Pushteti i ‘heronjve të luftës’

nga Dionis Xhafa
Kur persona të caktuar bëhen protagonistë në shoqëri të caktuara, për këta persona jepet një gjykim moral rreth asaj ç’ka përfaqësojnë. Në kohët moderne që jetojmë, e duhura është përqafimi i idealit të pastër patriotik, i dashurisë së pastër ndaj atdheut dhe vlerave morale shoqërore të gjithëpranuara .
 
Sidomos në shoqëritë ballkanase, që kanë njohur tronditje të thella nga luftërat apo ndryshimet e sistemeve, dallimi bëhet edhe më i vështirë.
 
Largësia morale mes patriotit dhe “kriminelit”
 
Ka një largësi tejet të madhe morale mes një patrioti vërtetë të këtillë dhe një personi që ka lyer duart me krimin. Në këtë logjikë lehtë mund të gjykojmë diktatorë të tillë si Enver Hoxha, Josip Tito, Slobodan Millosheviç, Nikolae Çaushesku etj.
 
Shumica prej tyre erdhën në pushtet si triumfatorë të luftës. Duke qenë se e fituan luftën, këta persona morën mbi vete lavdinë e saj dhe veshën petkun e patriotizmit. Por, se më tej sistemi që ngritën u shndërrua në kriminal, duke shkelur në këtë mënyrë çdo parim moral që do i lidhte me patriotizmin.
 
Njëjtë në konsideratë mund të merret edhe koha e luftës në ish-Jugosllavi. Persona të caktuar janë heronj të një etnie dhe konsiderohen “kriminelë” të një etnie tjetër. Gjykimi moral dhe parimor qoftë edhe i një serbi mbi figura të tilla si Millosheviç, Arkan, Mlladiç etj. duhet të jëte një i prerë, se janë fytyra që përfaqësojnë krimin, të gjykuar ndërkombëtarisht.
 
Edhe në “botën shqiptare” ka jo pak raste kur diktatorët apo persona që dyshohet se kanë përlyer duart në krim ndaj një etnie tjetër kanë mjaft ithtarë . Ngritja si heronj e këtyre personave është në rradhë të parë fyerje ndaj të drejtave dhe lirive njerëzore.
 
“Heronjtë” dhe pushteti
 
Duke qenë se Kosova sidomos, e paksa edhe Maqedonia janë përfshirë në konflikte të ashpra, dukuria e “heronjve të luftës” këtu është tejet e pranishme.
 
Sot, klasa politike e Kosovës në shumicë dërrmuese përfaqësohet nga “krahu i luftës”. Njerëz të tillë të ngritur si “heronj” nga popullata, jo pak abuzojnë me pushtetin.
 
Njeriu i konsideruar si politikani më i fuqishëm në Kosovë, Hashim Thaçi, ish-udhëheqës politik i UÇK-së, megjithëse e ka ulur ndjeshëm të qënit një hero për kohën kur mbante këtë funksion, ka kryer jo pak korrupsion në qeverisje (raporte ndërkombëtare).
 
I diskutueshëm është edhe “Grupi i Drenicës”, ku mes personave që po gjykohen është edhe Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së, tashmë me pozitë politike. Procesi gjyqësor ndaj tij është në proces dhe nuk duhet gjykuar derisa drejtësia të japë fjalën përfundimtare, por se në rast të ndonjë implikimi të mundshëm të tij në afera kriminale, e mira është që opinioni publik të anojë nga drejtësia dhe jo nga “njeriu hero”.
 
Edhe në Maqedoni qysh prej konfliktit të armatosur mes UÇK-së (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) dhe ARM-së (Armata e Maqedonisë), në pushtet ka kaq kohë që rri më së shumti partia që lindi nga UÇK-ja, BDI.
 
Në shumicë dërrmuese ushtarët u dënuan, duke u konsideruar si “terroristë që kërkojnë destabilitet të shtetit”, e ndërsa udhëheqësit politik u shpërblyen me poste shtetërore dhe ndajnë sot pushtetin me partinë maqedonase, VMRO.
 
Gjithsesi, BDI në ideologjinë e vet duket të mos jetë larg parimeve të veta, të majta, sikundër edhe lufta guerrile për të drejta dhe liri anon nga e majta.
 
E vërteta është se politikanët shqiptarë në pushtet kanë mundur ta ulin delirin që jep lufta, por se problem mbetet fakti se Ali Ahmeti ka kaq kohë në pushtet dhe ndërrimi i elitës politike duket i vështirë.
 
Nacionalizmi përforcon mitet dhe ndihmon pushtetin, rasti “Vuçiç”
 
Të arsyetuarit nën ethet e nacionalizmit shtrembëron realitetin dhe çon në të logjikuarit larg racionalitetit. Rasti më i pastër i një realiteti të këtillë është ai i deklaratave nacionaliste të Aleksandër Vuçiç në veri të  Kosovës, ku tha ndër të tjera edhe se “Kosova është djepi i Serbisë”. Ky togfjalësh është kryekëput mitik që merr bazat nga historia e fryrë e Serbisë.
 
Pasojat e nacionalizmit ndër njerëz janë thuajse shkatërruese, pasi si rrjedhojë e ndjesisë nacionaliste njerëzit priren të besojnë gjëra të stërmëdha larg realitetit, duke mos mundur ta shohin atë siç është në të vërtetë.
 
Në rastin konkret, janë serbët ata që brumosen nga kryeministri i tyre me ide që as i përkasin kësaj kohe dhe nuk janë aspak të drejta për shekullin që e jetojmë.
 
Nacionalizmi është jo pak fajtor në heroizimin e figurave jo pak të dyshimta. Serbët në masë në mos adhurojnë, kanë adhuruar persona që kanë bërë krime mbi civilët.
 
Po ky nacionalizëm bën që Vuçiç të ngrejë lart figura si Mbreti Milutin i Serbisë, një person me ambicie të pafre pushteti, që përmes krimeve dhe kërdisë mbi popullatën civile, arriti ta shtrijë mbretërinë e tij jo vetëm deri në Kosovë, por edhe në Shqipëri.
 
Kjo dëshmon se Vuçiç në pikëpamjet e tij mbivlerëson territorialitetin e Serbisë dhe aspak vlerat që përcjell figura historike në fjalë.
 
Nga “heronj” në “kriminelë”
 
Kryeprokurori për krimet e luftës në Serbi Vladimir Vukçeviç, i cili megjithëse nuk e ka kryer sa duhet punën e tij (raporte të Amnisty International) ka rrëfyer rreth eksperiencës 12-vjeçare në krye të hetimeve për krimet e luftës.
 
Vukçeviç ka thënë se jo rrallë janë hetuar, gjykuar dhe dënuar persona që deri më dje konsideroheshin si “heronj”. Pasojë e çoroditjes së popullit serb, sesi njerëz të konsideruar heronj shndërrohen krejt papritur në “kriminelë”, është mekanizmi propagandistik i vënë prej kohësh në skenë në Serbi.
 
Heronjtë dhe vlerat që ata transmetojnë
 
Realiteti ballkanik është i atillë, sa më shumë nga ç’prodhohet, historia konsumohet.
 
Po të vëzhgosh me kujdes qendrat e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Beogradit etj. janë të vendosura në shesh figura të historisë që kanë luftuar.
 
Për aq kohë sa në Ballkan qëndron në këmbë nacionalizmi, paqja është më e vështirë të arrihet dhe e vërteta do të qëndrojë gjithnjë e më larg.
 

Lajme të ngjashme

Back to top button