A ka Islamofobi në Maqedoni

Numri i protestave dhe sulmeve kundër Islamit në Evropë po shënon një rritje të shpejtë, ndërsa mendimet e shumicës së ekspertëve të Maqedonisë thonë se në Maqedoni nuk ka paraqitje të Islamofobisë. Gjithashtu edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë njoftoi se gjatë vitit 2014 nuk janë evidentuar sulme ndaj objekteve islame apo raste tjera islamofobie.

Anadolu Agency (AA) ka arritur të diskutojë për këtë çështje me disa analistë të Maqedonisë, të cilët thonë se në Maqedoni konteksti ndëretnik dhe politik është aq i madh sa që i mbulon të gjitha kontekstet dhe konfliktet tjera.

– Gyner Ismaili: Diskriminimi etnik ka lënë anash diskriminimin fetar

Ish-ministri i Kulturës së Maqedonisë dhe analisti Gyner Ismail, në pyetjen nga gazetari i AA-së se a ekziston Islmafobia në Maqedonia tha se kjo nuk është një pyetje për të cilën mund të përgjigjesh shkurtimisht Po ose Jo sepse gjendja në këtë vend është shumë më e komplikuar dhe sigurisht Islamofobia nuk ekziston vetëm në vetvete, nëse nuk ushqehet nga ana tjetër me krishterofobin dhe fobitë tjera sociale. Ai shtoi se në Maqedoni rritja e shpejtë e diskriminimit në bazë të përkatësisë etnike ka lënë anash diskriminimin në aspektin fetar.

“Qytetarët e Maqedonisë të cilët i takojnë besimit fetar Islam kryesisht janë të varfër dhe të uritur, si dhe në këtë vend nuk praktikohet siç duhet mënyra e të drejtave njerëzore apo religjioze”, shprehet Ismaili, duke shtuar se varfëria dhe uria nuk është vetëm tek muslimanët, por në përgjithësi e gjithë popullsia e Maqedonisë jeton në kushte të vështira.

Analisti Ramadan Ramadani bazën e protestave dhe sulmeve kundër Islamit e quan një ndjenjë anti-emigrante që ka filluar në Evropë dhe kjo fatkeqësi sipas tij gjithnjë e më shumë është duke marrë karakter anti-islam, me të gjithë momentin dhe klimën histerike që paraqitet kundër Islamit si religjion nëpër botë.

– Në Maqedoni veprime të tilla nuk ekzistojnë

“Në vendin tonë ende nuk kemi këto paraqitje tendencioze të urrejtjes ndaj ndonjë religjioni. Kjo nuk është shkaku i mirësisë së njerëzve, por më shumë është shkaku i asaj se në Maqedoni më shumë është konteksti ndëretnik i cili vazhdon”, shprehet Ramadani, duke theksuar se ky kontekst shpesh herë është aq i madh sa që i hijëzon aspektet tjera, qofshin ato religjioze, kulturore apo civilizuese.

Në pyetjen nga gazetari i AA-së se a është e vërtetë që imamët e arrestuar në Kosovë bëjnë nxitjen e urrejtjes ndërfetare Ramadani thotë se ato ishin vetëm disa raste policore që u ndërmorën në Kosovë dhe për të cilat ende nuk ka argumente të qëndrueshme se çka në të vërtetë ka qenë faji apo mosfaji i tyre. Ai beson se me kohë do të sqarohen për këtë punë, mirëpo për Ramadanin ngelet interesante të vështrohet se si do të reflektohet kjo në marrëdhëniet e gjithë bashkësisë muslimane ndaj shtetit, sidomos shtetit të ri të Kosovës.

Ramadani duke theksuar se arrestimi i imamëve nuk ka asnjë lidhje dhe nuk ndikon aspak në popullatën e Maqedonisë tha se: “Çdo vend ka imamët dhe autoritetet e veta. Në Islam nuk ka ndonjë papë apo institucion qendror, në Islam autoriteti i vetëm është teksti”.

– Pas ngjarjeve të fundit në Evropë Maqedonia ka mundësinë të prezantojë modelin e bashkëjetesës

Gjatë bisedës Ramadani përsëriti fjalën konteksti ndëretnik, duke theksuar se ky kontekst vazhdon në këtë vend, mirëpo sot Maqedonia pas ndodhive të fundit, siç ishin protestat në Evropë, sulmit ekstremist ndaj revistës “Charlie Hebdo” në Francë dhe shumë ngjarje të tjera, ky vend ka një mundësi unike që të prezantojë modelin e vet të bashkëjetesës në Evropë, pasi që sipas tij bëhet fjalë për një vend unik.

