Anceloti: Reali super, do ta “rilind” Kakan

Karlo Ançeloti ka dalë për herë të parë në konferencë shtypi si trajner i Realit, para një ndeshjeje kampionati. Është e para, mes shumë të tjerave që do e pasojnë gjatë këtij edicioni futbollistik. I qetë, diplomat dhe i qartë, ai nuk ka rënë pre e pyetjeve tendencioze të gazetarëve. Premton një Real spektakolar dhe fitues, ndërkohë që ka analizuar formën e lojtarëve. Mirëpret Bejlin dhe bën një premtim: Kaka do të rikthehet si dikur…

Murinjo preferonte Diego Lopezin para Kasijasit. Ju kë do aktivizoni titullar në ndeshjen e parë të kampionatit?

Nuk e kam vendosur akoma. Nuk mund t’jua them formacionin, pasi nuk kam biseduar ende me lojtarët dhe një gjë të tillë do ta bëj nesër (sot).

Do vijë Garet Bejl te Reali?

Unë jam shumë i kënaqur me skuadrën që kam në dispozicion, por lojtarët e mëdhenj janë gjithnjë të mirëpritur.

A nuk është një tregues i qartë fakti që fanellën me numrin 11 nuk e ka marrë askush?

Kjo ndodhi pasi asnjë lojtar nuk e kërkoi atë numër…

Cilat mendoni se janë skuadrat pretendente për titullin kampion në Spanjë?

Është e vërtetë që Reali dhe Barcelona janë favoritet kryesore, pasi kanë një nivel tepër të lartë. Gjithsesi, duhet pasur kujdes nga mjaft skuadra të tjera, si Atletiko e Madridit apo Saragoza.

Keni lojtarë në dyshim për ndeshjen e parë?

Ksabi Alonso është gati për të luajtur. Pepe pati një problem, por e ka kaluar dhe do të luajë nesër (sot).

Cili është objektivi juaj këtë sezon?

Sigurisht që fitorja, por e kam thënë disa herë edhe më parë që nuk më mjafton vetëm aq. Duhet ta bëjmë duke dhuruar një futboll të bukur, i cili të argëtojë tifozët. Ky është objektivi im dhe i gjithë skuadrës. Të fitojmë duke dhuruar spektakël.
Do të ketë largime?

Situata nuk ka ndryshuar aspak. Duhet të mendojmë vetëm për vendin e Koentraos, i cili ka kërkuar të largohet dhe ndaj nuk do luajë në ndeshjen e parë. Pjesa tjetër e lojtarëve janë të lumtur që janë pjesë e Realit.

Karvahal apo Arbeloa?

Nuk e kam vendosur, por Arbeloa ka luajtur të mërkurën me Kombëtaren, plus udhëtimi i gjatë… Karvahal është stërvitur mirë këtë javë dhe është më i avantazhuar për të luajtur.

Cili do të jetë sistemi juaj i lojës?

Është e rëndësishme të praktikojmë një sistem ku lojtarët ndihen komodë. Duhet të mësohemi të ushtrojmë presing në fushë gjatë gjithë ndeshjes. Kjo mund të ndihmojë që të luash në kundërsulm, por nuk është ky plani im. Dua të luajmë duke dominuar në zotërimin e topit.

Ju duhet një sulmues tjetër?

Jam shumë i kënaqur me ekipin, pasi ka një ekuilibër mes lojtarëve me eksperiencë dhe të rinjve. Atmosfera është mjaft e mirë dhe kur skuadra është e bashkuar, për mua çdo gjë është në rregull.

Si është forma e Varanes?

Po bën stërvitje individuale dhe do të vazhdojë kështu edhe për gjashtë ditë, para se të nisë stërvitjen me pjesën tjetër të ekipit.

Po Ijarramendi?

Gjithashtu po stërvitet individualisht, por do të jetë gati për 10 ditë.
Benzema…
Po stërvitet mjaft mirë dhe jam i kënaqur për punën që po bën. Është e rëndësishme që të shënojë shumë gola, si me Realin, ashtu edhe me Kombëtaren e Francës.

Ronaldo…

Më ka surprizuar shumë me kuriozitetin që ka treguar.

A është Kaka basti juaj, duke qenë se vendosët ta mbanit?

Do rikthehet të jetë po aq i madh sa dikur.

Keni formuar një ekip shumë të ri në moshë…

Isko, Ijarramendi, Karvahal, Kasemiro, Morata, Hese dhe Çerishev. Lojtarë që unë i kam njohur mirë vetëm kur erdha këtu. Janë shumë të talentuar dhe meritojnë plotësisht që të jenë pjesë e ekipit të parë.

A do jeni ju trajneri që do t’u dhurojë madrilenëve Champions-in e dhjetë në histori?

Të gjithë e duan shumë atë trofe dhe është objektivi kryesor për çdo madrilen. Hera e fundit që kanë qenë në finalen e Ligës së Kampioneve ka ndodhur në vitin 2002 dhe ka kaluar me të vërtetë shumë kohë. Gjithsesi, është herët për të menduar për finalen…/Panorama

Lajme të ngjashme

Back to top button