fbpx

Shqiptari krijoi aplikacionin, për t’i bërë të huajt zviceranë

Blerim Bunjaku është një ekspert i IT, afarist i suksesshëm dhe politikan i ri shqiptarozviceran që jeton në Winterthur të Zvicrës. Ai u bë i njohur vitin e kaluar si kandidat për Asamblenë e Winterthurit, me partinë që mbron vlerat e krishtera, EVP. Fakti që Blerimi mysliman kandidonte për një parti evangjeliste, kishte shkaktuar disa reagime në mediet zvicerane. Ai nuk kishte arritur të zgjidhej në postin e këshilltarit komunal, por ishte zgjedhur përgjegjës për shkollat fillore të një zone të qytetit të tij.
Ndërkohë, Bunjaku ka shpallur kandidaturën e tij për deputet kantonal dhe nacional po për EVP-në, në zgjedhjet që mbahen në prill, respektivisht në tetor të këtij viti.

Ajo që e bën Bunjakun aktual tash, është fakti se ai ka realizuar një aplikacion interesant në shërbim të kandidimit të tij për deputet në nivel kantoni. Në këtë aplikacion ai ka futur rubrikën “Schweizermacher” (“zviceranbërësi”, personi që ua jep shtetësinë zvicerane të huajve). Përmes kësaj rubrike, politikani i ri ofron leksione plotësuese mbi rregullimin shtetëror të Zvicrës, mbi historinë dhe njohuri të përgjithshme.

I pyetur nga albinfo.ch se çka nënkupton ky aplikacion, Bunjaku thotë se bëhet fjalë për një novacion që nuk ka ekzistuar më parë në Zvicër.

“Dëshiroj të ndihmoj të huajt që duan të marrin shtetësinë zvicerane, duke mësuar në mënyrë më të përmbledhur dhe më praktike atë që u duhet për një gjë të tillë. Por, mund t’ju hyjë në punë edhe zviceranëve, pasi që në të ka informacione të dobishme për secilin. Ideja ishte që të bëj diçka për një integrim më të mirë të të huajve, pasi shumica e politikanëve vetëm flasin rreth integrimit, por nuk marrin kurrfarë iniciative, shton Bunjaku.

Përveç kësaj , “Schweizermacher“ tregon vizuelisht edhe mënyrën e votimit në Zvicër.

“Së shpejti vjen edhe Aplikacioni për Android në PlayStore“, thotë Bunjaku, duke shtuar se është kundër përkthimit të tekstit të aplikacionit të tij në gjuhët tjera, pasi njohja e gjuhës, në këtë rast e gjermanishtes, është kushti kyç për integrimin.

Aplikacioni deri tash është vizituar rreth 1600 herë, me një mesatare prej 20 herësh në ditë.

Edhe pse ka kaluar fare pak kohë nga krijimi, ai ka bërë jehonën e vet në Zvicër.

”Tashmë janë paraqitur personalitete të ndryshme nga politika. Shumica më përgëzojnë dhe kanë treguar mbështetjen e tyre. Gjithashtu më kanë kontaktuar edhe autoritetet e Federatës”, thotë Bunjaku. /albinfo/

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close