“Maqedonia është i vetmi vend me shumicë krishtere, e cila ka një shumicë të madhe muslimane, ku një e treta e popullatës i takojnë këtij religjioni”, u shpreh Ramadani, i cili shton se vendet tjera të rajonit janë anasjelltas dhe me shumicë muslimane duke përmendur këtu Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Sipas profesorit universitar Ali Pajaziti, Islamofobia është një dukuri që nënkupton ndjenjat negative përballë përfaqësueseve të një feje, gjerësisht njërës prej feve abrahamike, pra fesë islame. Ai thotë se: “Islamofobia nënkupton një urrejtje organike që grupimet e caktuara qofshin individ, subjekte apo organizata të ndryshme, ndjenjë ndaj islamit duke tentuar që të ekskomunikojnë ose ti përjashtojnë përfaqësuesit e këtij religjioni dhe duke i etiketuar ata si ekstremistë, fundamentalistë, terrorist dhe si përfaqësues të organizatave Al Kaeda, ISIS dhe të tjera”.

– Në Maqedoni janë shënuar raste që mund të cilësohen si veprime islamofobike

Pajaziti veçon se edhe në Maqedoni janë shënuar raste që mund të cilësohen apo të atribuohen si veprime islamofobike duke marrë shembull kryqet e ndryshme të shfaqura përmes Graffiti Kulturës dhe shkresave të ndryshme nëpër objekte religjioze të kultit islam nëpër xhami, si “Do të ju kryqëzojmë”, “Mos bojkoto – Mos blini tek terroristët” dhe shumë të tjera.

Të gjitha këto Pajaziti i radhit si një shenjë e islamofobisë në Maqedoni, duke shtuar më tej se: “Ka pasur edhe prononcime të cilat janë më të rrezikshme, ku një funksionarë i lartë i Kishës Ortodokse Maqedonase pohonte se ndërtimi i kishave nënkupton kufizimin e hapësirës jetike të një entiteti, pra të etnikumit maqedonas nga islami që është në sulm e sipër nga islami agresiv, e cila dita ditës gjoja kapërdin hapësirën jetike të maqedonasve me ndërtimin e xhamive, me mentalitetin e lartë e kështu me radhë”.

– Personat për të cilët flitet se bëjnë nxitje të urrejtjes ndërfetare shkaktojnë turbulenca tek popullata rinore

Të dhënat konkrete nga terreni flasin se ka një mënyrë tjetër e të jetuarit dhe të aplikuarit të islamit që dallon nga ajo që quhet “mainstream Islam” i këtyre trojeve, pra islami i vijës tradicionale ose konvencionale i kësaj hapësire ballkanike. Këtë Pajaziti e komenton si një realitet që nuk mund të mohohet dhe sipas tij kjo vërehet edhe në aspektin sociologjik, kulturologjik dhe antropologjik.

Ai tha se refleksionet e këtij botëkuptimi janë prezente edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe tek kjo popullatë kjo ka ngjethur idhtarë të shumtë. “Në qoftë se futeni në motorin kërkimor Google dhe kërkoni sintagmën ‘hoxhallarë shqiptarë’ pjesa dërmuese e teologëve shqiptar musliman që do të paraqiten janë të provilencës që dallon nga vija e komuniteteve fetare zyrtare, e cila është për të vendosur gishtin në mendje dhe për të pyetur pse bashkësitë fetare islame të trojeve shqiptare nuk kanë arritur të jenë më efiçente në terren”, shprehet Pajaziti duke arsyetuar se këto kanë lënë hapësirë të zbrazët që të sillet një pikëpamje tjetër e islamit, e cila shpesh herë shkakton edhe turbulenca tek masa ose turma, me gjithë se popullata rinore shpreh simpati ndaj kësaj vije.

– Islamofobia në Maqedoni nuk mund të thuhet se është e veçantë nga rajoni

Në fund të fjalës së tij Pajaziti nuk la pa përmendur se Islamofobia në të gjithë Ballkanin ka tendenca të këtilla duke filluar nga Shqipëria, Greqia, pastaj edhe Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe të tjera. Sipas tij në të gjitha këto hapësira shpesh herë vërehen slogane dhe deklarata të ndryshme, të cilat mund të cilësohen si islamofobike. “Kjo dërmon indin social të këtyre shoqërive duke i tavorizuar njerëzit të cilët në jetën normale të tyre kanë jetuar dhe jetojnë në tjetërsin e vet pa e përjashtuar atë, duke e pasur si komshi dhe duke këmbyer përshëndetje nga përshëndetje deri tek dhuratat, si dhe duke komunikuar dhe kontaktuar në mënyrën më të natyrshme, më organike dhe më normale”, shprehet Pajaziti./zhurnal

Lajme të ngjashme

Back to top button