare duhet ta mbaj të fshehtë.

Nuk e besova që bijtë e këtij vendi do të bënin pazarllëqe për interesat e tyre, nuk besova se ‘atdheu‘ do të përdorej për qëllimet e tyre milionëshe, për banesat luksoze, pasaportat diplomatike, sekretareshat lozonjare, pushimet jashtë shtetit, në plazhet e Spanjës, Amerikës, Azisë e Afrikës. Ah vendi im, kur shikoj që për varre mu bë liria e ëndrrat mu shuan, ah more politikanët e popullit tim.

Në pallatin e shtetit sorrat, ujqit, dhelprat me buzëqeshje na u bënë pëllumba. E kur në kundërshtim bien interesat e tyre, i sheh deputetët e tërbuar kur rrihen me grushte e shahen me fjalët më të ulëta rrugaçësh në seancat e kuvendit.

Deri kur, o mendje e bekuar, do të pranojmë të na shalojnë si kalë e gomar! A mërzitet dikush për dhimbjet e këtij populli? Të varfër dje, të varfër sot, të varfër nesër, përsëri të varfër!

Nuk besoj që javën tjetër na pret ndonjë krizë. Kalendari i këtij populli është mbushur me kriza. Në politikën e tyre ka dy rregulla ose duhet ta tradhtosh vendin ose elektoratin.
Si të nevojshme ata e panë ta tradhtojnë të parin… Nuk kam urrejtje ndaj udhëheqësve si njerëz, por ndaj paditurisë dhe dinakërisë tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button