BFI lufton ata që manipulojnë të rinjtë në emër të Islamit

Gjatë një interviste për Radio Shkupin, Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së ef. Afrim Tahiri, veç tjerash ka reflektuar edhe mbi sendërtimin urgjent dhe të domosdoshëm të një ideje. Fjala është për formimin e një këshilli gjithëkombëtar me përfaqësues fetar nga trojet shqiptare dhe ekspertë të sferave të ndryshme, i cili do të merrej me shqyrtimin e problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë në ditët e sotme.

“Është koha për t’u formuar një këshill gjithëkombëtar nën patronazh të Kryeministrit ose Kryetarit të Shqipërisë. Këshilli do të përfshinte ekspertë të sferave të ndryshme, autoritete qeveritare me relevancë dhe përfaqësues të bashkësive islame të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës si dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare. Qëllimi është për të krijuar strategjinë e përbashkët për mbrojtjen e vlerave tona të larta shpirtërore, kombëtare dhe fetare, siç është për shembull harmonia ndër-fetare në botën shqiptare. Gjithashtu, ky këshill do të ndikonte pozitivisht edhe në mbrojtjen e vetë institucioneve fetare nga tendencat e ndryshme që po imponohen në emër të feve apo të religjioneve. Me këtë padyshim se do të kontribuohej në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botën shqiptare, në rajon dhe më gjërë. Kombi shqiptar gjendet para  një sfide tepër të rëndë dhe për tejkalimin e saj është nevojë imediate formimi i këtij Këshilli gjithëkombëtar. Nuk guxojmë të vonohemi! Përderisa forca të ndryshme po grupohen dhe po punojnë kundër vlerave tona shumë të shtrenjta, atëherë edhe ne sa më shpejtë duhet të dalim me një trupë ekspertësh dhe kompetentësh të prirur nga kreu më i lartë i Shtetit Shqiptar”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i BFI-së.

Tahiri, gjithashtu theksoi se BFI në Maqedoni ka përpiluar Projekt për parandalimin e radikalizmit dhe përfshirjes në terrorizëm ”Stop RadTerr” i cili tashmë i është dorëzuar kryeministrit të vendit, komunave, ambasadave si dhe asociacioneve të ndryshme ndërkombëtare në vend.

“Përmes Projektit “STOP RadTerr” kërkojmë bashkëpunimin e institucioneve  me relevancë për të punuar bashkërisht në parandalimin e radikalizmit dhe përfshirjes në terrorizëm. BFI e RM në këtë drejtim ka pasur një sërë aktivitetesh dhe do të vazhdojë të shtrijë aktivitetet e saja gjithandej.”

Më tej Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së ef.Afrim Tahiri, Radio Shkupit i tha se duhet të punohet edhe me familjarët e dëshmorëve që të pranohen nga shoqëria, dhe jo të jetojnë nën presion të rëndë të stigmatizimeve shoqërore dhe shtetërore.

“Nuk ka dyshim se me kujdes të veçantë duhet të punohet edhe me familjet e të rënëve në luftra, të shihen hallet e tyre dhe të ndihmohen. Shoqëria duhet të përgatitet t’i pranojë e jo të jetojnë nën presionin e të akuzuarit.”

Projekti “Stop RadTerr” i hartuar nga ana e BFI-së ka për qëllim ndalimin e rekrutimit të mëtejshëm dhe të manipulimit të të rinjve tanë në emër të Islamit. Projekti buron dhe mbështetet në porositë kuranore si dhe ne mësimet dhe prakitikat e Pejgamberit, Muhamedit a.s., ka theksuar sekretari i përgjithshëm i BFI-së ef. Afrim Tahiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button