Ukrainë: Qeveria e ka nën kontroll aeroportin në Donjeck

Zyrtarë qeveritarë të Ukrainës i kanë hedhur poshtë pretendimet e separatistëve prorusë të paraqitura në mediat ruse, se ata e kanë në tërësi nën kontroll aeroportin në Donjeck.

Zëdhënësi ushtarak i Ukrainës, Andriy Lysenko, tha sot se forcat e Ukrainës “po vazhdojnë ta mbajnë këtë pikë strategjike nën kontrollin e tyre”.

Ai mëtutje, ka theksuar se militantët separatistë ishin përpjekur të sulmonin, por kishin “pësuar humbje të rënda”.

Më herët gjatë ditës, mediat ruse kanë raportuar se luftëtarët separatistë prorusë në pjesën lindore të Ukrainës kanë pretenduar se në mënyrë komplete e kanë marrë kontrollin ndaj aeroportit ndërkombëtar në Donjeck nga forcat e Ukrainës.

Aeroporti ishte skenë e luftimeve pothuajse të çdoditshme ndërmjet dy palëve, përkundër armëpushimit formal për këtë konflikt në pjesën lindore të Ukrainës, gjatë të cilit janë vrarë së paku 4,700 vetë.

Lajme të ngjashme

Back to top button