Ambasadorët në Maqedoni, nuk përfillen fjalët e tyre

Ambasadorët e huaj në mënyrë të vazhdueshme u bëjnë thirrje të gjithë faktorëve relevant që të përmirësohet gjendja në vend dhe të përmirësohen ato fusha për ta cilat Maqedonia u kritikua jashtë mase në raportin e fundit të KE-së. Edhe pse këto thirrje janë bërë disa herë nga disa ambasador, analistët vlerësojnë se ato nuk merrem më seriozitetin e duhet nga ana e politikanëve.

Analisti Albert Musliu vlerëson se thirrjet nga ambasadorët bëhen për shkak të realitetit të hidhur dhe raportit tejet negativ ndaj luftës së korrupsionit, varësisë së gjykatave, mungesës së dialogut politik.

“Këto thirrje bëhen për shkak të realitetit të hidhur dhe raportit tejet negativ ndaj luftës së korrupsionit, varësisë së gjykatave, mungesës së dialogut politik. Këto janë vërejtje të shkruara dhe të dëshmuara fatkeqësisht. Insistimet janë për shkak të gjendjes alarmante dhe ajo që vërehet qartë është se më thirrjet nuk bëhen në vokabularin diplomatik, por ato janë të drejtpërdrejta, të thëna troç”, tha për Portalb, Musliu.

Ai shtoi se thirrjen merren parasysh po për fat të keq jo me seriozitetin e duhur, dhe nuk bëhet asgjë për përmirësimin e situatës në vend.

“Mendoj se thirrjet merren parasysh por ndaj tyre bëhen improvizime sa për tu larë sytë ambasadorëve. Subjektet politike shqiptare janë më sensitive ndaj vërejtjeve por bilanci i fuqive është se partneri më i madh në koalicion vendos më shumë lidhur me seriozitetin e zgjidhjes së problemit. Po të merreshin parasysh me seriozitet dhe të punohej në mënjanimin e vërejtjeve që i bëhen Maqedonisë nga ndërkombëtarët, ne sot do të kishim kushte dhe jetë shumë më të mirë”, tha Musliu.

Gjithashtu edhe profesori universitar, ish ministri i jashtëm Denko Malevski vlerëson se vërejtjen dhe thirrjen e ndërkombëtarëve nuk merren me seriozitetin e duhur nga politikbërësit dhe fatkeqësisht ambasadorët nuk mund të bëjnë asgjë më shumë përveç thirrjeve.

“Ky problem është prezent me vite. Vërejtjet dhe thirrjet që bëjnë ambasadorët e huaj siç është ai Amerikan dhe i BE-së, fatkeqësisht nuk merren me seriozitetin e duhur nga ana e politikbërësve, kurse ambasadorët nuk kanë të drejtë të bëjnë asgjë më shumë përveç thirrjeve dhe vërejtjeve. Shpesh herë të tilla janë bërë për anëtarësimin në NATO dhe në BE por siç e shohim situatën sot, ende jemi shumë larg realizimit të këtyre qëllimeve”, tha për Portalb, Malevski.

Ai shtoi se për politikanët tanë më e rëndësishme janë zgjedhjet dhe nuk shohin më larg.

“Për politikanët tanë ajo që është më e rëndësishmja është fitimi i zgjedhjeve politike në vend dhe kështu ata nuk shohin më larg se ky qëllim. Dhe fatkeqësisht nuk pres ndonjë ndryshim në të ardhmen e afërt. Do të vazhdojmë të kritikohemi nga ndërkombëtarët, përderisa politikanët tanë i kushtojnë rëndësi aq të madhe zgjedhjeve dhe jo zgjidhjeve të problemeve të shumta që kanë kapluar Maqedoninë”, tha Malevski.

LEXO MË SHUMË:

Volers, bën thirrje për ndërtimin e një shoqërie multietnike

Volers: Liderët përfitojnë vetë nga politika, kjo është recetë për të shkatërruar shtetin

Orav: Gjeni bashkëbisedues për emrin

Raporti i KE-së para përfaqësuesve të BDI-së

Orav më në fund foli për çështjen e emrit në Maqedoni

Lajme të ngjashme

Back to top button