Shkëndija sjell një super përforcim

Shkëndija siguron përforcim senzacional, duke angazhuar në rradhët e saj sulmuesin nga Kameruni, Mahmmadou Idrissou. Pasi kompletuan ekipin me futbollistë të rinj në pozitat ku vlerësohej se ka nevojë për risi, drejtuesit e klubit sjellin goditje të fuqishme dhe të paparë deri më tani në merkaton e futbollit në vend. 34 vjeçari bëhet futbollisti më i famshëm që ndonjëherë ka zbarkuar në kampionatin e Maqedonisë, kur dihet përvoja e tij shumëvjeçare në skuadra të Bundesligës së Gjermanisë dhe përfaqësueses së Kamerunit. Ai me Shkëndijën firmosi kontratë njëvjeçare.

“Përshëndetje të gjithëve. Ju falemenderoj për gjithçka, unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e Shkëndijës. Unë kam qenë shumë vite në Gjermani në disa klube të njohura, mirëpo jam shumë i lumtur që tani jam këtu. Qëndroj këtu që nga dita e djeshme, sot kalova edhe testet mjekësore dhe ndjehem pak i lodhur. Aryseja kryesore pse jam këtu është pronari i klubit z. Lazim Destani të cilin e falemederoj shumë. Jam takuar me atë në Gjermani kur kemi biseduar për një orë dhe unë mbeta i befasuar dhe i premtova që do të jem këtu. Nuk më besoi, por tani si që e shihni unë jam këtu dhe ai duhet ta besojë këtë. Unë i premtoj që do ta bëjë Shkëndijën edhe më të fortë dhe do të luajmë në kupat europiane. Unë duhet të bëj më shumë nga kjo që premtoj, pasi nuk bëjmë asgjë nëse vetëm premtojmë. Do bëj gjithçka që Shkëndija të bëhet edhe më e fortë se sa që është. Sezoni fillon në Mars dhe deri atëherë do të njoftohem me ekipin, pasi tani më unë njof presidentin, menaxherit, njof gazetarët dhe trajnerin me të cilin gjithashtu jemi njoftuar. Mirëpo kur të fillojnë seancat stërvitore mendoj se do njihemi më mirë me njëri tjetrin. Çka mund të them më shumë, jam këtu dhe premtoj se do të jap gjithçka që Shkëndija të bëhet edhe më e fortë. Dua t’ju tregoj të gjithëve se kam luajtur për një kohë të gjatë në Bundesligën Gjermane, ndërsa vetëm në dy raste kam luajtur jashta Gjermanisë, një herë isha në Paris ku luajta në Caen, ndërsa së fundmi kam qenë në Izrael. Mirëpo tani jam këtu dhe Shkëndija është shtëpia ime e re. Mund të flasim dhe premtojmë, mirëpo mendoj se nuk është nevoja për këtë. Ne duhet vetëm të punojmë dhe jo të flasim shumë. Mendoj se ky do jetë viti ynë. Të gjithë që më njohin në Gjermani e dinë se kur unë them diçka, e bëj atë“, deklaroi Mahmmadou Idrissou në prezantimin e tij si futbollist i Shkëndijës.

Sa i përket të kaluarës, për njohësit e mirë të futbollit, posaçërisht të atij gjerman, thuajse nuk është e nevojshme për të përshkruar Mahmmadou Idrissou-n dhe karrierën e tij. Gjithsesi vlen të ceket se thuajse gjatë gjithë karrierës ka luajtur në ekipe gjermane, duke regjistruar 123 gola në Bundesligë dhe Bundesligën e dytë, shumë gola në kuadër të Kupës Gjermane dhe ndeshje kontrolluese, ndërsa ka realizuar 9-të herë në 41 paraqitje për përfaqësuesen e Kamerunit.

Mes tjerave, ai ka luajtur për Hanoverin, Duisburgun, Freiburgin, Borusia Munshengladbahin, Ajntrahtin e Frankfurtit dhe Kaisarslauternin, për të cilët në periudhën mes vitit 2012 dhe 2014 shënoi 30 gola në 61 paraqitje. Ai vjen për të përforcuar sulmin e Shkëndijës, ku i bashkohet Vruçinës dhe Kirovskit. Mahmmadou Idrissou bëhet përforcimi i shtatë i Shkëndijës në këtë merkato, pasi paraprakisht firmosën Besir Demiri, Viktor Nildo Xhufo, Stefan Ashkovski, Enes Azizi, Nikolla Vukçeviç dhe Mevlan Adili.

Lajme të ngjashme

Back to top button